Albspirit

Media/News/Publishing

Artaud: Van Gogh, ky organist i natyrës, qiellit…

Luan Rama
“Organist i natyrës, qiellit…”. Kështu e quajti aktori dhe poeti francez Antonin Artaud piktorin e tij të dashur Van Gogh. Disa muaj para se ky poet të vdiste, në janar të vitit 1947, një miku i tij i tregoi se në sallat e Orangerie, në kopshtet e Tuileries në zemër të Parisit, ishte hapur një ekspozitë me tablotë e Van Gogh. Madje ai i tregoi se dikush, një kritik, në një artikull me temë “Demonët e Van Gogh”, deklaronte se Van Gogh kishte qenë thjesht një i çmendur. Sigurisht, piktori hollandez kishte prerë veshin, kishte vuajtur nga haluçinacionet, kishte qenë në spitalet psikiatrike si në jug të Francës ashtu dhe në Paris apo klinikën në Auvers-sur-Oise ku do të mjekohej nga doktor Gauchet, të cilin dhe e pikturoi. Por ky artikull e revoltoi shumë poetin, i cili e njihte mirë jetën e gjeniut dhe klithi në mbrojtje të Van Gogh: “Ja si shoqëria i mbyt nëpër çmendi të gjithë ata që e shqetësojnë apo që refuzojnë të bëhen bashkëfajtorë të pislliqeve të mëdha!”…
Pak ditë meë vonë ai shkoi ta shohë ekspozitën me atë revoltë që i ziente përbrenda, sepse edhe ai sapo kishte dalë nga klinika e psikiatrisë, ku në Rodez si dhe në Paris, kalvari i tij rëndohej gjithnjë e më shumë. Në sallën e Orangerie-s ai qëndroi gjatë duke kundruar tablotë e piktorit peizazhet, portretet, «nature morte». Miku që e shoqëroi duke dëgjuar komentet e tij rreth pikturave, i tha se nuk do të ishte keq të shkruante një libër për Van Gogh me mbresat e tij, dhe ai e pranoi këtë propozim. Me tu kthyer, ashtu si një asket, ai u mbyll në shtëpinë e tij dhe gjatë një muaji shkroi një nga esetë më tronditëse dhe më të bukura për Van Gogh, duke e titulluar “I vetvrari i shoqërisë”. Ai e mori në mbrojtje piktorin hollandez duke treguar njëkohësisht se ku qëndronte dhe madhështia e forca e talentit të tij. Po, një i vetvrarë nga shoqëria, e cila nuk e kuptoi artistin e madh. Dhe jo vetëm. Kjo shoqëri ishte një ambient mbytës dhe asfiksues, ku artisti dergjej e vuante dhe ku në momentet e paqta gjatë kohës së përbuzjes ai krijonte artin e madh. Ndoshta Van Gogh nuk do të kishte krijuar vepra të tilla në kushte të tjera, siç jetuan piktorë të tjerë të kohës së tij, impresionistë e post-impresionistë. Van Gogh ndjehej i veçuar, i flakur, mbahej larg banketeve, ngjarjeve festive, çmimeve apo shitjeve, për çka dëshmohet dhe në letrat dërguar vëllait të tij Theo, ku i ankohej vazhdimisht se s’kishte para për të blerë bojra e telajo, se tablotë e tij nuk shiteshin. Vetëm një tablo, “Vreshtat e kuqe”, pati shansin të shitej nga Theo i cili përkujdesej për të vëllain që ai të shihte dritën e vlerësimit të artit të tij. Ja pse dhe vuante piktori duke jetuar në atë trallisje të madhe fizike dhe shpirtërore, me ndjesinë e vetvrasjes, duke tentuar zhdukjen e tij nga kjo botë, siç dhe do ta bënte në Auver-sur-Oise në 1890. Ai nuk donte të ishte një barrë e përjetshme për vëllain e tij. Edhe Artaud përjetonte të njëjtën gjë. Edhe ai një artist i vetmuar. A nuk e vrau shoqëria dhe familja skulptoren të dashurën e Rodin, Camille Claudel? Vetëm kur ajo vdiq, 30 vjet pas shfaqjes së saj të fundit në publik, aristokracia intelektuale tha e habitur: “Çudi, Camille Claudel paska qenë gjallë!?” Edhe miku i tij i dashur Gaugain ishte larguar nga Parisi për të humbur në cep të botës dhe për të sjellë diçka të re.
Që të mos humbte mendjen totalisht, Artaud mbante gjithnjë një pasqyrë që të shihej në të, dhe që të ishte i ndërgjegjshëm se ishte gjallë dhe se jetonte akoma. Të kërkosh një pasqyrë që të mos vdesësh!…
Eseja e Artaud është e rrallë. Këto vitet e fundit Muzeu i Orsay-t, hapi një ekspozitë “Van Gogh i vështruar nga Artaud”, çka bëri të flitej për poetin dhe aktorin e viteve ’30-‘40. Eseja është revoltuese dhe hera-herës e pakuptueshme për vetë gjendjen e tij (çka na kujton «Ditarin» e balerinit të famshëm Nizhinski) e megjithatë ai arrin ta kapë thelbin e piktorit dhe ta shprehë atë. “Van Gogh është një i çmendur? – pyeste ai. – Ai që ka ditur të shohë një ditë nje fytyre njerezore, në portretin e Van Gogh veshtron vetveten. I pikturuar nga Van Gogh, tejet i vetedijshëm për këtë, si një kasap kuqalosh, portreti na vëzhgon dhe na ndjek, me një vështrim të rreptë. Unë nuk njoh asnjë psikiatër që të dijë të shohë një fytyrë njerëzore me një forcë kaq dërmuese sa ta shprehë në mënyrë të pakundërshtueshme nën presën e hollë të psikologjisë…»
Jo, Artaud ishte i kthjellët kur shkruante se “Van Gogh nuk vdiq nga deliri mental dhe se ai ishte viktimë e shoqërisë”. A nuk kishte ndodhur kështu dhe me poetin Arthur Rimbaud, të adhuruarin e Artaud dhe të gjithë poetëve të botës. Edhe poetin Rimbaud shoqëria e poetëve parnasianë nuk e përfillën, madje e përbuzën, duke e parë si një rrugaç dhe bohem të prapë. Kur ai solli në Paris vëllimin e tij të parë poetik që parnasianët ta lexonin, djaloshi nga Ardenes, u zhgënjye me ftohtësinë e tyre, sepse të gjithë i kthyen krahët. Vetëm Paul Verlaine e kuptoi atë dhe e deklaroi hapur gjeninë e poetit të ri, shfaqjen e një « profeti ». Ja pse Rimbaud u largua nga Franca, pasi shoqëria nuk e kuptoi artistin, duke e detyruar atë të ikte sa më larg e të humbiste në shkretëtirat e Amanit dhe të Arabisë, ta braktiste përfundimisht poezinë, gjersa do të vinte me këmbën e gangrenzuar pas shumë vitesh në Francë dhe vitin e fundit, para se të vdiste, do të shkruante vëllimin e famshëm poetik “Një stinë në ferr”. Vetëm atëherë parnasianët thanë: “Pse vallë, ende qenka gjallë Rimbaud?”
Kështu ndodhte dhe me Van Gogh të cilin shoqëria nuk e kuptoi. Vetëm i vëllai i tij, Theo, e ndihmoi dhe u përkujdes për të. Ai e kuptoi gjeninë e të vëllait dhe ishte i bindur se një ditë arti i tij do të njihej si një nga kulmet e veprës pikturale në historinë botërore. Në një leteër dërguar Theos më 22 tetor 1882, të cilën Artaud e citon në esenë e tij, Van Gogh i shkruante: “… Si t’ia dalësh mbanë? Duhet të kalosh midis një muri hekuri të padukshëm që duket se është vendosur midis asaj çka ndjen dhe asaj sa mundesh. Si duhet kapërcyer atëherë ky mur, pasi nuk ia vlen të godasësh fort, por ky mur duhet minuar dhe kaluar sipas meje duke përdorur limën, pra ngadalë dhe me durim…»
Ajo çka e trondiste Artaud në esenë e tij rreth pikturës së Van Gogh ishte ajo dinamikë e vërtetë brenda pikturës, peizazhit, siç e shohim në tërë veprën e tij; ato linja që ai i shihte në një konvulsion e sipër e që padyshim ishte dhe shprehje e konvulsioneve të tij shpirtërore. «Piktura e pastër lineare e piktorit, – shkruan Artaud, – prej kohësh më ka shqetësuar që kur unë pikëtakova Van Gogh, i cili pikturonte jo linja e forma, por elemente të natyrës inerte në një konvulsion e sipër… Askush, asnjëherë nuk ka shkruar, pikturuar, bërë skulpturë, modeluar, ndërtuar, shpikur, veçse për të dalë nga ferri që përjeton. Dhe unë pëlqej më mirë të dal nga ferri dhe natyrat nga ky aksion i qetë konvulsiv sesa kompozimet gëluese të një Breughel (Plaku) apo Jerome Bosch e që përballë tij janë artistë të njohur, aty ku Van Gogh është veçse një i paditur i mjerë, i cili nuk duhet të gabojë…»
Ngjyrat e Van Gogh, poetit i duken të vrazhda, por me një fuqi të jashtëzakonshme, pasi ai nuk pikturon si piktorët e tjerë, ku ngjyra por dhe linjat janë disi akademike, të ftohta dhe pa atë energji të brendshme që do duhej të kishte piktura. «Ajo që më bije në sy më shumë tek Van Gogh, – shton ai, – është se ai është më piktori i piktorëve, duke shkuar më larg se ajo që ne e quajmë pikturë, pa tejkaluar tubin e bojës, pa dalë nga kuadri i motivit dhe i telajos për të mbërritur tek tregimi, drama, aksioni i imagjinuar në bukurinë e qenësishme të subjektit apo objektit gjer në atë shkallë, si në një tregim përrallor i Edgar Poes, Herman Melville, Nathael Hawthorne, të një Gerard de Nerval, Achim Arnim apo të një Hoffman, të cilët nuk na thonë më shumë në planin psikologjik e dramatik se sa tablotë e tij që kushtojnë veç ca para e ku gjithçka në ato tablo të menduara mirë është vendosur heshturazi e në mënyrë patetike. Ngjyra e vrazhdë e tyre është aq e saktë dhe e vendosur me aq dashuri, saqë nuk ka gurë më të çmuar që mund të arrijnë vlerën e atij arti të rrallë.
Dhe ballë këtyre peizazheve të forta, plot konvulsion, siç shprehet ai, ballë asaj fushe me grurë dhe qiell të ngarkuar, si tek “Fushë gruri me korbat”, ku korbat hallakaten si në prag të stuhisë, Artaud ngazëllehet dhe klith njëkohësisht, pasi është pikërisht ajo që asnjë piktor tjetër deri në atë kohë, nuk kishte arritur të kapte thelbin e afrimit të stuhisë. «Përballë një shoqërie njerëzore majmunësh të poshtër e qensh të lagur, piktura e Van Gogh ka qenë ajo e një gjendje momentale ku ai nuk kishte frymë, shpirt, ku ai nuk kishte ndërgjegje, veçse disa gjëra elementare të kapura mes tyre apo pastaj të hallakatura. Peizazhe konvulsionesh të forta, trauma të përdhunshme, si në një trup që ethet duan ta shërojnë… Shikojini mirë peizazhet e bukura të Van Gogh, ato paqësore apo të shqetësuara, në konvulsione apo të paqtuara. Eshtë gjendja normale midis dy etheve të nxehta që do të kalojë. Eshtë ethja midis dy nismash të një trupi të paqtë në revoltë. Një ditë, piktura e tij plot ethe dhe gjendjen e një shendeti të paqtë do të shfaqet për të hedhur në ajër pluhurin e një bote të burgosur që zemra e tij nuk mund ta durojë…”.
Por le ti rikthehemi përsëri tablosë së fundit “Fushë gruri me korba” që pikturoi dora e piktorit në vitin 1890, pak para se të vdiste, në kohën që vuajtjet e tij shpirtërore po e vinin poshtë e më poshtë, gjersa në kthim, në perëndim, pikërisht në atë fushë gruri plot korba, ai kishte qëlluar veten… Përballë kësaj tabloje, i mahnitur dhe i pushtuar nga ajo, në kthim, në muret e errta të shtëpisë, Artaud do të shkruante: “Van Gogh është një organist i një stuhie që ka ndalur dhe që paqtohet në natyrën e kthjellët midis dy tronditjesh si dhe vetë Van Gogh; kjo natyrë tregon më së miri se është gati të ndryshojë. Pasi e ke parë këtë pikturë, mund ti kthesh krahët çdo tabloje. Ajo s’ka më ç’të thotë. Drita e stuhishme e piktorit Van Gogh nis rrëfimet e saj të errta në çastin kur ne nuk e shohim më. Dhe këtë e bën veç piktori, Van Gogh dhe askush tjetër, filozof, mistik, rit, “psikurgji” apo liturgji, asnjë histori, letërsi a poezi, por… për të kuptuar një stuhi të natyrës, një qiell të stuhishëm, një fushë mes natyrës, nuk mund të mos i rikthehemi piktorit Van Gogh…”
“Fushë gruri me korba”, mbetet padyshim tabloja më emblematike e Van Gogh, çka e kishte vënë në mendime te thella poetin Artaud. Ato penelata të vrazhda, apo siç janë në tablonë tjeter “Pasioni” në formë rrethore, të japin ndjesinë e fortë të afrimit të stuhisë. Ajo fushë gruri, me atë qiell të trazuar që rëndon mbi të, me atë lëvizje korbash që enden të hallakatura në prag të arratisë, na bën madje të imagjinojmë krokëllimat e tyre dhe të themi se askush tjetër në botë nuk do ta krijonte një tablo të tillë.
Kur mbaroi esenë “I vetvrari i shoqërisë”, Artaud e prezantoi atë në teatrin e njohur parisian pranë kishës “Saint Sulpice”, “Le Vieux Colombier”, në praninë e elitës artistike franceze si Camus, Breton, Picasso, Braque, Michaux, Audiberti e shumë të tjerë. Fjalët e Artaud dhe gjendja e tij e eksituar i la gojëhapët ato shpirtra të ndriçuar, te cilët ishin në një mendje me Artaud. “Jo rrallë shoqeria nuk e kishte mbrojtur artistin dhe aq më shumë pushtetet, aq sa për një çast, ne shqiptarëve na kujton vargun e fuqishëm të Migjenit “Si nuk kam një grusht të godas…” apo shkrimtarë që i futën në spitalet psikiatrike në kohën totalitare.
Please follow and like us: