Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “URA SHPIRTËRORE”

Në një hark kohor prej 30 vjetësh, midis dy vëndesh fqinjë, ku “trau i kufirit” ulet e ngrihet mijëra herë në ditë, për të përcjellur qytetarët tanë për të pushuar, jetuar e punuar, është vendosur tashmë edhe një “Urë Shpirtërore”, ndryshe nga ajo e politikës ndarëse që “pikon” hera herës prej nacjonalizmit të sëmurë, racizmit e ksenofobisë. Ndaj edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, duke përfshirë këtu shkrimtarë, poetë, artistë të skenës e të ekranit, regjisorë, instrumentistë, këngëtarë, valltarë, piktorë e skulptorë, inspirojnë në këtë frymë bashkëveprimi, si në të vetmen rrugë të dobishme bashkëjetese e të komunikimit shpirtëror. Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë në Greqi (“Litter-Art”), e ka patur qysh herët një bashkëpunin edhe me te dyja Lidhjet e Shkrimtarëve e të Artistëve të vendit fqinjë, me veprimtari të përbashkëta mbresëlënëse në krijimin e një klime të tillë frymëzuese.
E këtillë ishte edhe ajo e takimit të organizuar më 26 mars 2019 në mjediset e Federatës Shqiptare, prej “Litter-Artit”, me veteranen e skenës e të ekranit grek, dramaturgen Titika Sariguli, si edhe me aktorët Andoni Kafexhopulos e Nikos Çoidhaqis dhe të regjisorit të ri Dhimitris Papuiliu, në prani të botuesit të gazetës “ANASINDAKSI”, Zotit Tasos Balos e te Avokatit Theodhoros Papailiu.
Pas fjalës së rastit të Kryetarit të Lidhjes, komediografit Skënder Demolli, folën aktorët shqiptarë Anastas Kozdine, Gjenovefa Redhi, Marsela Lena, Brikena Qama e Festim Zaçe, të cilët vlerësuan talentin e veprimtarinë e artistëve grekë , ndërsa të ftuarit vendas shprehën konsideratën e thellë për artistët shqiptarë, për shkollën shqiptare të aktrimit e veçanërisht për krijimtarinë e përbashkët dhe klimën vëllazëruese të të dy vendeve tona.
Pikërisht për atë “Urë Shpirtërore” që duhet të mbetet midis nesh e pacënueshme, si edhe për njohjet, punët e marrëdhëniet e mira me artistët e pranishëm dhe për të tjerët që nuk mundën të vinin dot në këtë mbrëmje të artit shpirtëror e që kanë bashkëpunuar me Lidhjen tonë e me mua personalisht, si njeri i teatrit, më duhej të thoshnja dy fjalë-zemre. Po isha tërësisht i bllokuar emocionalisht e sytë m’u fiksuan në fytyrën e aktorit Andoni Kapexhopullos, për të m’a zbrapsur kujtesën 30 vite më përpara…!
Në kërkim të xhaxhit të “humbur
“Sa kisha ardhur përmes malesh, për të gjetur xhaxhain tim të “humbur” për tim atë, që nga viti 1924 e që nuk u kthye kurrë në shtëpi, veçse dihej që dikur shërbente në mjediset e Hotelit “Megali Britania” të Athinës. Gjetja e xhaxhait tim së gjalli është një histori më vete, po gjatë vërtitjeve disa ditore përreth kësaj godine gjigande, do të më fiksohej një reklamë teatri në katin e poshtëm, për shfaqjen e një komedie franceze të Xhorxh Fendus dhe, si pasojë, do t’u lutesha njerëzve që gjeta të më sillnin pikërisht këtu tri ditë më pas rrugës së gjatë. Se, nuk më duheshin as Tavernat e as Buzuqet që më ofruan kushërinjtë e gjetur në Athinë, veç teatrit! Dhe mandej, aty do më mrekullonte interpretimi i këtij aktori që quhet Andoni Kafexhopullos, atëhere një djalosh i shkathët, zeshkan, me flokë të zeza e të dëndura, me shtat prej atleti, që gati “fluturonte “ në skenë, i cili kishte ardhur nga Azia e Vogël (me dëbimet e atëhershme!) dhe luante tani në Athinë rolin e një shërbëtori shumë të mënçur, përbri aktorit të madh Dhimitris Papamihailis, duke i ardhur rrotull edhe njëfarë zonjusheje shumë të hijshme që e interpretonte fort bukur aktorja Mimi Denisi.
Atë natë nuk fjeta farë dhe shkrova për këtë komedi gazmore, pa e ditur fare gjuhën e tyre dhe, të nesërmen, si ma përktheu njeri nga miqt e mi, shkova përsëri aty e kërkova njerin prej këtyre tre aktorëve! Më drejtuan tek Mimi Denisi dhe takimi me të u bë shkak që shkrimi im të pëlqehej prej saj dhe të botohej në gazetën “Elefterios Tipos”, të miqësohesha me aktoren në fjalë dhe më pastaj të shihnja edhe tre shfaqje të Mimisë: “Theodhora, Perandoresha e Bizantit”, e shkruar nga vet ajo, “Ana Karenina” e Tolstoit dhe një pjesë tjetër që s’më kujtohet tani. Po Andonin do ta shihja në skenë ca më tepër akoma, sidomos në Teatrin e Eli Lambetit, si edhe në disa seriale televizive, të ndjekura nga mijëra spektatorë grekë e te huaj, si tek serialet “Astrofega” dhe veçanërisht tek seriali “Edhe të martuarit kanë shpirt”, ku binte në sy zhdërvjelltësia e këtij aktori plastik, komiciteti dhe krijimi i karaktereve te këndshme. Humori i aktorit Kafexhopullos është i natyrshëm e rrjedhës, ndërsa në filmin me subjekt shqiptar ka nuanca dramtike e sarkastike dhe ka si partner Anastas Kozdinen, studentin tim, duke krijuar nje dyshe figurash me vërtetësi e emocione të forta. E më pas Andoni do të shpallej edhe si aktori më i mirë i Festivalit të Filmit në Tiranë e do të kishte shumë miq shqiptarë, si regjisorin Robert Budina dhe aktorë e regjisorë të tjerë të njohur.
Prej këtij aktori brilant do të miqësoheshim në Athinë me Titikën, figurën më interesante që kam njohur si aktore e një profile krejt të veçantë, po edhe si luftëtare e të drejtave të njeriut, si grua e fortë dhe e guximshme, me mendime të përparuara sociale, e cila jeton thjeshtë dhe e vetme, një grua-artiste që ka në shtëpinë e saj orendi të thjeshta, që bën një jetë normale, modeste, pa televizor, që përkujdeset me dashuri, jo vetëm për pëllumbat që i vijnë në dritare, po edhe për emigrantët e huaj e të pa strehë që shpesh i gjënë poshtë urës në Metaksjurgjio, në afërsi të shtëpisë së saj e që s’rri dot pa u folur e pa i ndihmuar. Kjo aktore me ndijesi të rralla njerëzore është edhe mikja jonë e preferuar, e cila në filmin “Akademia Pllaton” interpreton me dhëmshuri nënën e dy vëllezërve shqiptarë (të interpretuar prej Andonit grek e Anastasit shqiprtar), derisa të vendos paqen midis tyre.
Po Titika interpreton edhe në 13 filma artistikë e në 15 seriale televizive, e në kohën e lirë shkruan vazhdimisht drama e komedi, pa nguruar aspak të merret edhe me regji skenike, me shumë pasion. Mirëpo gjatë gjithë kësaj kohe tepër të gjatë në mërgimin tonë, nuk do t’i ndahesha edhe një aktori tjetër të plejadës së vjetër, partnerit të Aliqi Vujuklaqit, Fedhon Gjeorgjicin, të cilin do ta kisha më afër, në qytezën e Koropisë, ku ai ndërtoi edhe një Teatër Veror e do të më ftonte vazhdimisht për të biseduar, si shqiptari me shqiptarin, bile edhe me fjalë në gjuhën amtare që ai i mbante mend nga i ati arvanitas. Në vitet e fundit të jetës së vet, miku im Gjeorgjici organizonte edhe një seri shfaqjesh të teatrit të kukllave, po një sëmundje e pashërueshme e largoi nga jeta kohët e fundit.
Pra, do ta kishim Gjeorgjicin këtu, nëse nuk do ta “mernin engjëjt në Qiell”! Por, nuk munda dot të gjeja e të afroja në këtë takim kaq të gëzueshm edhe tre aktorë të tjerë, gjithashtu miq të mi e të “Lietter-Artit” tonë, Kimulin, aktorin që pash në Teatrin Kombëtar të Greqisë në rolin e Edi Karbones, personazhin e famshëm të emigrantit të Artur Milerit në dramën “Pamje nga Ura “, për të cilën shkrova me entuziazëm në një gazetë shqiptare, i cili nuk i nxirrte nga goja dy artistët tanë, aktorin Timo Flloko dhe ish-inspektorin e Teatrit te Operës në Tranë, Vladimir Makon. Gjithashtu nuk e gjeta dot as mikun tjetër shumë të dashur e të talentuar, aktorin e këngëtarin njëherësh, Paskalis Tcharuha që interpretoi denjësish rolin e pronarit në filmin e Manusho Manushaqit “Dashuria erdhi nga larg” me subjekt e me aktorë shiptarë, së bashku, si edhe me interpretimin e rolit te Kacakut, me të cilin fitoi çmimin e parë si aktori më i mirë në Festivalin Teatror Ballkanik, në Tiranën tonë.
Dhe unë e ndjej veten të lumtur tani, që i kam njohur, i kam parë në skenë e në ekran këta artistë të nderuar, që kam shkruar për ta, duke ndenjur net pa gjumë, duke pire kafe e raki me ta, sipas zakonit shqiptar, po edhe duke u dhuruar si sonte trendafila të kuq Shqipërie, sikundër është edhe zemra jonë! Bukur mbaroi gjithashtu edhe ky takim, kjo ngjarja e sotme e miqësisë dhe e vëllazërisë, si për ne, ashtu edhe për ata… Dhe sa mirë bëri Robert Goro, miku e gazetari ynë i palodhur që e filmoi që të gjithë aktivitetin, për ta parë këtë skenëz dashurie në TV TRIBUNA! Po edhe mbyllja e kësaj veprimtarie me shikimin e filmit të regjisorit Filipos Cipos “Akademia Platon”, njera prej atyre veprave të përbashkët, njëherësh një “gur” modest në këtë “URË SHPIRTËRORE” që e vunë artistët e të dy krahëve.
Please follow and like us: