Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Jakov Milaj, personalitet i shquar në studimet historike, etnografike dhe antropologjike

Pertefe Leka

https://javanews.al/dr-jakov-milaj-personalitet-i-shquar-ne-studimet-historike-etnografike-dhe-antropologjike/

Jakov Milaj, erudit i njohur në botën intelektual shqiptare

E kam njohur në vitin 1993, kur erdhi në Tiranë, i ftuar nga znj. Drita Ivanaj në konferencën përkujtimore kushtuar prof. dr. Mirash Ivanajt, figurë madhore e arsimit kombëtar dhe “Martir i Demokracisë”. Dr. Milaj mbajti një fjalim të gjatë nga kujtimet për mësuesin e tij të nderuar dhe drejtorin e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, prof. dr. Mirash Ivanaj. Fjalimi publikohet për herë të parë, marrë nga dorëshkrimi i imët, por shumë i bukur e me estetikë, në 10 fletë të bardha, pa vija, shkruar nga një 83-vjeçar. Përveç këtij dorëshkrimi me shumë vlerë për arsimin, zoti Milaj dërgoi me fax edhe një biografi të shkurtër për B. Merxhanin, bashkudhëtar në mërgim me M. Ivanajn, ku sqaroi shumë enigma rreth jetës së Merxhanit në Shqipëri. Dr. Milaj në atë mbledhje u nderua në podium përkrah bashkëvuajtësve, Pjetër Arbnorit, Osman Kazazit etj. dhe ministrat e Arsimit z. Xh. Teliti, z. V. Minarolli. Gëzimin më të madh e mori nga shokët e tij, bashkënxënës të gjimnazit, edhe ata të moshuar, që i erdhën nga Shkodra, të organizuar nga prof. dr. Mentor Quku, me rastin e 109-vjetorit të lindjes.

Një biografi e shkurtër

Dr. Jakov Milaj lindi më 30 mars të vitit 1912 në Fier. U shkollua në gjimnazin e Shkodrës. Deri në vitin 1931 ka drejtuar shoqatën kulturore “Besa Shqiptare”, kur ishte student në këtë gjimnaz. Punoi si mësues në qytetin e lindjes, sekretar komune në nënprefekturën e Kolonjës; si redaktor në organe të ndryshme të shtypit; si te “Vatra” e Timo Dilos dhe te “Përpjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit. Dr. Milaj shkruante artikuj në fushën historike, etnografike e antropologjike. Në vitin 1934 i është dhënë e drejta e studimit në Universitetin e Torinos për veterinari. Atje i forcoi edhe më shumë lidhjet me Migjenin, të cilit i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. I ndërpreu përkohësisht studimet universitare në vitin 1935, sepse mori pjesë në kryengritjen e Fierit, ku u dënua me burgim të përjetshëm. Pas ndërhyrjes së organizmave ndërkombëtarë do të falej dhe do të shkonte në Itali për të vazhduar studimet e lëna përgjysmë. Në ditët më kritike të Migjenit i qëndroi pranë atij dhe motrës në Sanatoriumin e Tore Feliçes, prej nga solli edhe fjalët e fundit të mikut të zemrës dhe disa nga dorëshkrimet e fundit të Migjenit. U kthye në Shqipëri në vitin 1939 pas diplomimit me resultate të larta. Punoi në institucione zyrtare dhe në qeverinë e Maliq Bushatit për pak kohë si ministër i Bujqësisë. U largua shpejt nga kjo detyrë duke dhënë dorëheqjen, sepse kërkoi që pyjet tona të ishin nën kontrollin shqiptar dhe jo të milicisë italiane.

Pas çlirimit vazhdoi kalvarin e vuajtjeve. Në vitin 1945 arrestohet dhe pas burgimit internohet së bashku me familjen në Shtyllas të Fierit dhe më vonë punoi për të mbijetuar dhe jo atje ku i takonte, për të punuar për progresin shqiptar. Vlen për t’u përmendur kryevepra e tij, “Raca shqiptare” botuar në vitin 1944. Kjo vepër është e para monografi e shkruar nga një autor shqiptar, për të cilën Dr. J. Milaj shkruan te parathënia: “Të përgatitësh një studim anthropologjik e historik pa qenë as anthoprolog, as historian duhet të keshë shumë guxim. E këtë guxim e mora pse desha të plotësoj me sa që e mundur një nevojë të madhe shpirtërore, një mungesë që duhet ta ketë ndjerë shqiptari: njohjen e vetvetës… Thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve që ai shtet mban në gji, prej shpirtit që i jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre… Ky studim nuk është bërë për t’u marrë me racizëm në kuptimin politik-filozofik… Qëllimi i hartimit të kësaj vepre ka qenë që të nxjerrë në shesh disa të vërteta, gjer më sot të panjohura mbi racën tonë dhe t’u jap shkas atyre që e ndjejnë veten të zotin për t’u marrë më tepër me biologji e antropologji… Populli arbëror ka një origjinë të vetme e të përbashkët, është autokton në të gjitha viset ku banon sot… Njësia e racës duhet të ketë rëndësi të madhe për kombin tonë, pse nga kjo rrjedh diçka e rëndësishme: divergjencat mendore e shpirtërore ndërmjet shqiptarëve duhet të jenë shumë të vogla, aspiratat kombëtare të përbashkëta… Jemi të gjithë bij të një race të vetme, jemi vëllezër; shpejt do t’i njohim gabimet që kemi bërë e do t’i kërkojmë ndjesë shoqi-shojit, gjaku ujë s’bëhet… Qëllimi i kësaj vepre ka qenë që lexonjësi i thjeshtë të nxjerrë disa të vërteta rreth racës së tij, të dijë se midis tij dhe atyre që flasin një gjuhë me të nuk ka asnjë ndryshim gjaku e, pra, ta njohë shqiptarin që prej Mitrovice e gjer në skajin më jugor të Çamërisë si vëllanë e vet”. Janar 1944, J. Milaj.

Shembulli më i lartë që i përgjigjet këtij studimi ishte Nënë Tereza, e cila, edhe pse larguar prej vendit të origjinës, pohon me krenari: “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane, jam murgeshë katolike”. Është një mësim për të gjithë sot, kur bota shqiptare është më e vetëdijshme për autoktoninë dhe vetëdijen kombëtare, të shpresojmë që të realizohet sa më shpejt në Europën e Bashkuar, siç e thotë dr. Milaj: “Populli arbëror, me një origjinë të vetme”.

[…]

Fjala e mbajtur në konferencën përkujtimore kushtuar prof. dr. M. Ivanajt, 23 shtator 1993 me rastin e 40-vjetorit të vdekjes

***

Jakov Milaj për M. Ivanajn

Nga fjala e mbajtur me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së prof. dr. Mirash Ivanaj.

Shtator 1993, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë

 

Është e rregullt që ndokujt që vjen nga larg t’i urohet mirëseardhja! Dhe ne sot kështu duhej të vepronim dhe bashkë me urimin t’i kujtonim patriotes sonë të nderuar, zojushës Ivanaj, dy vargje të poetit tonë, Çajupit: “Ku më duket balta, më e ëmbël se mjalta! Në Shqipëri!”

Por sot rasti është i veçantë. Bashkë me urimet e përzemërta duhet të kujtojmë edhe diçka të hidhur: jemi mbledhur që të nderojmë edhe 40-vjetorin e vdekjes së mësuesit tonë të shkëlqyer, dr. Mirash Ivanajt, njërit nga pedagogët më të mirë e njërit prej patriotëve më të mëdhenj që ka nxjerrë Arbëria jonë. Ky është ungji i zojushës Drita, që na ka nderuar. Unë kam pasur fatin të kem qenë për 5 vjet nxënës i tij. Jam edhe një nga nxënësit më të vjetër që ai ka nxjerrë (po mbush afër 83 vjeç). Dhe, prandaj, ju lutem, të mos mërziteni nga ky fjalim, ndofta pak i gjatë, që ka të bëjë me kujtimet që unë kam për të përmendur.

Kanë kaluar plot 62 vjet nga koha kur kam marrë maturën e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër.

Përshtypja e parë që të lë një njeri kur e sheh në fillim është paraqitja e jashtme. Drejtori, të cilit iu paraqita në shtator të vitit 1926, ishte madhështor. Të linte përshtypjen e malësorit nga e kishte origjinën. Megjithëse i ri, dukej pak i kërrusur, ndofta pse të shumtën e kohës e kalonte mbi libra, duke studiuar.

Ishte tepër i thjeshtë në sjellje e në veshje. Dukej sikur ishte i ashpër me nxënësit. Kurrë, përkundrazi, ishte shumë i dashur. Ndiqte me interes përparimin e tyre. I qortonte ndonjëherë të dobtit, por nuk përtonte të afronte e të këshillonte edhe të aftët dhe t’i nxiste këta që t’i  ndihmonin, por siç e thonë tani, t’i merrnin në patronazh ata që ishin më prapa.

Në vitet e para të krijimit të Gjimnazit Shtetëror të Shkodrës, shumica e pedagogëve nuk ishin aq të aftë, sepse disa kishin mbaruar vetëm shkolla të mesme në gjuhë të huaja. Ndonjëherë mungonin edhe mësuesit e përgatitur, qoftë edhe gjysmakërisht, për ndonjë lëndë. Atëherë mësimin e tyre e merrte përsipër vetë drejtori. Sado që në fakultet kishte studiuar filologji e jurisprudencë, në klasa të ndryshme ai jepte ku filozofi, ku histori, ku latinisht ose greqishte të vjetër e ku fizikë e matematikë. Një profesor matematike, Anton Deda, thoshte; “Drejtori është më i aftë se unë, për të dhënë edhe lëndët e ndryshme e të matematikave, në të cilat unë kosiderohem kompetent”.

Kishte pak miq në Shkodër dhe rrallë e shikoje nëpër kafene, vetëm kur i vinte nga Tirana i vëllai, juristi dr. Martin Ivanaj, ose kur zbriste nga mali e motra, një grua trupmadhe si vëllezërit e veshur me kostumin karakteristik të mbi-Shkodrës. Ai me këta shëtiste në rrugë të madhe dhe pinte birrë ose ndonjë pije tjetër në Kafen Adriatik (Kafja e Madhe), që ishte në atë kohë kafja më e mirë e qytetit.

Përjashtim bënin ditët e garave sportive, në të cilat Gjimnazi Shtetëror rregullisht fitonte ndaj shkollave të tjera. Këto gara i kushtonin shumë drejtorit tonë, sepse ai shpenzonte nga xhepi i tij për të blerë disa nga veglat e nevojshme sportive, si litarë, topa etj., për të cilat deri në mbarim të vitit shkollorë 1927-1928 nuk sigurohej asnjë fond nga shteti; gjithashtu edhe se pastaj, në mbarim të garave, nga gëzimi ai u shtronte darkë të gjithë profesorëve dhe paguante vetë për të gjithë.

Pengesë e madhe për zgjerimin e shpejtë të shkollës sonë ishte fanatizmi fetar, që ndrydhte shpirtrat e myslimanëve dhe të katolikëve. Ndërsa për katolikët u desh kohë që të afroheshin me shkollën laike, për muhamedanët puna qe më e lehtë. Këtë e ndihmoi një koinçidenë që unë e pata dëgjuar edhe kur isha nxënës në Shkodër, edhe nga goja e një miku serioz të drejtorit, nga goja e Demir Vilës, me të cilin kishim qenë bashkënxënës në Romë.

Kur në qershor të vitit 1924 kryengritësit u futën në Shkodër, Ivanaj, si kundërshtar i tyre, la shtëpi e katandi dhe iku rrëmbimthi vetëm me rrobat e trupit në Mal të Zi, u vendos në Podgoricë. Pas disa ditësh, një komision i ngarkuar nga Prefektura erdhi për të sekuestruar mallin e të arratisurve politikë, hyri në dhomën e tij dhe, për çudi, gjeti te krevati Kuranin.

Anëtarët myslimanë të komisionit mbetën të shtangur nga kjo e papritur dhe ngulën këmbë që teshat e tij të mos prekeshin. Nga kjo u detyruan të tërhiqeshin edhe anëtarët e tjerë. Dolën nga dhoma, e vulosën derën me dyll dhe, kur u kthye Mirashi pas gjashtë muajsh, i gjeti të paprekura teshat e pakta, librat, si dhe Kuranin nën jastëk, me një fletë që kishte përkthyer vetë kur u largua nga shtëpia.

Shënimet që mbante nga leximi i Kuranit ishin për të parë ndikesën që kishte pasur e drejta romake në sherihatin.

Kjo ngjarje bëri bujë në gjithë Shkodrën dhe të gjithë myslimanët filluan ta adhuronin. Kur Mirash Ivanaj mori drejtimin e Gjimnazit Shtetëror, shumica e tyre i dërguan fëmijët me dëshirë të madhe për t’u edukuar nga ky dijetar që “kishte lexuar edhe Kuranin”… Dhe filluan të zbatonin pa nguruar porositë e tij.

Kur unë shkova për herë të parë në Gjimnazin e Shkodrës (1926), nxënësit mbanin në kokë, edhe gjatë orës së mësimit, fesa të zeza.

Në shtator të vitit 1927, para fillimit të regjistrimeve, drejtoria ngjiti në hyrje të shkollës një urdhër me këtë përmbajtje:

“Të gjithë nxënësit që dëshirojnë të regjistrohen në Gjimnazin Shtetëror duhet të kenë parasysh se në klasë do të qëndrojnë pa kësulë në kokë”. Asnjëri nuk e kundërshtoi këtë kusht.

Pushimet javore ishin të gjata në shkollën tonë. Veç së dielës, ditën e mërkurë dhe ditën e premte bëheshin vetëm nga tri orë mësim, për arsye të ditës së pazarit dhe të festës javore myslimane. Për të kufizuar pushimet, në fillim të vitit shkollor 28-29, varet një shpallje tjetër në derën e shkollës: “Nxënësit që dëshirojnë të ndjekin Gjimnazin Shtetëror duhet të kenë parasysh se të premten mësimet do të zgjasin gjithë ditën”. Si për çudi, asnjë nxënës nuk nguroi të regjistrohej. Natyrisht, evolucioni i mendjes ndaj kulturës bënte punën e vet, por besimi në ndershmërinë, seriozitetin e patriotizmin e udhëheqësit të këtij institucioni pati shumë rëndësi për të bindur popullatën se rruga që ndiqte ai ishte e vetmja rrugë për përparimin e njerëzve.

E gjithë puna që ka kryer Mirash Ivanaj në shkollë ka qenë punë patriotike. Për patriotizmin e tij flasin edhe këto dy fakte:

Më 28 nëntor 1927, nga nxënësit e Gjimnazit tonë u bë demostrata kundër Bankës Kombëtare sepse në ballkonin e saj flamuri ynë ishte vendosur në krahun e majtë, kurse flamuri i huaj në të djathtë. Ky gjest përbuzës i të huajit ndaj nesh ngriti peshë zemrat e gjithë të rinjve. Policia, sa pa studentët që filluan demostratën, njoftoi menjëherë drejtorin që të marrë masa. Drejtori na thërriti që të hynim në shkollë. Kur ne mbushëm korridorin e katit përdhes ai hipi në këmbën e parë të shkallës dhe na foli me butësi. Tregoi se autoritetet e kishin njoftuar se ne kishim filluar një demonstratë kundër bankës. Drejtori na tha: “Detyra e parë e nxënësve është që të shikojnë mësimet” dhe përfundoi me këto fjalë të buta: “Ju tani jeni të rritur, e kuptoni vetë të mirën e të keqen e vetes dhe të Atdheut, ndaj ju këshilloj, që të shihni mësimet. Ju e dini vetë si të veproni”.

Këto këshilla na u dukën më shumë se aprovim, shtytje për veprimin tonë. Nga shkolla dolëm më të vendosur. Pas dreke demostrata vazhdoi edhe më e ashpër dhe, në mbarim të saj, policia arrestoi nja 20 vetë nga shokët tanë më të rritur. Të nesërmen shumica prej tyre u liruan dhe mbetën në burg vetëm 6 gjashtë vetë, të gjithë pa përkrahje. Për ushqimin dhe fjetjen e tyre drejtori interesohej shumë. Merrte ushqime dhe shtresa nga konvikti, megjithëse vetëm dy prej të arrestuarve ishin konviktorë, shkonte për natë në qelinë ku ishin vendosur ata dhe i këshillonte të hanin mirë, të mos ftoheshin dhe të mbanin gjakftohtësinë.

Një javë më vonë, në mbrëmje, kur kishim mbaruar mësimet e pasdrekës, drejtori i zymtë në fytyrë, na mbledh në korridorin e shkollës dhe na liron, pa bërë asnjë koment, për telegramin e ministrit të Arsimit, me të cilin njoftohej se gjashtë nxënësit e arrestuar përjashtoheshin nga shkolla përgjithmonë. Të përjashtuarit i mblodhi në drejtori dhe u komunikoi urdhrin epror. Sipas fjalëve që na treguan gjashtë shokët, midis të tjerash, ai u kishte thënë: “Demostrata vërteton se ju dhe shokët tuaj nuk jeni vetëm nxënës të mirë, por edhe patriotë të gatshëm për sakrifica”. Me këmbënguljen e drejtorit, të dënuarit pas sa kohe u falën dhe, me përjashtim të njërit, të tjerët rifilluan mësimet.

Një fakt tjetër ishte ky: në pranverën e vitit 1929, me urdhër të drejtorit, prof. Gabriel Meksi na mblodhi ne, 5-6 nxënës ortodoksë të gjimnazit, dhe na këshilloi që të përgatisim një kor të vogël, për të psalur shqip të Premten e Madhe dhe ditën e Pashkës në kishën e qytetit, e cila ishte sllave. Ne nuk dinim, por dy shokë që i dinin mirë këto punë, na ndihmuan të përgatiteshim dhe vajtimet e përmivarrshme nuk shkuan keq. Por mesha e Pashkëve bëhej në mesnatën e të nesërmes. Për të dalë natën nga konvikti duhej leja e drejtorit. Për fat, të shtunave ai vinte në internat dhe unë, si më i madhi, i kërkova autorizimin për të shkuar në kishë. E aprovoi me gjysmë zëri kërkesën time; por pak më vonë më nxori nga salla e studimit dhe vetëm për vetëm më tha me zë të ulët: “Po të flas ty se je më i madhi dhe mund të më kuptosh: ku do të arrijmë ne, në qoftë se ortodoksët, katolikët, myslimanët do të shkojnë secili më vete, në kishë e xhami për Pashkë e Bajram? A mund të ndërtohet Shqipëria kur edhe ju të rinjtë, që jeni shpresë e së ardhmes, mendoni dallimin fetar e jo bashkimin”?!

Kur unë iu përgjigja se asnjëherë nuk i kishim kërkuar leje për të shkuar në kishë, por sonte e bënim këtë sepse ishte rasti i korit të vajit që do të thoshte ato pak lutje shqip gjatë meshës sllavishte. Atij i qeshën sytë dhe ma ktheu menjëherë: “Ah, po, po! Më kishte dalë fare mendsh kjo çështje. Të shkoni, të shkoni! Dhe, në qoftë se keni nevojë, më thërrisni edhe mua, se jam gati t’ju ndihmoj…”.

Drejtori ka qenë vetë nismëtari për formimin e shoqërisë “Besa”. Ai e shihte se si ishin organizuar prej françekanësh e jezuitësh. E kuptonte se nxënësit e Gjimnazit Shtetëror, të cilët përbëheshin prej feve të ndryshme dhe krahinash të ndryshme, kishin nevojë për një organizatë të rinjsh, ku të merreshin me kulturën, me sportin, me problemet e kohës, mbi të gjitha, të forconin bashkimin. Për t’ia arritur qëllimit ai ftoi në drejtori disa nxënës, të cilët hartuan statutin e shoqërisë dhe kësaj i vunë emrin “Besa shqiptare”. Drejtori u kënaq shumë me këtë emër dhe, midis tjerash, na tha: “Besa është karakteristikë vetëm për popullin tonë. Të huajt nuk gjejnë fjalë të sakta për të përkthyer këtë nocion në gjuhën e tyre. Prandaj, edhe ata janë të detyruar të shënojnë vokabulin “Besa” në fjalorët e tyre.” Ne e zgjodhëm drejtorin Kryetar Nderi.

U largua nga Shkodra e shkoi në Tiranë për të jetuar me të vëllanë, Martinin, por gjurmët e Mirashit mbetën të pashlyeshme. Ai linte një shkollë shumë më të madhe nga ajo që e gjeti dhe me personel më të aftë. Brenda 6-7 vjetësh numri i nxënësve ishte katërfishuar dhe përbërja kishte ndryshuar si nata me ditën. Më parë thuajse të gjithë nxënësit ishin myslimanë; tani ishin shtuar dhe vazhdonin të shtoheshin edhe katolikët, të cilët vazhdonin të braktisnin shkollat e vjetra. Gjatë kohës që ai punonte në Shkodër, dolën nga shkolla tri matura të degës pedagogjike dhe dy matura të gjimnazit. Kjo ishte kënaqësi e madhe për të.

Unë pata fatin ta shoh drejtorin disa herë edhe në kryeqytet, vetëm ose me bashkënxënës të tjerë. E thërrisnim “zoti drejtor”, megjithëse kur u largua nga Shkodra, ai pati poste më të rëndësishme: më pas profesor, ministër arsimi, deputet dhe Kryetar i Këshillit të Shtetit.

Na priste me shumë përzemërsi në një dhomë të madhe, mbushur me libra të sistemuara mirë. Na pat bërë përshtypje biseda e tij. Ne kujtonim se ai nuk dinte të qeshte kurrë, kurse ai përkundrazi, ishte gjithnjë buzagas, sidomos kur fliste për ndonjë ngjarje të kaluar ose na kallëzonte ndonjë anekdotë.

Më 1936-n pat rënë disa herë fjala me të për kryengritjen e Fierit. Ai pyeste për hollësira rreth saj dhe i vinte mirë që pati mjaft arsimtarë pjesëmarrës, sepse sipas mendimit të tij, edukimi i brezit të ri kishte rënë në duar patriotësh. Veç më shumë se një herë pat shtuar: “Po ku u gjetën ata pleq për të drejtuar një kryengritje, që kërkonte udhëheqës të rinj e të vendosur”?

Kur bisedoja me këte njeri pyesja veten: “Si është e mundur që një personalitet i regjimit të Zogut, pak muaj më parë ministër arsimi e tani Kryetar i Këshillit të Shtetit, të shfaqë mendime të këtilla”?! Dhe përgjigjja më dukej e qartë. Mirash Ivanaj nuk ka qenë asnjëherë njeri i Zogut. Ai i njihte mirë të metat e këtij, por bashkëpunoi me të për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër: laicizmin e arsimit.

Shokët që e patën parë me sytë e tyre e më patën thënë: “Para 7 prillit 1939 Mirashi pat braktisur zyrë e bibliotekë dhe qe bashkuar me turmat e popullit, që demonstronin kundër fashistëve dhe bashkë me ta patën thirrur ‘Duam pushkë, duam pushkë”!

Këtu del sheshit patriotizmi i drejtorit tonë. E me gjithë këto ndjenja e dëshira, ai qe i detyruar të ndiqte karvanin mbretëror dhe të arratisej në Turqi, sepse e njohu më mirë si bashkëpunonjës që kishte drejtuar regjimin e Zogut. Ndërsa Mbreti vetë u largua nga Stambolli dhe shkoi nëpër Evropë, ata që mbetën morën arin nga valixhet për të blerë çifligje nëpër Anadoll dhe për të bërë tregti. Mirashi mbeti pa dhet arë në xhep. Kur iu sëmur i vëllai, qe i detyruar të shiste një dhëmballë ari, për t’i blerë ilaçet.

Për funeralin e të vëllait, meqenëse asnjë nga bashkëpunëtorët nuk e ndihmoi, ai qe i detyruar t’i drejtohej Bashkisë së Stambollit, e cila e çoi në varr Martinin si të gjithë varfanjakët.

Kthimi i Mirash Ivanajt në Shqipëri ishte një tjetër akt i tij patriotik. Ai dëshironte t’i shërbente pëesëri atdheut.

Por atdheu i tij, i udhëhequr tashti nga komunistët, nuk e ndjente nevojën e tij. Prandaj e burgosën, e torturuan sipas zakonit dhe ai mbaroi në dorë të operativit, gjithmonë i burgosur.

Please follow and like us: