Albspirit

Media/News/Publishing

Thashetheme nga Kupola TNK: Pandi merr telefonatë nga Shefi…

Pandi u zgjua si zakonisht atë ditë. Pasi bëri dush, u rrua dhe u pa në pasqyrë. Mollëza e Adamit e dalë si rrallëkush, gunga në hundë dhe thinjat në kokë ia kënaqën shpirtin derdimenit. Iu duk vetja si filozof gjerman i shekullit të 19-të.
“Edhe Fojerbahu do më kish pasë zili pamjen. Shenja serioziteti të skajshme” mendoi me vete.
Por befas u step. Kishte veshur robdishamin rozë të gruas. Kjo iu duk shenjë e keqe, njëfarë tallje e fatit. Shkoi me urgjencë në dhomë dhe ndërroi veshjen. Gruaja ishte në gjumë.
Hëngri diçka të shpejtë dhe doli jashtë.
Shoferi nuk kishte ardhë akoma. Domethënë kishte ardhur por ishte hutuar, në një bilardo aty afër, bashkë me bodiguardin. Majko e dinte tashmë ritin, shpesh shkonte e i gjente aty. U fut në bilardo, askush nuk e vuri re përveç shoferit që as e prishi terezinë.
Pandi nxori një gazetë të vjetër, të ’99-ës, kur ishte Kryeministër. Kishte mall, shumë mall për atë kohë, madje vetëm për atë kohë. I kujtoheshin ditët kur Edi Rama ishte Demka i tij, kur i thanë që do marrësh Partinë, i thanë që ti je shpëtimi i Shqipërisë e gjepura të tilla… Humbi në atë gazetë derisa shoferi i ndërhyri brutalisht :
“Do shkosh sot në punë apo si e ke hallin”!
Pandi brofi menjëherë. Nuk bëhej shaka me këtë shoferin, ishte me huqe. Ora po shkonte 10. Në zyrë nuk kishte asgjë për të bërë. Por shoferi dhe bodiguardi ndërkohë kishin mbërritë te makina. Pandi u nis mbas tyre.
Në Ministri mbërritën për 3 min. Xhanxhin gjithë ministria, askush nuk ishte. Pandi mbante një çelës të derës së jashtme gjithmonë me vete. Hapi derën dhe shkoi lart në zyrë. Stafi vinte më vonë, rreth orës 12. Ça do bënin përpara aman, edhe po të vinin…
Pandi vendosi të marrë Xhafën, Ruçin dhe Klosin. Edhe ata ishin si të mpirë. Të tre në zona të pasigurta. Shanin e shfrynin gjithë kohës, nën zë. Sa u bë gati të kërkonte numrin e Gramozit kur pa në telefon emrin e Kryeministrit. Brofi menjëherë nga emocioni, shyqyr që në ministri nuk kishte njerëz…
“Mirmëngjes shef, si të kam”?
Nga ana tjetër e telefonit dëgjoi deklamimin:
“Se këtu në vendin tim
Edhe kungulli ka kuptim
Kungull mos të plastë fara
Ngado shkoj më del përpara”
E gjen dot kush e ka shkruar?
Pas kësaj u dëgjua ngërdheshja e gjatë, e zhurmshme, ironike e Kryeministrit bashkë me hungurimat e shoqëruesve të vet.
“Hahahahahaha” qeshi edhe Pandi pa kuptim. “Shumë e bukur kjo”, shtoi. Por dëgjoi një pipipipip nga mbrapa….
Kjo ia prishi humorin. Fundja ishte Ministër akoma. Plus figurë e nderuar e Partisë, baza e donte. Hunda shkabë po ashtu, mollëza e Adamit, flokët me thinja…Në Kosovë vazhdojnë ta duan si atëherë…
Kjo nuk durohej.
Ose edhe durohej.
Fundja pse të mërzitej. Njerëzit e respektonin përveç shoferit, bodiguardit, gruas dhe sekretares. Batoni një ditë kishte folë mirë për të.
Dikush i kishte bërë vërejtje se qeshte shumë, se kur qeshte i kujtonte personazhin e Hygoit. Kishte të drejtë, ishte vërejtje dashamirëse, do qeshte më pak. Duhej të gjente një buzagaz që do të dukej edhe serioz por edhe i mirë, një qenie popullore. Për këtë bënte prova çdo ditë, nga ora 10 deri në 12 kur vinin këta të Ministrisë. Kishte vënë një pasqyrë dhe shihej edhe në zyrë….
Në këto mendime ra dera, ishte shoferi.
“Po Zyrap, mbaruat lojën?”
Zyrapi është ofenduar shumë nga numri që e ka vënë Rama. Ka dëgjuar edhe që e tallin të gjithë. Ai nuk dallohet fort për etikë në të folur:
Ore ti, koqe, si i le të tallen me ty kështu? Kanë vënë Alqi Bllakon e inceneratorëve përpara teje. Ai zullapi madh është një b..q… që nuk e ka shokun…”
Pandi u bë meit. Në Ministri nuk kishte njeri për be. Por ku i dihet, edhe muret kanë veshë…
Duhej qetësuar Zyrapi.
“Zyrap të keqen vëllai, aman, përmbaju. Do më japin votën njerëzit, ke për të parë, bashkë do jemi përsëri. Aman mos fol në sy të gruas se më mbyti edhe ajo. I kam thënë që jam numri 6, shyqyr që nuk lexon gazeta…”.
Zyrapi u largua duke turfulluar. Pandi u qetësua.
Please follow and like us: