Nexhat Halimi: Hija me mushkë
Tregim
Mëngjes i kristaltë, i akullt. Bora ka mbuluar çdo gjë. Pemët e zhveshura e mbajnë mbi degë qiellin e pa fund. Acar. Në sipërfaqen e lëmuar e të bardhë mbesin katër gjurmë të një mushke e dy gjurmë të një malësori të veshur me gëzof dhe me kokën e mbështjellë me maramë, ndërsa shalli ngjyrë kafeje i ik rreth e rreth qafës, për të përfunduar nën fyt.
Gjashtë gjurmë dhe dy frymë e skicojnë lëvizjen në shkëmbin e mbuluar me akull dhe borë. Dy zemra rrahin me tik-tak të thellë ndërmjet pemësh cullake dhe të ftohta.
-Ec kafshë e ngathtë në katër këmbë, gjeje rrugën, të mbuluar nga bora… të zbresim nga maja, të marrim çfarë na duhet e të kthehemi prapë… Ec, zemra fuqishëm rrah në male.
-Pse hesht? E ke bërë kokën burgi e ec, pa mësuar fare a gjendet aty, nën këmbë rruga. S’kupton fare. Jeta duhet të ngadhënjejë gjithnjë. Përkundër tallazesh të egra, gjithmonë duhet të kthehet me kurorën e fitores. Ajo që të takon ty dhe mua mbetet e jona. Duhet ta kuptosh këtë gjë. Ec. Asgjë nuk mund t’i mbyll shtigjet përfundimisht.
Pse je kaq kokëfortë. Radha qe e jona të zbresim në këtë kiamet… të furnizohemi me gjërat e domosdoshme për jetë, për vete dhe me gjëra për tërë fshatin. Dikujt i duhet miell, dikujt sheqer, tjetrit krip e vajguri… Të gjitha duhet t’i ngarkojmë në shpinën tënde, or mushkë e gjorë! Veç ani, çfarë është një herë nuk është gjithherë. Duart e vogla fëmijësh presin kthimin nga qyteti, gëzohen për gjërat e blera. Gëzohen fëmijët, të cilët nesër do të bëhen zot të pushkës, të japin jetën për këtë gur. Të dihet se ka zot kjo tokë, ka… Natyrisht lindin çdo herë Isa Boletina, lindin Mic Sokola dhe sypatrembur i dalin me kurm topit të armikut përpara dhe bashkë me të bëhen për jetë Kosovë.
Malësori mbahet për krifë të mushkës. I afrohet afër, shumë afër… Ja, provon t’i hukatë me frymë të shpirtit duart e ngrira.
-Gjeje rrugën, or, gjeje. Do ta kemi më lehtë ti dhe unë. Do të kalojmë më mirë e jo shkretë kështu, deri në shalë me këmbë në borë. As gjallë as vdekur.
E shikon mushkën e i dhimbset çfarë udhe përshkon… çfarë e kthen kokën prapa, – i flet:
– Provon ta gjesh fshatin? Tashmë Kaçandolli ka mbetur lart, humbur mes peizazhesh të zhveshura dhe ndërmjet tokës nën borë e qiellit të thyer… Apo çuditesh me mua çfarë flas. S’flas gjë, e në vete kacafytem ndërmjet fjalës së paThënë e gjakut, kaq kohë të ndryrë në damarë. S’formësohet asgjë jashtë kohës së vet…
E shikoj i heshtur gjatë në sy.
– … ç’mund të bëj një pikë ujë përballë një lumi?! Asgjë! – hesht për një çast dhe ai, më pastaj prek brendësisë së vet dhe të kohës së verbër.
– Çdo gjë qe e rëndë, e pa kokë. Thika preu, topat vollën zjarr. E gjaku?… Gjaku deri në bark të kalit. Zinxhiri i rezistencës në Slivovë, në Carralevë, në Qafë të Duhlës… natyrisht dhe në Shalë të Bajgorës. Në secilin cep të tokës shqiptare pikte gjak… Lufta s’ ndalej. E mbajtur gjatë veç me zemër, pëlciti, e lëshoi në disa unaza… në çastet e arritjes së Dervish Pashës në tokën e shenjtë të shqipes, ende pa shkelur në zemrën e Lidhjes, në Prizren, një plak mbi njëqind vjeç – rëndë i sëmurë, kërkon ta nxjerrin me vig jashtë shtëpisë. Me vjet as shtratin as dhomën s’e kishte lënë. Lëngonte aty, pa parë dritë, gur as qiell…
– Ç’u bë, – i folën të afërmit e vet. – Pse kërkon tash të dalësh jashtë? Korbi i zi krrokat mbi qytet!
– Më bënë veshët apo e përmendët ardhjen e Dervish Pashës, xhelatit turk, – belbëzoi plaku në vig nga e nxirrnin jashtë shtëpisë.
– Ka mësyrë Arbërinë me njëzet mijë ushtarë… vjen, pret e grin, djeg dhe pjek. S’kursen gjë.
– Le të vijë, – këput me vështirësi fjalë plaku. – Le të vijë. Ushtria vjen dhe shkon… ç’do të bënim të vinte me pesëdhjetë barrë libra e pesëqind mësues? Orë të rënda afrohen të bien mbi ne… Ndjek krerët dhe luftëtarët e Lidhjes, – i thonë. – S’i ka veç dy-tre krerë kjo tokë… Kot ka bërë gjithë atë rrugë, me gjithë atë ushtri të egër. Do të kthehet me grushte shpinës…
-Ky është fundi i turkut, – thotë plaku dhe çel sytë, shikon qiellin, pastaj gurin…
– A dëgjon or mushka e gurit, asgjë në tokën shqipe nuk jepet deri në fund, flet malësori dhe e shtrëngon krifën e bardhë, ngul këmbët deri te shalët thauke në borë e ecë. Kafsha i ikën prapa e heshtur…
Ecin nëpër borë e mendja i ik vetëtimthi. I shpërthen kujtimi në flakë.
Malësorit i zgjohet tmerri që përjetuan në luftën e fundit.
-Pa UÇK-në s’do t’ia dilnim…
-Kaq herë na dëbuan nga toka e të parëve tanë, kaq herë na vranë. Fshatrat i ndezën flakë të na humbin rrënjën… I kujtohej flaka e fshatit Oshlan të Çiçavicës. Kë arritën ta kapin e vranë pa pikë faji, i vranë të moshuarit, gratë e fëmijët…
-Luftë e ndytë qe.
-Ata nuk janë trima. E kanë zanat vetëm luftën e ndytë.
– A dëgjon or ti Mushkë e lënduar, që ende këmba të pikon gjak. Ec ngadalë…
Udhëtojmë gjatë të arrijmë e të ndalemi në Stan Tërg.
Ja pandërprerë më ikën nëpër ndjenjë jehu i fyellit dhe etja e ndaluar për gjithësinë e copëtuar të tërësisë shpirtërore, vetëm të arrijmë te universi i këngës . I mbyll sytë e silueta e gurit më shfaqet e zhveshur. Ja, ndërsa e përjetoj këtë pamje prapa mbylljes së syve, papritur ndalet malësori për një çast. I çel sytë dhe e vëren një hije me një mushkë, të ngrirë në rrugë.
-Prej nga ra ky gur, ore.
– Jo. Ja, lëviz hije me një mushkë…
-Në këtë kohë, në këtë natë. E pabesueshme!
– Shikoje nga i dridhen shalët thatime të plakut në gur nga e tërheq mushkën për kapistër…
-E ti pse dridhesh?
-Më qe ndalur para dhe nuk lëvizte. Mund ta dëmtoja!
-E pabesueshme… – flet dhe e ndjek mushkën i tronditur, të rënë në një thellësi të gurit nën udhën, që nuk shihet. Mushka lëviz, veç nuk ia del të lirohet. Nxjerr zë fuqishëm. E ka lënduar njërën këmbë. Ka rënë aty-thellë, ku gjendet burimi i kroit. Malësori e tërheq shallin nga qafa dhe i afrohet. Ia lidh këmbën me duart e ngrira nga të ftohtit.
Ritmi i lëvizjes e mori me vete papritur. Ec gur më gur, ngjitet dorës së ngrirë dhe lë vragë gjaku nga ngjitet lart, përgjatë kurrizit me drurë nën krahnezë, ndërmjet figurave të bardha. Lëviz malësori dhe mushka, ndërsa e vetmja shtëpi në krye të fshatit ngel e vetmuar, humb gjithnjë më shumë nën borë. I frikësuar nga vetja e vet ec, i afrohet, ia lidh këmbën e lënduar me shalle të gjatë. E pret pak të qetësohet dhe prapë lëvizin gjashtë këmbë e dy frymë, ngjiten lart gur më gur. Ecin me hapa të akorduar, ia lëpijnë gjurmët njëri-tjetrit…
Bora mbretëronte dendur dhe pandërprerë.
…Mendja i ikte malësorit prapë te shtigjet e mbyllura lart në Shalë.
Ja, jeta rrjedh… E njëjta i mbyll dhe shtigjet, ia zë kotheren në fyt vetvetes. E malësorët lëvizin ngjashëm me thneglat ndër kodra bore. Të pushtuar tërësisht nga të ftohtit dhe fërfëllizat e ashpra. Përmbi degët e zhveshura të drurëve ka rënë qielli i irnosur dhe flutura të dëborës.
Shtigjet nuk dihet ku gjenden.
Rrallë të bie të pikasësh malësorët nga lënë gjurmë të thella nga lart me mushkat e tyre, herë të ngarkuara me thasë me miell e herë tjetër në lëvizje të ashpra borës së pashkelur.
-Kohë ujku merr në male, – thotë Faiku dhe e ndal automobilin para një mushke të lodhur.
Dal me të shpejtë dhe përballem me malësorin dhe mushkën. Në shpinën e mushkës, të larë në djersë, vërej thasë me miell, me sheqer e gjëra të nevojshme për jetë.
-Kohë ujku tashmë merr në male, – ndërhyn malësori Nuredin Bajrami nga fshati i largët i Shalës. E shikoj ngul në sy.
-Veç pak çaste më parë e dëgjova të njëjtën thënie, burrë, – qesh unë dhe i afrohem. Përshëndetemi dorë më dorë. Qeshet dhe ai dhe e përsërit prapë fjalinë e vet. –Po, – thotë. – Kohë ujku mbretëron tashmë, por megjithatë zemra fuqishëm rrah në male.
-Ç’të qiti në këtë kohë?
-Për pak gjëra, për t’i përballuar tallazet e jetës.
-Kaq gjëra të duhen?
-Nuk i dihet dimrit në male, ndërsa gjërat s`i kam veç për vete. I kam për fqinjët dhe për tërë fshatin. E shtrëngova mushkën e zbrita. Herën tjetër zbret ndokush tjetër. Në male lidhemi fuqishëm me njëri tjetrin.
-Natyrisht, ka nevojë njëri për tjetrin, gjithherë.
-Ec or, – i bën zë mushkës e ecën, lart.
E shikoj nga ngjitet paudhës së bardhë e futem në tretje imagjinatave..
-Oh, – fshan, – njëmend zemra fuqishëm rrah në male.
-Natyrisht dhe ashpër, – mërmëriti malësori pa më shikuar fare.
Pëshpërit. Më dridhen buzët. Provoj prapë t’i flas veç tashmë ai ka ikur me mushkën e ngarkuar me tre-katër thasë me miell, me sheqer e gjëra të nevojshme në këtë mot ujku…