Ilmi Kasemi Beati: NANA ME NANËN NË MARS
NANA ME NANËN NË MARS
Në fakt janë në Tokë, në Qafë Botë, afër Butrintit, qytetit simbol të pritjes së të dëbuarve me dhunë, qytet që priti trojanët e Eneas, tani edhe të vendalive çamë, matanë Qafës së Botës.
Janë brenda në çadrën e ferrit.
Kunata e saj përball mban një foti për pakëz dritë.
Nana mban nanën e vet në kraharor.
Presin të dyja frymën e fundit të saj.
Kunata ishte një grua stoike, e fortë dhe qerpiku s’i lëvizte. Ishte njeriu i duhur për të, në këto momente dramatike.
E varrosën aty pranë ku ishin ngujuar nga tmerri, i hodhën pak dhè pastaj e mbuluan në gjethe e degë lisi.
Ky vizatim u bë në dedikim të ditëlindjes së nënës që sot do ishte 95 vjeç.
Në vizatim ajo është njëzet, ndërsa nana e saj që po jep shpirt, qe dyzet e pesë.
Ajo mbeti në katër rrugët bashkë me vëllezërit e vegjël.
Ndërsa unë me vëllain e madh, sot shkuam tek varri, shkuam në varrezë për ditëlindjen e saj.
Duhet të shkonim edhe në varrezat me kenotafin (memorial pa eshtra) në Xarrë, ku ka vdekur në ’45-ën nana e nanës, po në muajin Mars.
Por unë nuk mundem dot të shkoj.
Sepse aty kanë ndërtuar me beton arkivol betoni, në një rreth si tumul thonë dhe një xhami në krye të memorialit ku qëndron krenare një minare.
Ky vizatim nuk dëshmon Shën Mërinë.
Ajo është Bija që mban Nanën.
Jo Nana që mban Nirin.
Ky vizatim nuk ka asnjë shenjë tjetër veç tre grave dhe pakë dritë jashtë çadrës.
Dy të gjalla dhe një që po jep shpirt nga marazi, vuajtjet dhe dhuna e barbarëve.
Europa bën sehir.
Këto nuk janë subjekte biblike, nuk kanë kaluar mijëvjeçarë, janë të djeshme, kanë ndodhur edhe në ’99 në Kosovë ndër shqiptarët.
Andaj ne duhet të ilustrojmë biblën tonë, dramën tonë, të bëjmë atë që Europa e ka bërë shekuj më parë.
Andaj jemi të prapambetur, kështu na thonë, kështu më thonë.
Përse këto subjekte renesanciane?!
Janë të tilla dhe nuk kalohet dot mbi to.
Italia gjeti biblën dhe ndërtoi një art të ri, një civilizim të ri.
Ne biblën e kemi në Morinë e në Qafë Botë.
Punova këtë skulpturë, që po e publikoj krahas vizatimit.
U mendua të vendosej pikërisht në vendin ku sot është minareja.
S’qe e shkruar.
Pasi përfundova ‘Mëshirën’ e rifillova këto ditë, që të dyja bashkë të mbyllin një dramë.
Ishte edhe muaji Mars kur fëmijët dhe nënat vdisnin rrugëve.
Kishte nëna që iu kishin vdekur fëmijët dhe ashtu të vdekur i mbanin në djep për t’i varrosur diku larg bandave barbare.
Por kishte dhe fëmijë të gjallë në djepin mbi kokë.
Ajo mban djepin, është Dodona, më tepër nga Çamëria, sepse ajo është Djepi i civilizimit Europian.
Andaj nuk u realizua aso kohe në Xarrë sepse duan që ne të na heqin xarrë, edhe këtu edhe tani që po shkruaj e vizatoj me baltë e bojë.
Tmerri racist vazhdon.
Turp.
Djepi është edhe sarkofag, edhe shtrati i jetës dhe ky totem do të jetë ‘minare’ e vërtetë e çamëve, për aq kohë, deri sa të vdesi urrejtja.
Ne mbijetuam.
Gëzuar ditëlindjen Nan.
26 Mars 2021.
Please follow and like us: