Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Dashuritë e penguara tek Markez, Dante dhe Fitzgerald 

Shumë bukur e ka trajtuar temën e dashurisë zonja Iris Halili tek romani i Maquez-it, “Dashuria në kohërat e kolerës”! Qëndrojnë te gjitha pyetjet dhe argumentet që ajo ka shtruar dhe zbërthyer duke cituar edhe From e Frojdin gjithashtu. Dy janë arsyet themelore, shkaqet pra sipas meje, çfarë e shtyu personazhin Florentino Ariza të priste për 53 vjet, 7 muaj dhe 11 ditë për të arritur më në fund t’i shprehte akoma dashurinë dhe besnikërinë e tij Fermina Dazës. E para arsye është se gjatë adoleshencës, eksperiencat e para të dashurisë lënë gjurmë të forta në psiqikën e njeriut, dhe e dyta, është kjo mospërfillje e vazhdueshme, është kjo përbuzje dhe injorim i gjatë i Ferminës, kundrejt tij. Arsye që nuk bën asgjë tjetër veç se ia ngre mendjen gjithnjë e më shumë Florentino Arizës, partnerit të refuzuar në rininë e hershme. Ai, jo vetëm që nuk heq dorë të presë, por ai bën të kundërtën. Ai është i bindur se ajo, jo vetëm vazhdon ta dashurojë fshehurazi, por ai një ditë do t’ia arrij qëllimit ta ketë atë. Dhe pritja e tij nuk është pritja e një fatkeqi. Eshtë pritja e gjatë e një dashnori të rregjur tashmë, i cili nuk beson më as tek familja, por as edhe nuk heq dorë nga ëndërra e tij e marrë. Ai në mënyrë instiktive shkon drejt të pamundurës. Ai e ndjen se tek e pamundura qëndron edhe sfida më e fortë dhe e vetme e jetës së tij. Florentino Ariza, bëhet viktimë e një iluzioni? Ndoshta! Nuk jam i sigurtë. Por iluzioni i tij është shndërruar tashmë në një ëndërr të madhe, që e mban atë përherë gjallë dhe me shpresë. Ëndërra e tij e ndaluar, pulsionet seksuale të ndrydhura, bëhen vetë motorri që vë në lëvizje jetën e tij. Dhe ëndërrat e mëdha, gjithmonë e dërgojnë njeriun drejt realizimit të së pamundurës. Nuk ëndërroi të pamundurën Aleksandri i madh? I cili edhe pse dështoi, ai arriti të realizonte, të shkonte aq larg me vizionin e tij sa (ku) asnjë njeri tjetër nuk kish shkuar më përpara.

Për të mos dalë nga tema, atëherë do të thoja se është ky jokonsumim mashkullor i një pasioni rinor, lënda e parë, fuqia lëvizëse e historisë së Markezit. “Sa më shumë pengohej, aq më shumë ai binte në dashuri”, thotë autori. Kemi edhe raste të tjera sublimimi ideal në letërsi të dashurisë si Martin Iden, Tonio Krëger, Silvie i Nervalit, deri tek Don Kishoti etj, por unë do të merrem me Markezin, Danten dhe Fitzgeraldin. Dante, duke sublimuar dashurinë e pakonsumuar, ndryshe nga Florentino Ariza, i cili as do t’ia dijë për qiellin dhe parajsën, por do veç thjesht të realizojë ëndrrën e tij dashurore të penguar në rini, Dante pra, e sheh dashurinë platonike, idilike si pedanë nga ku ai mund të njohë Perëndinë. Pra Beatriçja e Dantes, është po! Vajza hyjnore me të cilën Dante nuk arriti të konsumojë, por është edhe motorri i vetë jetës për të. Beatriçja është aq e lartë nga vlerat morale, (me siguri Dante e ekzagjeron) sa ajo as nuk mund të preket nga përkëdheljet erotike të një burri. Por Dante ka të drejtë në një pikë. Vetëm hyjnorja e femrës, mund ta kompletojë një mashkull. Pa hyjnoren e femrës, një mashkull nuk mund të njohi kurrë asnjë parajsë, asnjë ndjesi ngazëllimi apo lumturi të plotë, asnjë kënaqësi erotike apo shpirtërore. Falë pra, vetëm shigjetës së Kupidit, mashkulli arrin kuptimin dhe tërësinë e tij të plotë. Nëqoftëse Markezit, tek romani i tij në fjalë i intereson jeta në tokë. I intereson të na tregojë se si një fiksim rinor, mund t’ia rrënojë jetën një mashkulli, tek Dante, femra Beatriçe është pra pedana, trampolina që e dërgon atë drejt e tek dashuria e Perëndisë. Tek hyjnorja. Sublimimi që i bëjnë femrës që të dy rastete përmendura, është një sublimim ekstrem. Nga këto dy raste të shqyrtuara, del si përfundim se vetëm mashkulli bën marrëzira në dashuri. Dashuron pra aq pafundësisht, sa njëri gjeti Perëndinë, kurse tjetri, priti në heshtje për më shumë se 50 vjet dhe më në fund, në pleqëri ia arriti qëllimit.

Një rast tjetër për t’u marrë në shqyrtim në letërsinë botërore është edhe historia “Gatsby i madh” shkruar nga Skot Fitzgerald. Edhe Gatzbyt pak a shumë i ndodh e njëjta gjë. Pas një premtimi dashuror në rini, ai largohet nga Daisy për t’u bërë dikushi në jetë, por ajo nuk e mban premtimin dhe lidhet me një tjetër. Pas shumë vitesh, Gatsby, i hidhëruar, por tashmë i pasur, e kërkon sërish vajzën e dikurshme, e cila është tashmë e martuar. Por ai, ndryshe nga i heshturi dhe paqësori Florentino, i cili nuk hakmerret. Nuk thur intriga për ta ndarë nga Fermina të shoqin e saj Juvenal Urbino, por hesht dhe pret për 50 vjet rresht, Gatsby është i hollë dhe shumë dinak. Ai bëhet i pasur, hyn në sferat e larta të shoqërisë amerikane vetëm për të impresionuar Daisyn. Ai e josh të dashurën e largët Daisy, i vjen rrotull pak nga pak derisa e bën atë të ndjehet e ulët. Sepse ajo nuk e ka pritur gjatë tërë atyre viteve. Por edhe në rastin e tretë. Tek romani “Gatsby i madh”, motorri i ngjarjes është dashuria a pamundur. Ëndërra e një dashurie të madhe. Kam sjellë pra tre variante, ku motorri, shtysa e fuqishme e jetës është pulsioni erotik. I pari, Florentino i cili sa më shumë ajo e përbuz dhe e injoron, aq më shumë ai shpreson se një ditë… Në rastin e dytë, shtysa, motorri që vë në lëvizje Danten, përveç jokonsumimit seksual, (Beatriçe edhe Dante, edhe po të kishin dashur, ata nuk mund të martoheshin bashkë sepse familjet e tyre fisnike, i kishin fejuar ato me partnerë të tjerë që në moshë fare të njomë). Dante pra, përveç moskonsumimit e mbajti të gjallë idenë sublime të femrës së lartë moralisht gjatë gjithë jetës së tij. Pati një ide aq të lartë, (Beatriçe vdiq 24 vjeçe, në lindje,) sa e vuri atë në të njëjtin rang me Marien e shenjtë. Ndërsa në rastin e tretë. Gatsby, i cili u pasurua vetëm në emër të dashurisë për Daisyn, e arriti atë, duke e joshur me luksin e tij. Pozicioni i lartë shoqëror, të cilin Gatsby e arriti me kontrabadë, bëri që e dashura e dikurshme, jo vetëm t’i pranonte, duke e braktisur të shoqin, por e bëri Daisyn të ndjehej edhe në faj. Të ndjehej keq moralisht. Pra motorri, shtysa kryesore që vë në lëvizje jetën e Gatsbyt është prap dashuria.

Kemi pra tre raste tipike, ku moskonsumimi i dashurisë, shndërrohet tek personazhet meshkuj, në një motorr të fuqishëm ëndërre që i bën personazhet të ndërmarrin vepra gjigande. Po kështu edhe tek Martin Iden, kur dashurohet me motrën e vogël të Arturit, Ruth, ai i vihet punës seriozisht të studjojë, të mësojë sjelljet e shoqërisë së lartë për të qenë i denjë, një ditë për Ruthin. Gjithashtu edhe tek Tonio Krëger gjejmë sublimimin e dashurisë platonike. Idilin romantik të dashurisë së idealizuar. Por nëse Don Kishoti dashurohet me një figurë vajze kryekëput imagjinare, (situata është tepër tallëse), tek autorët e tjerë kemi pra, sublimimin e ndjenjës së dashurisë së pakonsumuar. Po del në pah pra se pulsionet seksuale, bashkë me ambicjet për pushtet dhe arritja e mirëqenia materiale, na qënkan edhe shtysat më të forta të cilat vënë në lëvizje njeriun, shoqërinë, botën. Kur Erik From, siç e përmend bukur edhe profesoresha Iris Halili, thotë se në dashurinë sentimentale objekti dashuror është idilik, platonik, aty Fermina ishte dashuruar më shumë me idenë e dashurisë se sa me atë vetë. Ajo ëndërronte më shumë mbi atë çka donte tek objekti dashuror se sa tek ai vetë. Ndërsa tek personazhet meshkuj del se dinamika e brendshme, pulsioni seksual është më i thellë dhe i koklavitur. Që të tre personazhet që kam marrë në shqyrtim, nuk dorëzohen. I pari pret më shumë se 5 dekada. I dyti është i bindur se do ta takojë atë në parajsë, ku ajo e pret me përkushtim. I treti, Gatsby e arrin Daisyn duke e joshur jo vetëm me sharmin e tij, por sidomos me shkëlqimin dhe pozicionin social të par rezistueshëm që ai ka arritur tashmë në jetë. Vetëm dhe ekskluzivisht në emër të saj. Në të tre rastet marrë në shqyrtim kemi vetë forcën e brendshme, motorrin që vë në lëvizje vetë shoqërinë. Ashtu sikundërse zhvillimet më të fuqishme ekonomike në Amerikën e 1900-ës ndodhnin gjithmonë pranë bordellave më të mëdha, edhe këtu tregohet forca e madhe lëvizëse jo vetëm e femrës në shoqëri, por e pulsioneve seksuale që ajo nxit. E cila është një energji, një pushtet i paparë që vë në lëvizje një shoqëri të tërë. Dhe e bën atë të eci, të zhvillohet, të luftojë, të ëndrrojë.

Markezi pra, me romanin e tij arrin të hulumtojë jo thjeshtë një obsesion rinor mbi dashurinë. Ai heton palat e padukshme të dashurisë, nuancat dhe forcën ëndërruese të saj. Një forcë aq e hatashme sa i bëri grekët të luftonin për dhjetë vjet me radhë poshtë mureve të Trojës.

Please follow and like us: