Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In memoriam, Bajram Curri!

 OOOOOO… KUSHTRIM  BRE  BURRA…

NA  U  VRA  EDHE  BAJRAM  CURRI…

 

   

 

Ushtuen Alpet e Veriut… Gjimuen shpellat e kushtrimi i atyne burrave, shembi der’ kullat me oxhakët e tyne shekullor… Avulluen prrojet e u tretën me tym duhani… Dikund andej pranë atij kufinit, kah Veriu…

Ndër shenjat e pushimeve shiheshin vetem ruba të zeza e vajtojce të shtangueme, që nuk i besojnë as veshve, as syve të ballit, kah sipër tyne shgjetojnë Shqipet tue rrah krahët bash, sikur t’ i kishte gjymtue rrfeja ndër çerdhet ku çilin zogjtë… E poshtë, ku edhe ujt’ e prrojeve asht skuq këtë mars të zi të 1925, ku ulrijnë ujqit tuba tuba të dejun n’ gjak!

Shpella e Dragobisë asht nxi rretherrotull, e pasha një rreze dielli nuk rrah ndër shkambijt’ e saj. Edhe e bukra Hanë sande nuk shifet… Asht mblue me vel t’ zi ç’prej asaj ditë të 2 marsit, kur në Bari t’ Italisë u rrëzue tradhtisht përdhe trimi i Shkodrës sonë, Luigj Gurakuqi. E mbas tij, gurt’ e Dragobisë u rropatën posht’ e në lum per Ty, o Bajram Curri!…

Shqipnisë së Gjergj Kastriotit i mungojnë përgjithmonë edhe Dy Burra, Dy Vllazen dhe Dy Heronjë: Bjram Curri dhe Luigj Gurakuqi! Dy Krena Shqipjet të Flamurit Pavarësisë Kombtare… Për në kohë paqet e luftet…

E, edhe Ai Flamur i ngritun me 28 Nandor 1912 në Vlonë, ka ra n’ gjysëm shtize… Nuk dij as sot deri kur?! Ndoshta… Edhe përgjithmonë…

Atdheu gufon vetëm gjak! Gjak të pastër e të kulluem Atdhetarësh trima!

Beogradi e Tirana në festë… Biellogardistët shkrepin gotat nga gzimi…

Pashiqi veshtron nga Tirana dhe “lot gzimi i rigojnë”, kah ndigjon një za:

“Tash nuk drue ma kënd...”! Asht zani i mikut tij… Asht zani i nipit Esad Pash Toptanit… Vorrin e të cilit… e kanë atje n’ oborr të pallatit…

E stërnipat e tyne edhe sot vazhdojnë me vue lule ndër ato gropa plehu…

Shqiptarë! A e dini se Shqipnia ka vetem një Zot? E të gjithë jemi Vllazën!

Keni harrue themelin e të Parëve, themelin për të cilin: “Vonë ka me u kuptue se, të dy ishin Bijt’ e Një Nane, Nanës sonë të nderueme Shqipni, që, as sot.., nuk po dijnë me i prâ lotët”!

Melbourne, 26 Mars 2021.                

Please follow and like us: