Libri i Shaban Muratit, udhërrëfyes i diplomacisë shqiptare
Njëra nga cilësitë e një intelektuali të mirëfilltë është edhe gatishmëria që të flasë në kohën e duhur. Jo rrallë gjejmë analiza që na vijnë aposteriori apo si rezultat i gjykimit të bazuar në përvojën që del nga veprime e zhvillime të caktuara. Konstatimet e këtilla shërbejnë për të qartësuar se pse ka ndodhur diçka, por fatkeqësisht ato nuk ia dalin të parandalojnë një rrjedhojë të dëmshme e me pasoja për shoqërinë e caktuar. Ndaj çështje preokupuese e akëcilës shoqëri vijon të mbetet e vërteta e thënë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Në kohën kur në mediet tona po debatohej zëshëm, e do të thosha tejet zhurmshëm, për të ashtuquajturën çështje të detit, madje në një kontekst me të gjerë edhe për relacionet e shtetit shqiptar me atë grek, vjen një kontribut i çmueshëm i diplomatit dhe intelektualit Shaban Murati.
Vepra “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”? (The inexistent sea issue: a Greek or Albanian diplomatic intrigue?) vjen në kohën e politizimit të skajshëm të secilës prej sferave të jetës sonë, pa lënë anash me këtë rast as çështjet diplomatike dhe çështjet që rregullohen me dokumente ndërkombëtare, apo që edhe mund të konsiderohen tashmë të zgjidhura, gjithnjë bazuar në efektet që në planin ndërkombëtar i prodhojnë ato. Debati i brendshëm lidhur me çështjen e detit u përvijua në dy linja përçuese dhe përfaqësuese të pikëpamjeve të faktorëve politikë në shtetin shqiptar. Sipas njërës linjë të argumentimit Republika e Shqipërisë po humbiste hapësirën e saj detare (fjala është për opozitën e sotme, e cila më 2009 kishte nënshkruar marrëveshjen me Greqinë), ndërsa sipas tjetrës Shqipëria me rinegocim ajo po fitonte më shumë se sa kishte marrë me marrëveshjen e zhbërë të vitit 2009.
Në këtë kohë rreshtimesh pasionale e anuese, të shoqëruara me debate të nxehta, vjen një qasje racionale, një qasje shkencore, e cila këtë çështje të paqenë e ndërlidh sa me interesimet greke, që qartazi kanë ngritur krye, duke pasur për synim përfitimet në eksploatimin e pasurive natyrore të konstatuara në hulumtimet e viteve të fundit në këto hapësira detare, po aq edhe me nxitimin e palogjikshëm të diplomacisë shqiptare për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore. Në të vërtetë, synimet e këtilla të diplomacisë greke ishin vijimësi e pretendimeve të Kishës Greke për një protektorat mbi popullsinë ortodokse shqiptare, që kishte nisur, në mënyrë të hapur, me precedentin e ndërhyrjes flagrante në Përmet. Mosfunksionalizimi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare si subjekt më vete dhe përpjekjet e pareshtura për helenizimin e komunitetit ortodoks shqiptar gjatë 27 vjetëve të kaluar përbëjnë një vijimësi të ndërhyrjeve në çështje të brendshme të jetës fetare e institucionale në Shqipëri. Këtu duhet shtuar edhe një varg ndërhyrjesh qeveritare greke në raport me punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë, sikurse janë ndarja e saj territoriale, minoriteti grek në Shqipëri dhe mërgimtarët shqiptarë në Greqi. Nga ana tjetër, dobësia e shtetit shqiptar dhe mosveprimi i vendosur, sikundër vëren autori i librit “ka sanksionuar një formë proteksioni grek mbi ortodoksinë shqiptare nëpërmjet legalizimit në protokollin zyrtar të ministrave dhe kryeministrave grekë gjatë vizitave në Tiranë të takimeve të tyre me kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, në një kohë që ata nuk kanë takuar kurrë as Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe as Primatin Katolik të Shqipërisë”. Ndërhyrjet e këtilla diplomatike janë bërë një objekt trajtimi e analize të diplomatit tonë të shquar, ambasadorit Shaban Murati. Duke marrë parasysh edhe raportin e zhdrejtë të marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, hapja e çështjeve të tilla, si kjo e detit, është bërë për interesa të palës e cila në planin diplomatik ishte pozicion më të konsoliduar. Kujtojmë se më 2007, kur nga pala greke u shtruan çështja e detit, fillimisht vetëm si çështje e shelfit kontinental, Shqipëria nuk ishte shtet i NATO-s dhe pozita e saj ndërkombëtare ishte dukshëm më e pafavorshme nga ajo që është sot.
Parë në një kontekst më të gjerë të ndërhyrjes greke në çështje të brendshme dhe në hapësirën shqiptare, Shaban Murati e vlerëson çështjen e detit si një intrigë diplomatike. Dhe për të gjithë është e qartë se intriga është një “veprim që bëhet me qëllim të keq e prapa krahëve të dikujt për ta ngatërruar me të tjerët, për ta futur në kurth a për ta dëmtuar; (intriga është) punë tinëzake dhe e pabesë që dikush e bën për të arritur qëllimet e tij jo të ndershme”. Pra, fjala është për një kurth nëpërmjet të cilit, Greqia, partneri, i deklaruar si strategjik, i Shqipërisë, ndërhyn me qëllim të përfitimeve në dëm të palës së konsideruar si inferiore, pra në këtë rast të palës shqiptare. Autori, me të drejtë, shtron për reflektim të gjerë çështjen e pranimit të Greqisë si partner strategjik, ndërkohë që ajo nuk e ka hequr gjendjen e luftës me Shqipërinë, ndërkohë që ende nuk i njeh kufijtë tokësorë dhe ujorë të Shqipërisë, ndonëse bashkërisht të dyja vendet bëjnë pjesë në NATO.
Disa nga përfundimet më me interes të ambasadorit Shaban Murati për njohësit e fushës, pra për diplomatët, por edhe për opinionin e gjerë, janë këto:
1. Çështja e detit është çështje e paqenë në marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë;
2. Kjo çështje nuk ka ekzistuar si e tillë për gati një shekull të tërë, ndonëse marrëdhëniet dypalëshe në vijimësi janë karakterizuar nga gjendje të tensionuara, madje edhe të luftës;
3. Ambiciet greke për zgjerim territorial në det vijnë si rezultat i hulumtimeve për rezerva të naftës dhe të gazit në hapësirën e pretenduar detare;
4. Këtë çështje, apo më mirë thënë këtë intrigë, e kanë krijuar artificialisht mekanizmat qeveritarë dhe diplomatikë shqiptarë me negocimin dhe nënshkrimin e nxituar të marrëveshjes së vitit 2009;
5. Nënshkrimi i marrëveshjes së detit është akt i pashembullt pazari në dëm të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë;
6. Marrëveshja e nënshkruar është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë më 2010 dhe ky është akti që nga autori vlerësohet si përgjegjshmëri e rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike etj. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e ka hedhur poshtë edhe objektin e marrëveshjes, gjë që, në rrafshin juridik, politik e diplomatik, pamundëson çdolloj rinegocimi të mëtejmë;
8. Kjo marrëveshje e anuluar krijon një vatër të re tensionimi dhe kushtëzimesh të pritura në marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, veçmas parë në prizmin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
9. Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar (nënshkrimi dhe anulimi i marrëveshjes) qeveria aktuale shqiptare dhe ajo greke janë në proces të negocimit të një pakoje çështjesh me interes (ku përfshihet edhe çështja e paqenë e detit) për të dyja palët, por ku nuk është përfshirë çështja çame;
10. Përgjithësisht autori konstaton apetitet e palës greke për rivendikime territoriale në dëm të Shqipërisë, ndërsa tehun e kritikës e drejton kah mekanizmat diplomatikë e shtetërorë shqiptarë, të cilët në këtë çështje u treguan të nxituar, të papërgatitur dhe inferiorë.
Libri “Çështja e detit”, i cili vjen në një format dygjuhësh, shqip dhe anglisht, është një udhërrëfyes i rëndësishëm për diplomacinë, politikën dhe institucionet shtetërore shqiptare përgjithësisht. Është një tekst bazik, të cilin do të duhej ta lexonin dhe, nga i cili do të mund të mësonin shumë përfaqësuesit tanë, veçmas ata që janë të ngarkuar me marrëdhëniet e Shqipërisë me të tjerët e sidomos me fqinjët. Përtej faktit se trajtohet një situatë konkrete, libri me dimensionet e tij të trajtimit shpërfaq dobësitë kronike të diplomacisë sonë.
Një vlerë të shtuar të këtij studimi e përbën edhe aspekti referencial që ka zbatuar autori. Shtojca me disa dokumente kryesore ndërkombëtare për kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, sikundër janë Protokolli i Firences i vitit 1925, pastaj Akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë i vitit 1926, Studimi i kufirit ndërkombëtar Shqipëri-Greqi i Departamentit të Shtetit Amerikan i vitit 1971 etj. dhe Bibliografia pothuajse shteruese për çështjen e trajtuar janë një mbështetje e rëndësishme dokumentare për konstatimet që i gjemë në këtë libër.
Një meritë të veçantë në këtë drejtim e ka edhe botuesi i saj Fondacioni “Alsar” i Tiranës dhe kryetari i tij z. Mehdi Gurra. Botimi dygjuhësh dhe në një format të këtillë teknik është gjithsesi një model që duhet ndjekur edhe nga botues të tjerë.
Duke përfunduar më lejoni të them se Shaban Murati është ndër mendjet më kritike në raport me rrjedhat tona shoqërore dhe veçmas lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Komentet, analizat dhe përfundimet e tij janë rezultat i shqyrtimeve profesionale, i vjeljes shteruese të burimeve, i njohjes së traktateve relevante ndërkombëtare, i qëndrimit të patundur në parime të etikës moderne shkencore, i argumentimit të qëndrueshëm edhe përballë mendjeve më kritike në raport me të. Kësaj duhet t’i shtojmë edhe faktin se autori është ndër shkruesit më të mirë të shqipes nga radhët e diplomatëve tanë; tekstet e tij shquhen për qartësi konceptuale dhe rrjedhshmëri logjike e gjuhësore.
Me dijet nga fusha e teorisë së diplomacisë dhe të akteve bazike ndërkombëtare, me vetëdijen historike, me përvojën e rrallë nga veprimtaria shumëvjeçare diplomatike, me njohjen e kontekstit rajonal e global të ekzistimit të shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve përgjithësisht, mjeshtri i diplomacisë shqiptare, Shaban Murati, na ka ofruar një kontribut të çmueshëm për zgjidhjen e problemeve aktuale kufitare, por edhe një udhëzim për rrugëtim më të sigurt në vorbullat e ardhme të bërjes së diplomacisë.
*Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, 27 Prill 2018.