Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: DIL NGA DHIMBJA…

 

Dil nga dhimbja ku rri strukur,

fshiji lotët përmbi faqe,

dil siç del prilli prej dimrit,

mbushur plot me manushaqe!

 

Dil nga dhimbja, qetësoje,

shpirtin që aq shumë të dhemb,

jeta ka ende shumë rrugë,

zemra ka akoma vend!

 

Dil nga dhimbja vajzë e brishtë,

e venitur me të qara,

mund të dashurosh sërish,

mund t’ja nisësh nga e para!

 

Mos e kthe më kokën pas,

për një ëndërr që t’u prish,

thyhet një degëz  në pemë,

çelet syth në mars sërish!

 

Dil prej dhimbjes që po vuan,

dil përditë e dalëngadalë,

dil siç del një pikëz loti,

që është fshehur nën qepallë!

 

Dil nga dhimbja që të dhemb,

harroje plagën e vjetër

dil kërkoje sërish  fatin,

trokit në një zemër tjetër!

 

Dil nga dhimbja ku je strukur,

fshiji lotët përmbi faqe,

dil siç del prilli nga dimri,

mbushur plot me manushaqe!

Please follow and like us: