Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Për njeriun që lindi “DITËN E GËNJESHTRAVE”!

Është fjala për Grigor Jovanin që vete e lind pikërisht në këtë ditë të mbrapsht, më 1 prill, kur njerëzit bëjnë ‘shakatë e dynjasë’ dhe, nëse do të thonim se ‘lindi i paudhi’, nuk do ta besonim asnjëherë! Mirëpo ky tip, që është edhe njeri nga miqtë e mi më të afërt, të më besoni me të vërtetë se erdhi në këtë jetë nga prindërit me të mirë të Jergucatit, po në këtë ditë të çuditshme, ku e kur njerëzia flasin mbarë e mbrapsht, tallen, thonë shakara me ‘krypë’ e bëjnë qeshje shpotitëse nga më të rëndat, me e pa ‘kandarë’! Do të thoni ju se ai nuk di të gënjejë aspak!
Oh… Nuk e kam vënë e nuk e vë ‘dorën në zjarr’! Po pse, a nuk ‘na shoi të gjithëve’ me një gënjeshtër, pa gdhirë mirë pardje, kur thoshte në facebook se i mori cikloni çatinë barangës së tij në Izmo (të Lutraq-Korinthos), kur dita qe fare e qetë dhe Sinoptika Greke nuk dha asnjë njoftim, as për erëra të vogla?! Se, kush thua që nuk gënjen asfare, është më i madhi gënjeshtar i Kozmosit… Edhe unë gënjej, bie fjala ‘Arëzën’ time, kur vete e botoj ndonjë libër e i them se “ma pagoi ai e ky ministër, deputet a biznesmen”(!?), po shokun e mikun jo! As Grigor poetin që di të bëjë vjersha aq të bukura, që mua e ju na pëlqejnë, pa le të ‘krekoset’ e të thotë se është ‘i dërguari i Dionisit’, Perëndisë së Vreshtarisë, sipas të cilit është “në shërbim të Dionisit/t’i ruaj vreshtat me rrush,/Në tërë Perënditë e Olimpit,/s’ka të drejtë të hyjë askush…” (!?).
E pra, unë që e kam dashur dhe e dua fort këtë njeri shpotitës, që di aq me lezet të gënjejë, fare hapur, duke shpërndar fjalë se, herë jam “Stallier i Kalit Mitologjik PEGAS”, me ofiqet më të larta e herë të tjera, pas shkarkimit që më bëri, si të isha Zhukovi në ajër e sipër, duke udhëtuar me avion, më quan tani: “Rojtar i Buteve të Verës” në qilarin e tij (që nuk është fare qilar, po atij kështu i duket a i vjen së mbari t’u thotë njerëzve)! Si të isha unë ai personazhi i lezetshëm i Shekspirit, Sër Xhon Fallstafi që pinte verë mbi varelat e u këndonte grave të Uindstorit! Amaan, O ZOT!…
Nuk kam se ç’farë t’i bëj këtij njeriu, që ka marrë edhe ca huqe më tepër, andej nga “Laçi, Bruçi e Uraka”, nga e kaloi rininë tij pas të atit, veç ta pranojë, sikundër është, me po ato ‘siklete’ që kanë njerëzit e kësaj dite të ‘gënjeshtër’!… Se, edhe po të zëmërohesh me të, nuk e mba gjatë inatin e do të flasësh përsëri e do të harrosh gjithçka që ka bërë a mund të bëjë e thotë së prapthi, nga që ‘edhe zorrët e barkut ngatërrohen’, si shprehet edhe populli ynë… Se, ky ‘i paudhi i Dionisit’, me emrin Grigor Jovani, që jeton e ‘nuk punon fare’ këtu në Greqi, qyshkur bëri ca ‘paudhësira përplasjesh’, me makinën e tij karakatinë, që e sheh Diellin që lind çdo ditë, nga kati i katërt i shtëpisë së tij, duke numëruar zogjtë e qiellit mbi Akropolin e famshëm dhe e pandeh veten të ‘Perëndishëm edhe ai'”, që krren përditë poezi të lezetshme, që vete e përkthen edhe Ricosin, që i sajon këndshëm edhe tregimet e shkurtra, që drejtoi ca kohë edhe disa gazeta e çpiku edhe një revistë për ‘Kalin Fluturues’ dhe që na duhet ta kujtojme edhe sot, duke pohuar që ka lindur më të vërtetë po në këtë ditë!
Mendoja se më kishte harruar gjatë muajve të dimrit të gjatë, ky ‘zullumqar i tmerrshëm’, kur Miçotaqi Junior na ‘veshi këpucë të shtrënguara’ që të mos dalim fare nga dera, nga ky ‘Djalli Covid-19″, mirëpo para disa ditësh ra zilja e telefonit tim e i dëgjova zërin: “Çdo bëjmë, më tha… U mykëm brenda! Nuk do ta pime një pikë raki”?! Dhe shtoi se i ishte shfaqur në ëndërr Perëndia Pagane, Dionisi dhe e kishte qortuar ‘Derëbardhin poet’, përse e ‘kishte harruar”. Bëra ç’bëra, e mbusha faqoren me ‘lëngun Dionisiak’ fshehtazi ‘Arëzës’ dhe u nisa drejt Manastiraqit ku më priste ‘Mëkatari’ ynë, i njëllojtë edhe me fabulistin Gjivogli që nuk i ndahet ‘të shkretës raqi’, pranë oxhakut të tij aq të këndshëm, në Piqeras! Dhe kështu u ‘ç’kula’ nga Koropia, pasi krijuam me anë të celularëve tanë edhe ‘sebepin policor’, njëfarë mesazhi, sa për t’i shpëtuar gjobës së ‘kripur’ prej 300 eurosh (!) se, gjoja, do të venim në ‘Etniqi Trapeza’ (Banka Kombëtare Greke). Ai të paguante faturat e gjobave të prapambetura të katër karamboleve që kishte bërë me makinat e tij ndër vite e unë që të merrja një honorar të vogël që më ishte nisur nga Italia! Po kot së koti, sa u vërtitëm brenda ‘labirinthit të parave’, ngaqë as ai nuk pagoi dot aq para, sa qe rritur çuditërisht gjoba e papaguar ndër vite e as unë nuk morra kurgjë, prej librezës së skaduar, qyshkur pata bërë edhe unë pesë karambolet e mia dhe të gjithë më uronin se “kisha lindur në një ditë të bekuar, që e pata kokën në vënd përsëri'(!) e jo si ky miku im që u shtrua tre herë në Spitalet e Athinës, gysmë i gjallë e gjysmë i vdekur”! Kështu që, vajtëm deri rrëzë Akropolit, poshtë shkëmbinjve të njëhershëm, nën pishat gjigande, shekullore, ku nuk mund të binim më në sy, as nga ‘Shejtani’ e as nga ‘I biri i shejtanit’! Të bekuar akoma nga Perëndia Pagane e Vreshtarisë që nuk na ka harruar!… Unë rakinë e ai mezerat, tinëzisht nga ‘Grerëza tona të dashura’ dhe që i nxorrëm e i shtruam në barin jeshil, me një kënaqësi të rrallë!…
E harrova edhe atë ditën e fundit, të disa viteve më përpara, kur piva me të një faqore të tërë dhe hyra me gjithë makinën time nga xhami i madh, direkt e brenda, në magazinën luksoze të këpucëve, tap fare, derisa u hap parashuta e timonit e unë e pashë veten brenda nje morie këpucësh grash qe binin mbi mua! E çë? Të hiqnim dorë nga njeri-tjetri? Jo. Po bëmë sikur u ndamë!… Mirëpo ‘Djali plangëprishës’ u kthye përsëri… Edhe pse ka lindur në një të prillit të gënjeshtërt, ja tek i ka edhe ca libra që mbajne emrin e tij dhe që na lidhin së bashku, me ca ‘fije të padukshme’, sikundër janë: “Një botë pa dashuri” (1997, “Punishtja e ëndrrave” (2004), “Blu e thellë” (2012), “Vreshtat e Dionisit” (2015) e 10 numra të revistës “Pegasi”. Kurse librin e ri timin, “Një natë e ndyrë”, që ia solla e pështolli me gazetën e mezeve që i eleminuam pa u ngutur!
Më është dashur t’i lexoj një e për një, si edhe të gjendem si kryeredaktor i revistës së tij për Letërsinë e Artet, që nuk e pati jetën e gjatë, (vetëm një dekadë), si edhe të shkruaj për të artikullin “Vera e fortë e Grigor Jovanit” që e botova në gazetën “Tirana Observer” dhe e vendosa më pastaj edhe në librin tim studimor “Teatri dhe Letërsia”, pikërisht, kur nuk folëm ca kohë me njeri-tjetrin, po që unë nuk mundesha ta harroja gjithsesi, mikun tim, me të cilin i patëm ‘tharë’, të gjitha butet me verë, tek ‘Qilaret’ e tij Dionisiake… O ZOT I MADH! Ç’farë njeriu solle mbi këtë tokë, plot viruse!?
VERA E FORTË E GRIGOR JOVANIT
E vjelur nga “Vreshtat e Dionisit”
Më duhej të pija ‘mushtin’ e kësaj ‘vreshte të lashtë’ të sapo vjelur nga miku im poet, Grigor Jovani, që të dehesha plotësisht e të ngazëllehesha si komedianët e parë, që dilnin rrugëve e shesheve të lashta të Athinës, brenda e jashtë Akropolit a në rrethinat e Epidavrosit magjik, të harbuar edhe ata nga vera, me ‘fallet’ përjashta, në ato mjedise magjike, ku vallja e gëzimi merrnin krahë. Prej këndej dolën poetët e parë tragjikë, me të cilët mburret bota dhe, po prej këndej, do të vinte Rapsodi i Verbër, babai i poetëve, Homeri, me poezinë e tij të pavdekshme. Ndërkohë, dëfrimi i lirë, festat e të vjelave të rrushit, sollën edhe shfaqjet e para teatrore, me personazhe të veshur me lëkura kafshësh, me maska, brirë e këmborë. Pikërisht nga këto vreshta të famshme, ka vjelur mbi 300 ‘bistakë rrushi’ Grigor Jovani i këtyre ditëve dhe “verën e tij” e ka prodhuar për nder të Atit Hyjnor të Biskut të Shenjtë të Rrushit, Dionisit , që ishte në zili me “perënditë e tjera” të Olimpit! Ky poet dykulturësh, me origjinë helene dhe temperamentin shqiptar, ka ditur të trashëgojë nëpër vjershat e tij brumin e dy ‘magjeve’ të stërlashta të artit ballkanas, mbi të gjitha një përdëllim të tillë, që të kujton fladin e pranverës e të verës, pikërisht kur afron pjekja e rrushit e ndizen zjarret poshtë kazanëve të rakisë. E dhjetë vjet nuk i ka mjafuar që ta ‘ziej lëngun Dionisiak të poezisë’, me durimin e nje kopështari, me pasionin e ndezur të njeriut pasdionisiak, me lirizmin e njerëzve të dashuruar që nuk i mba dot më asnje ‘frer kali’. Grigor Jovani është për mua një poet ‘i pikuar’, që e hap ‘perden magjike të teatrit të vet’, si të hapte ‘siparin e Universit’, në trajtën më të thjeshtë. Është poet që ‘nuk bërtet’, as shtiret të ‘bëjë poezi’ e as të sajojë broçkulla mbi vargjet e vjershërimit. Ai di të shpreh botën që përjeton përmes prizmit vetiak, me spontanitetin e një ‘udhëtari të shkujdesur’, të një bohemi që s’do t’ia dijë se ku ‘mbillet e ku korret’. E fundmja gjë që i intereson është të tërheq vëmendjen me vargjet. Shkruan ngaqë thjesht nëpërmjet vargjeve frymëmerr, ngaqë poezia është e vetmja mënyrë jetese që di dhe i përshtatet. Për të s’ka rregulla të shprehjes poetike, rima, ritme e kadenca poetike, po i ka që të gjitha brenda një mjeshtërie krejt funksionale, të cilat i vijnë atij atëhere kur duhet, si pa u kuptuar, natyrshëm, sa herë e ndjen të nevojshme të shpalos veveten dhe thelbin e qënies njerëzore. Ka një ‘automatizim’ të habitshëm harmonik midis nevojës, qëllimit dhe shprehjes poetike. Është kështu një poet i mëvetshëm, i frymëzimit të çastit, të paplanifikuar, por të zhvilluar fotografikisht, me të ndjerë apo parë fenomenin, që ndoshta shumicës së njerëzve nuk do t’i bënte përshtypje. Ky poet ka një këndvështrim të hatashm piktorik, panoramik e domethënës, di fort mirë të zhbirojë në të përditshmen e jetës dhe, me talentin e tij, të hap imazhe të qarta e të fuqishme. Dhe pikën e lezetit, ‘krypën’, se si e godet në dy vargjet fundore! Do ta quaja mikun tim të ‘çartur’, një poet imazhinist, sikundër janë edhe piktorët e impresionizmit, po edhe ata te akuarelave të freskëta, ku peneli shpalos imazhe plot lëng e ngjyrë, me një transparencë të tejdukshme, ku ndjejmë edhe flladin e erës, edhe transparencën e ajrit, atje ku ka gjithmonë një rrezatim diellor, refleksione të ndritshme të ujit, po edhe dehje, deri në marramendje… E lexon njeriu këtë ‘Vreshtë të Grigorit’ dhe e ndjen veten të goditur nga vera e fortë. Pikë!
Po, në ‘Vreshtat e Dioninisit’ ka edhe diçka të veçantë: aty ngjizen gjashtë libra në një! Përthith në të, të gjashtë fenomenet që shoqërojnë ciklin e jetës: ‘Njeriu’, ‘Dashuria’, ‘Zoti’, ‘Deti’, ‘Poezia’ dhe ‘Atdheu’. Ngjan si një trill! Seicili prej tyre mund të qëndronte edhe më vete, duke pasuruar kështu biografinë poetike të autorit. Por, konstruktimi i këtij vëllimi është përfytyruar si një synim madhor, ku përfshihet krejt Universi i Njeriut, me gjithë ëndërrimet e dashuritë tokësore… Deri diku ngjan si një çmenduri!… Po le të mos nxitohemi!… Që në ciklin parë ‘Njeriu’, poeti e shpall veten si një bard i vërtetë, ‘monark’ i shpirtit të tij prej bohemi. Herë shfaqet si fëmijë arrakat e i marrë, “që donte të rregullonte botën/por nuk rregullonte dot as çantën e vet/ku shkruante vjershat e para…” dhe herë-herë si “një ujk i vjetër/që dita-ditës bëhet më i egër…”. Gjithmonë i paqetë ky njeri, si një varrmihës që ‘gërmon qiellin parreshtur’, jo për të shtrirë aty të vdekurit që largohen nga jeta, po për të gjetur…pak diell, diellin e vetvetes. Metaforë e hatashme! Me përmasa përtej Jetës dhe Vdekjes, synim universal i vetë njeriut! “Gërmon qiellin”, që të gjejë pak diell! Në ciklin “Dashuria”, poeti e percepton këtë ndjenjë njerëzore, jo thjesht tek “Ajo”, e personifikuar si e dashura e poetit, që himnizohet e lartësohet deri në pafundësi, po si hapësirë e kudondodhur, që përfshin edhe atë vetë, në një joshje shpirtërore, “njeriun e dashuruar”. Është një “erotevmenos anthropos”(!), sikundër e quajn grekët njeriun e dashuruar! “S’është vetëm/se të desha Ty…/Dashurinë/ kam dashuruar”. Thjesht e i bukur ky Erosi i Gole Djalit! Në ciklin “Zoti”, poeti pozicionohet midis artistit dhe besimtarit. Nëpërmjet “fjalës së shenjtë”, si një “ikonë në kishën tënde”, duke prekur “shpirtin e njeriut” të njësuar me atë të poetit. “Më jep, o Zot, dhe pak guxim/mos fshihem,pas kurizit tim”. Kjo për arsyen se, nuk do që të iki nga vetvetja! E, çdo njeri prej nesh, sipas poetit e ka Zotin brenda vetes dhe, të tjerat, janë tendencë e demagogji. Mirëpo poeti e ndjen veten të çarmatosur nga gjithçka e i ka mbetur vetëm “shpirti i bardhë”. Prandaj thërret: “Mbarova me vargjet dhe po iki/sa bën kohë e mirë dhe ka ende qiell…/Do të hyp në një re,/ për t’u zhdukur në qiell…/Këtej lart,/aty poshtë/më ngjan çdo gjë/kot së koti!/Vesha shpirtin,/ si këmishën e bardhë,/që të shihem nga Zoti”! Alegoria ëshë therëse! Në ciklin “Deti” poezia e Jovanit sikur merr më tepër dritë e freski, posa sheh brigjet e Egjeut, të Jonit e të Adriatikut. Ngazëllehet! Kudo ku ka det, ka për të edhe poezi. “Imzot,-lutet ai/Më ndihmo/që të mos e humb/edhe këtë det…”. Sepse deti është vetë jeta për të e nuk mund të ndahen. Disa herë përmend në vjersha Sembah Detarin. Dhe i thotë vetes: “Princ që të besuam, Grigor Jovani!/le ta kesh mik detin/Betohu sa të duash./jam mik me detin, aq sa harroj/jo vetëm njerëzit/Po edhe perënditë e qiellit”! Ah, ky mëkatar i përjetshëm!
Po Vreshtari i Dionisit do të vijë befas në shtratin e tij të poezisë, në ciklin “Poezia”, për të zbuluar edhe “thesaret e vetvetes”. Se poezia përmban shpirtin e tij të brendshëm, fërfëllimën e tingëllimin e fjalës dhe ‘zogjtë’ që vërtiten përreth tij. Kështu, ai, poeti ‘i çakërdisur’ i tokës, i detrave dhe i qiejve të gjithësisë, do të shpallë publikisht se “do të vyshkej pa fjalën,/si lulja pa klorofil!”…, se, me “poezinë udhëton gjithandej…” dhe se e ndjen veten…”… të pasur,/ngaqë/kam gjuhën time…”, kur s’ka asnjë monedhë në xhep dhe e ngroh vetëm vera e Dionisit… Eh, i gjori e fort i lumturi poet! Poezia jonë do të ishte e mangët pa këtë poet ‘të marrosur’! Mirëpo ai do ta mbyll librin e tij me ciklin “Atdheu” e sikur vjen në vete dhe është po kaq i ndjeshëm, sa edhe real. Për Grigor Jovanin “Erërat e malit janë flamujt e mi…”, dashuron “një Atdhe/që kundërmon/si trëndafil…”, ku “rriten shqiponjat, ndaj Zotat e quajnë Shqipëri” dhe ku “fjala e bukur shqipe ka 36 dhoma”! Gjithsesi poeti nuk e kërkon shumë larg të ashtuquajturën ‘Parajsë’, veçse në atë trevë ku edhe ka lindur, në Dropullin e tij, në vjershat e tij të para, në shpirtin e tij prej kristali.
Por që është e mbetet kurdoherë një Qytetar i Botës, si ‘Vreshtar i Dionisit’ që është e mbetet, një ‘Fotograf i çastit’ që fikson gjithçka që është e bukur, njerëzore, në përditshmërinë e mundimshme të jetës. Tjetër punë se ky poet dehet shpejt nga ato që vet i prodhon, si ‘Shërbëtor i Dionisit’… Dhe kur e ‘zë vera’, poezitë i krren edhe më të bukura! Si bistakët e rrushit kur piqen, rrethuar nga stina e begatë…
(Marrë me shkurtime nga gazeta “Tirana Observer” më 03/05/2015)
Please follow and like us: