Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Tragjedia jonë e ka emrin votë e vjedhur

 

Politika është bërë arenë e përplasjeve midis të majtës dhe të djathtës. Kuptohet që të majtën e ka konsumuar pushteti, hallet e shumta me tërmetin dhe tani me pandeminë i kanë krijuar shumë problem, por edhe ajo ka kusuret e saj. Mund të kishte zgjedhur ministra më të mirë e me kualitet e jo ca çapaçulë që iu mungon stofi për të qënë titullarë dikasteresh. Por dhe opozita realisht është duke notuar në ujra të turbullta. E kërkon pushtetin me çdo çmim, madje është gati që ta marri edhe po t’ia japin në tavolinë. Ajo është e përçarë, nën hijen e Berishës me zërin e çjerrë të tij dhe thirrjet dëshpëruese për luftë të ngjajnë me zërin e një kukuvajke që nuk premton kurrësesi asgjë pozitive, përkundrazi e mobilizon më tepër të majtën të bëhet bllok për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme me çdo kusht… E djathta e çoroditur dhe pas asnjë ide konkrete, ka shmangur të gjithë senatorët e vjetër të cilët tani kanë krijuar parti të reja si Topalli apo Patozi. Opozita në vend të nxirrte mësime nga zgjedhjet e kaluara ka futur në listë xhaketa e vjetra tepër të konsumuara  si Ndoka, Dulja, Duka apo Mediu… Kanë filluar akuzat e para për blerje votash dhe manipulim votash madje edhe Presidenti na ka hapur një portal për të denacuar ata që vjedhin votën. Avaz i padëgjuar më pare, por ja që ndodhka edhe kështu, çfar nuk po shpikim… Kush e ka fajin për të gjitha këto?  Të majtë e të djathtë, madje edhe LSI-ja qëndron në ballë…

Ah, moj votë… Sa e pabesë që më je ti moj votë e mallkuar. Si përbindësh që na ke hyrë brenda vetes dhe je prezente në çdo qelizë të ekzistencës sonë, i gëlltit pamëshirshëm të gjitha qytetet, fshatrat, trotuaret, godinat dhe shtëpitë e të varfërve. Në cilët grupe terminologjike gjuhësore je, në atë të besës shqiptare, që ka lindur si institucion juridike-politike me vlera të mëdhaja shpirtërore, apo në atë të neveritshmes? Të kanë hetuar dhe të kanë incizuar pazaret që janë bërë me ty, madje disa peshq të vegjël edhe janë gjykuar dhe janë dënuar sa për spektakël. E bukura është se të gjithë i kanë ngjyer duart me ty si të djathtë apo të majtë me në krye LSI.

Atë ditë, më 25 Prill do të vijnë të të hedhin ty moj VOTË në kuti, shqiptarët, do të vishem si në  ditë feste dhe aty si asnjëherë tjetër do të mbrërrijë policia dhe ushtria si asnjëherë tjetër gjithë soleminitet. Qendrat e votimit do të kthehen në një zonë të rrezikëshme nga ata që duan të prishin zgjedhjet. Por ti moj vote, mos i tradhëto përsëri. Pa na thuaj ç’të kemi bërë, të gjithë neve na ke marrë në qafë edhe pse ne të votojmë për veten tonë, e ti na çon nga të duash vetë, na çon tek deputetë më të paaftë moralisht e intelektualisht, na çon te ata që u intereson paraja, femrat e shampanjë me orgjira nën dritën e qirinjve vezulluesë nëpër jahtet e Malit të Zi apo brekët e grisuar të Shukriut.

Ti moj votë tradhtare nuk i shërben forcimit të vendit, ekonominë jo rrallë herë na e çon në greminë, shpresat na i venit dhe ne marrim valixhet dhe ikim larg larg atdheut tonë të mallkuar, prej zhgënjimit tënd lëmë shtëpinë dhe gjithçka të bukur që kemi ngritur për vite të tëra… Ti na mashtron moj votë, ne të gjitha shpresat e së mirës sonë i kemi në ty, e ti na humb këto shpresat e mirësisë e lirisë, ne të votojmë për të mirën tonë e ju ktheheni kundër popullit tonë, ktheheni në krahë të politikanëve të papërshtatshëm, të cilët janë të korruptuar deri në palcë.

Unë dal të të votoj për veten time, e ti Votë më bëhesh e huaj; si s’të vjen turp pēr pafytyrësinë tënde, dhe pabesinë.

Çuditërisht në këtë çast duke shkruar për Votat dhe votimet tona mu kujtua Shekspiri me dramat e tij tragjike ku vjedhjet, korrupsionet, vrasjet dhe zgjedhjet politike përgatiteshin nëpër zyrat e kancelarive të fshehta që kryheshin tinëzisht pas mesnate, kurse viktimat pasi i burgosnin apo i vrisnin i varrosnin me ceremoni zyrtare.

Votë e dashur, e ke humbur shenjtërinë dhe besnikërinë, je bërë prostituta më e madhe, sa poshtë e ke zbritur çmimin tënd, shitesh për një thes me miell, për një plazmë televizori për të larë borxhet e listave nëpër ushqimore, e keqja më e madhe është se nuk ke më çmimin që ti meriton, pra e ke humbur besimin.

Ti moj Votë e njerëzve të gjallë sa që nuk mund ta mbrosh veten edhe nga të vdekurit, edhe ata luajnë me ty gjatë ditës së votimit, ngrihen nga varri, pa i pyetur fare të gjallët, hyjnë në qendrat e votimit, votojnë e pastaj përsëri kthehen në varret e tyre, njësoj si Konstadini që ngrihej nga varri për hir të Doruntinës.

Tragjedia më e madhe e kohës sonë është Vota jonë, këtë takëm parlamentarësh e pushtetarësh të paaftësh i kemi sjellë me votën ashtu siç sollëm me votë edhe të “shkretin” Shukri… Votë që nuk dihet ku shkon tamam si një prostitutë dhe na ekspozon pamje rrënqethëse.

Shqiptarë, ruajeni votën dhe mos u gënjeni nga lajkat si në  përrallën e ujkut me kecat  dhe mos e shisni veten për një thes miell se një ditë ai thesi me miell do të mbarohet dhe  do të sorollateni rrugëve pa punë, do të vdisni urie dhe e keqja do t’iu  mbyti si një metastazë kanceroze. A i shikoni këto shëmbëlltyra të këqija që kemi mbi kokë dhe na udhëheqin edhe këta kanë ardhur me votë…

Është fakt, politikës shqiptare po i këndon kukuvajka dhe populli ka një gjë të qartë se e gjithë kjo bëhet për të shtyrë në pafundësi vendimet e SPAK për t’i çuar në burgun e Reçit… Ata të pa shpresë do të mundohen për ta çuar vendin në trazira që nuk dihet se ku do të qëndrojë stuhia e cila do të fillojë nga Gjiri i Lalëzit deri tek blloku i vilave qindra milionëshe në Sauk… Por kësaj radhe, thotë një i moshuar nga Mokra, shkaktarët që do t’i mbjellin popullit tonë të varfër ndonjë tragjedi apo përplasje për të shpëtuar lekët e tyre të vjedhura do të kenë fatin e Çausheskut…

 

Please follow and like us: