Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: KUSH E NJEH MË MIRË SE UNË KAÇELIN E LEZHËS?

 

Dy fjalë për Edmond Kaçelin pamfletistin e krisur ose të “arratisurin” nga Lezha me rastin e ditlindjes që nuk e festoi se ishte i zënë duke sharë qeverinë…

 

A e njihni Edmond Kaçelin? Atë meso burrë, pa bark të dalë, pa mustaqe, pa bostun, pa mjekërr, pa llafe, pa rrudha koti, por me shumë ide që fryjnë herë majtas e herë djathtas? Atë e njoh unë prej 40 e ca vitesh. Është lezhjan, por jo si të gjithë lezhjanët e tjerë, është nga fshati, por jo si çdo fshatar tjetër, është i “shkollës së Dakës”, por jo si të gjithë dakistët e tjerë, është diplomuar agronom, por nuk i ngjan asnjë agronomi tjetër në territorin zyrtar në Shqipëri, madje as në Kosovë, as në Maqedoni, nuk ka një që t’i ngjajë katolikut Edmond Kaçeli.

Ai është thjesht njeri si unë, si ty, si ata, si ato, por ka një emër as si unë, as si ty, e quajnë Edmond Kaçeli. Thonë se i ati kur i vuri këtë emër, as që e dinte se kishte një emër Edmond në Shqipëri, apo ndoshta ai kishte dëgjuar ose lexuar gjëkundi se kishte vetëm njëfarë Edmond Dantesi, një farë Konti i Monte Kristos, i vetmi emër i ngjashëm me emrin e djalit që sapo i kishte lindur. I patën thënë ca të lexuar më shumë se ai se ishte një libër me famë me këtë emër si hero, por si shqiptar që nuk u besonte shqiptarëve, mendoi se ata ia fusnin kot. Ai kërkonte një emër për mashkullin që i kishte lindur së fundmi, që të mos i ngjante asnjë tjetri shqiptar, se në ëndërr i ishte shfaqur se ai kishte lindur njeriun që do dhiste së qeshuri jo vetëm Ballkanin dhe Europën e Azinë mbarë, mbase edhe Amerikën në të dyja copat e saj, por kjo nuk garantohej…

I emocionuar nga  lindja e freskët në shtëpi, në pritje të pagëzimit të madh, thonë se i kishte rënë fshatit poshtë e lart, kishte shkuar në Lezhë, Gjadër, Fushë Zadrimë, Zadrimë, Kallmet poshtë e lart, kishte marrë kalin dhe kishte shkuar deri në Shkodër, qytetin e ndritur të qytetërimit dhe nuk takoi asnjë njeri me emrin Edmond. Kur pa që të gjithë në rrugë ishin ose Zef, ose Nikollë, ose Gjelosh, ose Mark, ose Frrok ose Preç, ose Ndrek, ose Gjon dhe mendoi se emri dritë i djalit që sapo kishte ardhur në jetë do ishte Edmond… Kjo e bëri babain më të lumtur, se jo vetëm po emnonte një trashëgimi të rrallë, një gjeni mashkullore që nuk e kish parë ende Lezha, qysh para vdekjes së Skënderbeut, por ky emër të do mbahej mend deri në shekullin e 31-të më së paku… Ashtu u bë. Emri që bëri histori të madhe në shekullin që shkoi dhe në dy dekadat e para të këtij shekulli. Një baba kishte nënshkruar një emër vetëtimë…

Edmond Kaçeli është një histori ikanakësh shqiptarë, që pasi qau e qeshi në Lezhë, pasi ishte gazetar tek “Koha Jonë” e Nikoll Lesit, pasi u bë nëpunës i bashkisë në Lezhë, pasi provoi njëqind e një intrigat shqiptare në Lezhën e dashur deri edhe burgun, thonë se u rilind në Itali, aty ku katolikët dogjën në turrën e druve Xhordano Brunon dhe anatemuan Galileo Galieun…

Edmond Kaçeli di të bëjë vetëm një gjë mirë e tërë jetën e vet: Ai di të të bëjë për të qeshur kur nuk të qeshet, ai di të të japë kurajo kur do t’ia japësh vetes në ballë, ai do të të ngjallë kur je duke vdekur, ai të bën të ngrihesh nga varri nëse gabimisht ke vdekur…

Mondi është një i lindur në kohë revolucionesh popullore. Ai kishte dëshirë që qysh sapo lindi të ishte pjesë e revolucioneve dhe furive të vrullshme e të papara që riformuan Shqipërinë e asaj kohe siç e deshte Njëshi i atij vendi! Por Mond Kaçeli, duke qenë se akoma nuk dinte shqip mirë, nuk mund të shëtiste me hapin revolucionar të kohës, nuk kishte pëllëmbë me kallo që të duartokiste “Parti -Enver, jemi gati kurdoherë” ndaj mbeti në skalionin e fundit…

Por ai ishte lindur për të qënë i pari, në krye, me shpatë e flamur përpara e përherë… I dëshpëruar nga fundnaja që i ra për pjesë, Kaçeli i Lezhës, bëri atë që as Skënderbeut nuk i kishte shkuar në mendje! Ai filloi t’i bënte turmat për të qeshur dhe ndërsa turmat duhet të shkonin përpara atje ku thërriste udhëheqja, gati shumica, në mos të gjithë, gajaseshin duke dëgjuar humoret e Edmond Kaçelit. Aq e vërtetë kjo, sa thuhet se Lezha, ky simbol i vdekjes se heroit kombëtar Skënderbeu, u kthye në simbolin e të qeshurës që të jep një rrotë si Edmond Kaçeli…

Aq shumë të qeshura lidhen me këtë njeri saqë thuhet se kur Ramiz Alia kishte shkuar në Institutin e Lartë Bujqësor, për të festuar themelimin e kësaj vepre madhështore edukative, të gjithë ishin të heshtur kur i pari i Partisë dhe Shtetit “fanar ndriçues buzë Adriatikut”, ecte i qetë në bulevardin ku shëtiste e puthej rinia në qytezën më të bukur të asaj kohe që quhej ILB. Pas Pasardhësit të atij që nuk kishte menduar kurrë për një të tillë, vinte Shaban Sinani me fjalim në xhep dhe fotoreporterët me kamerat gati, por askush nuk po qeshte apo brohoriste! U desh Edmond Kaçeli që të dilte nga turma dhe të bërtiste që njerëzia të ndizej flakë! Por për fat të keq Kaçeli, duke qënë se njihte vetëm një që ishte dhe mbetej në krye të Shqipërisë, në vend të thoshte “Rroftë Shoku Ramiz Alia”, (Kaçeli si një rrotë e vjetër nga Lezha) bërtit me zë të lartë “Rroftë shoku Enver” i cili kishte 3 vjet që kishte vdekur! I shkurtëri,  kalemxhiu i talentuar  i Ramizit, Sinani Shaban, nuk e deshte veten që përballë gjeniut pasardhës të Enverit, nuk u tha “Rroftë shoku Ramiz!” por u tha rroftë një i vdekur, doli para turmës dhe bërtiti vetë “Rroftë shoku Ramiz, desh me thënë” me atë ironinë dibrane, e turma befas kishte shpërthyer si qëmoti “Ramiz Alia, Ramiz Alia…”. Urra… Urra… Kaçeli i Lezhës pati guximin t’i dilte para shokut Ramiz që kishte veshur një kostum gri dhe këmishë të bardhë si dikur shoku Enver dhe duke qeshur si fshatar Lezhe pati kurajon lezhjane dhe i tha “Vetë ke thënë, Ai ka vetëm ditlindje! Rroftë shoku Enver!”… Urra. Urraaaa. Bërtiti përsëri turma…

Mondin e Kaçelëve nuk e futën në burg ato kohë, sepse ai thjesht brohoriti për pavdekësinë e të parit që ia la trashëgimi Partinë dhe Atdheun socialist Ramizit. Por Kaçeli nuk i shpëtoi burgut. Atë e futën në burg atëhere kur të gjithë dilnin nga burgjet si të persekutuar dhe kundërshtarë të regjimit komunist… Kur Mondi doli nga Lisburgu i Lezhës, një grumbull gazetarësh iu sulën dhe e pyetën si ka mundësi që nuk të futën në burg në diktaturë, por e hëngre në demokraci, ku fjala e lirë është liria e parë? Kaçeli i Lezhës duke qeshur me ironi lezhjane pat thënë: “Burgu është për burrat. Unë shkova atje kur qelitë ishin bosh dhe isha më fatlumi se kisha tre qeli për qefin tim…”.

Unë kisha kohë që kisha harruar të qeshja prej Edmond Kaçelit. Në Amerikë ku jetoj prej shekullit që shkoi, qeshet ndryshe, aq ndryshe saqë unë nuk mund ta quaj të qeshur shqiptarçe. Është një e qeshur kapitaliste që nuk ngjan hiç me kunjat e Kaçelit nga Lezha. Ndaj vendosa të nisem dhe të gjej Mondon e Kaçelëve kudo që të ishte. Më thanë se fshihej si burrat mes shalëve të veta, që të mos e gjente kush pa autorizimin e Nikoll Lesit me noterizim të presidentit Meta.

Ishte shëndrruar ndërtimtar në Itainë e Veriut, por mund ta gjeje vetëm kur flinte gjumë. Si gjendet njeriu në gjumë? Vendosa të bërtas nëpër Itali “Rroftë Shqipëria” dhe atij i doli gjumi duke bërtitur si somnabul në kohën e diktaturës “Poshtë qeveria hajdute” pavarësisht cila qeveri ishte ne pushtet!

Fati më takoi me Kaçelin e Lezhës në një protestë të Partisë Komuniste Italiane në qendër të Torinos më 2018, ku midis protestuesve paqësorë që në kor thoshin “Duam punë. Duam mirëqënie”. Mondi i Lezhës bërtiste sa shqip dhe italisht “Viva Duçe” e “Viva Enveri”. Ishte takimi më fatlum i imi në Italinë me të shkuar fashiste. Edmond Kaçeli bënte të mundur të putheshin në paqe dy histori të çuditshme të brigjeve të Adriatikut.

Njeriu që  të bën për të qeshur edhe kur ti do të qash, njeriu që nuk ka asnjë lloj rrudhe edhe pse ka 5 dekada e ca, Kaçeli që na shokon me pamflete drithëruese dhe le pa gjumë qeveritarët që nuk i zë gjumi për popullin gjumash, ka vendosur t’u kërkojë shqiptarëve që më 25 Prill 2021 të votojnë për Edmond Kaçelin Kryeministër! Vetëm në këtë mënyrë përfundimisht mbyllet tranzicioni i rrotacionit të “rrotave shqiptare” duke filluar një etapë të re me kryerrotën e të qeshurës, Edmond Kaçeli.

Të gjithë në votimet e 25 Prillit 2021!

 

28 Mars 2021, Minneapolis, MN USA.

Please follow and like us: