Cikël poetik nga Avdush Canaj
NËNAT E ZOGJVE
-Në prag të gjumit
nënat e zogjve
nuk u rrëfejën përralla
pupëloshve të vet.
-E çka bëjnë?
-U lexojnë versha të gjyshit tim.
-Ç`po thua?!
-I kam parë një ditë
kur ia kanë marrë
fletorën në ballkon!
-Dhe!
-Sot i dëgjova
kur thanë fshehur mes gjethesh:
,, Paskan melodinë e këngëve tona!”
Gjumi i zuri sikur ne!
S`po mahitem.
Përnjëmënd e kam.
KOT U KREKOS DIMRI
Kot u krekos dimri
S`do ta lëshoj fronin
Armatosi ushtrinë e borës
E të akullit
Këtu jam unë dhe pikë
Kur pa pranverën
Me krushqit e diellit
Me dallëndyshe e lule
E mbuluan djersën e frikës
Dorëzoi fronin dhe iku.
PUTHJE E PRANVERË
Vijnë zogjtë e harlisur
qiellit të purpurt,
gjoksin e lulëzuar të mollës
përkëdhelin me flatra
Molla shkrihet gazit,
secilit i falë
puthje
e
pranverë,
pranverë
e
puthje.
TA KANË LEVIZUR GURIN
Çakorr,
dikush tha:
Ta kanë levizur
gurin
apo më bën veshët?
Ti s`je jetim,
i bukuri i zanave!
Jetim s`je.
Për ty
vdes edhe njëherë
e dert s`e kam.
Çakorr,
plisbardhi im ilirian.
FUSTAN POEZIE
Nuk dua fustan të blerë
Dua nga dora e nënës
Gërshërët s`i gabojnë
Ajo e di dëshirën time
As i shkurtër
As i gjatë
Fustan fluturash.
Vetëm nëna ime
Mund ta qep për mua
E më ka hije
Dikush mund të thotë
Fustan poezie.
NDOSHTA EDHE ATJE
Ndoshta edhe atje, në qiell
Takoheni
Si tek Edi 2
Miqtë e mi poetë
Cakërroni gotat
Për një varg aromë zymbylash
Për një strofë yllore
Buzëqeshja u ndrinë
Në këtë ditëfestë poezie
Ndoshta edhe atje
Mbani ore letrare
Me violinat e guguftuve
E yjet duartrokasin për ju
Me duar prej rrezesh
Autografët ua kërkojnë me rend
Egjëllushet me pelerina
Nëse e takon tim vëlla, Alushin
I thuani:
Vjershën më të re nga ai
Ma ka lexuar në ballkon
Ylli i vet, që s`ia lëshon dorën.
5 janar 2021.
Please follow and like us: