Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Rrahman Dedaj

TË ECËSH VETË

Nisesh nga vetja pa u hamendur
E qet një hap dhe hapin tjetër
Dhe mund të jesh fatlum
Nëse hapin e tretë
E qet sërish përpara

Duhet t’i mësosh hapat
Të ecin edhe prapa shpine
Në të mëngjër e në të djathtë

Nuk dihet si kryqëzohen rrugët
Si ngatërrohen pa gisht tregues

Mos u hamend
Asnjë lavdi s’ka udhëtuar larg
Asnjë largësi s’është afruar krejt

Është e rëndësishme
Të ecësh vetë

MË SHKRUAJ

Si na gjejnë letrat
Si na gjejnë fjalët

Ndërrimi i adresave
Nuk prish punë

Edhe largësitë flasin
E malli na kërkon
Dhe na fajëson

Më shkruaj
Derisa letrat na njohin
se po rigon shi
Që nuk gjason me shiun

 

ÇDO GJË ISHTE VETËM NJËHERË E NJËJTË

Po mbyllem në një kujtim
Si në guacën që solli vala
Pranë rërës pranë detit
Tërë atë që kisha
S’i duhet më askujt
Çdo gjë që ishte
Vetëm njëherë e njëjtë
Asnjë ëndërr s’diti të përsëritet
Në një pëlhurë le të pikturohet
Vetëm zemra mbi një hekur
Dhe etja pranë një kroi
Era do të fryjë e asgjë s’do të ikë
Bari do të qajë si shiu
E shiu do të këndojë si pikëllimi

Çdo gjë do të gjasojë në vetvete
Që t’i kthehet humbjes së vet



TË PAPRITURAT VIJNË PAPRITUR

Asgjë s’është këtu e njëjtë habia ime
Tëra të përsëriturat bëhen ndryshe
Qenka shpërngulur fjala
Që ta mësojë urtinë e të ecurit

Befasia është e pakutpueshme
Kryeneçësia ime e pakuptim

Çdo fjalë paska një djall
Në lakueshmërinë e verdhë
Që s’mund ta ndalin

Të pashmangshmet do të ndodhin
Koha ime e pashkelur
Të papërsëriturat vijnë papritur
U plakëm nga mençuria e premtuar

LIRIKË E MËSUAR

Gjaku im ngatërrestar
S’është paragjellë e njelmët

Fjalën e pagjunjëzuar
Le ta kërkojë
Fatkeqësia e vet

Le ta çojë shiu
Lirikën e vet të mësuar

Pa u shëruar mirë
M’u ngjit sëmundja tjetër

Në këtë qerre të cirkut
Larg do të udhëtojmë

SËRISH NË VENDIN KU U NDAMË

Qante zogu i mallit
Në paskajësinë që nuk afrohej
Dikush kthente majeve
Dikush vdiste në kujtesë

Asnjë udhë
Të kryqëzohej në zemër

Po bie shi i mallëngjimit
Mbi një thikë të kujtimit

NGA PO VJEN E ÇUDITSHMJA

Po ikin të vërtetat pa mua
Po kthehen të rremet pa kohë

Gjeometri e njëtrajtshme
Fjalën po ma fsheh

Në cilin teatër do të luhet
Roli qesharak i kujtesës sime

E dielë e shtunë e premte
E enjte e mërkurë e martë
Të hënën fillon puna sërish

 

NJERIU QË MBANTE DITAR

E matte jetën me pëllëmbë
Një e jetuar
Një e pajetuar
Një i dilte mashtrim
Një tjetër gabim
Çdo gjë iu kishte plakë
Më shpejt se rrita

Ishin thinjur udhët
Dhe zogu që këndonte


Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujevës, Kosovë. Shkollën fillore e kreu në Podujeve, ndërsa shkollën normale dhe fakultetin filozofik në Prishtine. Ka punuar si gazetar e redaktor në Radio Prishtina. Më pas ka qenë redaktor e kryeredaktor i Ndërmarjes Botuse
“Rilindja”, drejtor i gazetës së përditshme”Rilindja”etj. Rrahman Dedaj ka shkruar poezi dhe prozë për të rritur dhe për fëmijë.
Vdiq më 21 gusht 2005 në Londër – Angli.Veprat:

  • “Zogu dhe Kulla”,
  • “Me sy kenge”,
  • “Simfonia e fjales”,
  • “Balada fshehur”,
  • “Etje”,
  • “Fatkeqesia e urtise”,
  • “Kryqezim hijesh”,
  • “Fshehtësia”
  • “Medaljoni”
  • “Dy liqej”./ALBSPIRIT.COM
Please follow and like us: