Albspirit

Media/News/Publishing

Vatikani emëron në post të lartë shqiptaren Roza Pati!

Ati i Shenjtë emëroi profesoreshën e Kolegjit të Drejtësisë të Universitetit St. Thomas, Dr. Roza Pati, për të shërbyer në Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor. Sipas letrës Apostolike, ”ky Dikaster do të jetë kompetent veçanërisht në çështjet që lidhen me migrantët, ata në nevojë, të sëmurët, të përjashtuarit dhe të margjinalizuarit, të burgosurit, të papunët, si dhe viktimat e konfliktit të armatosur, katastrofave natyrore, dhe të gjitha format e skllavërisë dhe torturës”.

Mbështetja e kauzave që mbrojnë dinjitetin njerëzor, sjellin ndërgjegjësim dhe kërkojnë zgjidhje efektive ligjore dhe politike drejt heqjes së të gjitha formave të vuajtjeve njerëzore, përfshirë trafikimin njerëzor, është një pasion për Dr. Roza Pati.

 E lindur në Shqipëri, ajo u rrit nën diktaturë dhe regjimin ateist, në një familje katolike. Roza ishte ndër të lindurit e fundit që u pagëzua, pak para se regjimi të ndalonte të gjitha fetë, të mbyllte dhe shkatërronte shtëpitë e adhurimit, të burgoste e madje të ekzekutohente priftërinj dhe klerikë të tjerë, shkruan më tej gazeta, duke theksuar një vlerësim për Roza Patin.

”Unë kisha një bekim unik: një nënë të jashtëzakonshme, një nga besnikët më të devotshme të Kishës Katolike. Ajo më mësoi mua dhe dy motrat e mia, sesi të bëjmë shenjën e kryqit, t’i themi lutjet Atit Qiellor, të kërkojmë dhe ndjekim Zotin tonë, të jemi në vepra siç pretendojmë me fjalë“, u shpreh Pati.

Nëna e saj ishte vajza e një disidenti i cili u ekzekutua pa u gjykuar. Ajo ishte aq e guximshme sa të mbështeste Rozën dhe motrat e saj në besimin katolik dhe i udhëzoi ato që kurrë të mos pushonin së shërbyeri Zotit, t’u shërbenin me vetëmohim atyre që kishin nevojë dhe të punonin për drejtësi për të gjithë njerëzit dhe për të mirën e përbashkët.

Please follow and like us: