Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Gjergji Mihallari

Dënesë
E kam një mall
nga fjal’ e lënë
përgjysëm
kur
shiu
pikonte mbi xhama.
Dhe prapë
Pikon
Pikon
në sytë e tu
të kaltër.
Ti
tretesh para meje
dhe bëhesh
siluetë
të shoh
mbi flokët
e gjatë
ca pika shiu
që rrjedhin
me dënesë.
Butësi
Mbi butësinë e trëndafilit
qëndroi qerpiku yt,
mbi ëmbëlsinë e liqenit,
u preh buzka jote,
por flokët përse
përse
i le varur
mbi pushin e faqeve të mia?
Idil
Mbi kryqe të thyer varresh
mes siluetash dhe hijesh fantazmash
në terrin e natës
korbat memecë të vdekjes.
Kafka gjysmëmish
e gjysmëkocke
këmbë që ecin të shkëputura
nga trupat e skeletosur
një shpirt endacak
që prehje nuk gjen nga vuajtjet e mëkatet
dhe midis kësaj materie tragjike
fare i qetë çapitet
një endacak shetitës.
Marrë nga libri poetik “Antiteze”, 2019.
Please follow and like us: