Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: PËRGJITHNJË

 Skicë
Nuk mbaj mend, qëkurse e kam bërë atë fotografinë pranë varrezave, por kujtoj që binte borë dhe gjithçka ngjante e shtrirë në një hapësirë irreale. Varret e çrregullt, pothuajse të rrënuar, ngjanin si me ato femrat e fjetura, gjysmë të zbuluara dhe mua më dukej vetja një përgjues, një piktor i vdekjes.
Hetoja i mahnitur pemët, degët e të cilave shkundnin dëborën pikë-pikë mbi mermer dhe më dukeshin ato fjolla si mijëra flutura vezulluese. U enda përqark varreve duke prishur atë shenjtërinë e bardhë sipër tyre. Gjurmët e hapave të mi dalloheshin këtu-atje, ndërsa ajo që ndiqja nuk shihej askund. Papritur mu duk sikur e fshehur pas një peme u shfaq një vajzë me fustan të bardhë nusëror dhe u shtanga.
Por kjo zgjati vetëm një çast. E ndoqa ngado fantazmën e saj, por më kot. Veç gjurmët e hapave të mi u ngatërruan dhe u shtypën nga gjurmë hapash të tjerë, më nervozë, më të mëdhenj, më sundues mbi bardhësinë e dëborës.
E mbaj akoma në duar atë fotografi dhe më duket se kam mbetur pikërisht në atë varrezë, në kërkim të atij çasti kur ajo u shfaq vetëm për një çast përpara meje, me fustan të bardhë nusëror. Dhe më duket se tani, në këtë mbrëmje të ngrohtë qershori, nuk kam përpara natën me çatitë e kuqe te shtëpive të Shijakut, por një varrezë të pafundme përmes dëborës, e humbur në vetminë e kryqeve të saj të thyer, përkujtimoreve të rrënuara nga koha dhe fantazma e vajzës sime të dashur, që vervitet çdo çast duke vështruar gjurmët e hapave të mi. S’më ka mbetur tjetër, veçse të dyshoj, nëse ajo, në atë jetën tjetër prej ëndrre, vazhdon ende të më kërkojë apo jam unë që e kerkoj, por s ‘gjej asgjë tjetër, përveç atij çasti.
Shijak 24. 06. 1998.
Please follow and like us: