Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: Eduard  VEÇANI, INTELEKTUALI DINJITOZ, EDUKATORI MISIONAR ME VLERA NJERËZORE!

 

Portret i pa autorizuar për Eduard Veçanin, si një personalitet me vlera të çmuara, si një intelektual model për shoqërinë dhe gjeneratat të cilat ai me pasion ndriçoi…

 

 

 

Në vend të prologut…

Kaluan si pa u ndjerë dyzet ditë nga vdekja krejt e papritur dhe e parakohshme e të dashurit dhe mikut tonë, Eduard Veçani, i cili fatkeqësisht nuk mundi të rezistonte dhe t’i mbijetonte virusit që i kishte prekur mushkëritë. Duke shkaktuar  dhimbje dhe hidhërimin tek gjithë ata që e njohën nga afër.

E pabesueshme që një individ dhe qenie e rrallë, me atë buzëqeshjen e tij të çiltër, një njëri modest, tepër bujar dhe fisnik, me një kulturë të gjerë dhe të thellë, nuk ndodhet tanimë mes nesh.

Ai u largua tepër herët, realisht një humbje krejt e parakohshme, por askush nuk e harron fisnikun, mikun e mirë, intelektualin e njohur dhe të guximshëm, siç ishte në gjithë rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, Eduard Veçani.

Ai ishte një njeri impresionues dhe i përkorë dhe tepër dashamirës, i cili  u angazhua denjësisht, pa e  shkëputur dhe dhe e ndarë politikën nga dimensioni njerëzor. Një dimension dhe aspekt, i cili  duhet thënë se me mënyrën se si praktikohet politika sot, një qëndrim dhe qasje e tillë me të vërtetë që i mungon këtij realiteti.

Edi ishte një njeri i veçantë dhe një njeri i mrekullueshëm, një mësues misionar i shkëlqyeshëm. Gjithë miqtë, kolegët dhe shokët e afërt të tij, ndihen krenarë që ai ndau me shumë prej nesh ankthet, shqetësimet, ambiciet si edhe vizionet e tij progresiste.

Në veprimtarinë e tij, në vizionet e tij por edhe në karakterin e tij, Eduard Veçani  mishëronte dhe rrezatonte kontributin e tij emancipues, shembullin e tij pozitiv në institucione dhe komunitet, papajtueshmërinë me anomalitë dhe padrejtësitë, paligjshmërinë, arbitraritetin, interesat abuzive, negativet dhe aspektet neveritëse të regresit.

Eduard  Veçani ishte misionar dhe pasionant i jetës, një personalitet me vlera njerëzore, me një moral dhe dinjitet të pakrahasueshëm, një intelektual sypatrembur dhe qëndrestar përpara sfidave jetësore. Dhe si gjithë intelektualët misionarë me karakter të forte,të përkushtuar e të devotshëm, me merita dhe kulturë qytetëruese, meriton mirënjohje dhe respekt.

I pamëshirshëm dhe krejt i pashpjegueshm u tregua fati me Eduard  Veçanin. Ai  fizikisht u largua, por idetë e tij, idealet dhe vlerat për të cilat ai me pasion dhe përkushtim kontribuoi, janë fiksuar dhe do të mbeten përgjithmonë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë neve.

 

Rrugëtimi jetësor dhe ai profesional…

 

 

Eduard  Veçani erdhi në jetë, një ditë të ngrohtë vere, teksa kalendari shënonte 22 Korrik të vitit 1959, në qytetin bregdetar të Durrësit, me gëzimin e papërshkueshëm të djalit të vetëm në familjen e tij. Vitet e brishta të fëmijërisë i kalon tanimë në qytetin e Vlorës, duke u ngjizur dhe edukuar me idealet dhe vlerat e vërteta të një familjeje me tradita atdhetare dhe me vlera patriotike. 

Starton dhe vijon mësimet paraprake në shkollën “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, ku shquhet për pasionin dhe zgjuarësinë dhe këmbënguljen në përvetësimin e dijeve, të cilën e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Edi, ndonëse ende fëmijë, bota e tij shpirtërore «gëlonte» prej ëndrrave dhe synimeve, realisht përtej atyre impresioneve të kufizuara të bashkëmoshatarëve të tij.

Mandej vijon të ndjekë shkollën e mesme «Ali Demi», një prej gjimnazeve prestigjiozë dhe elitare për kohën. Edi shquhej në këtë periudhë kohore, jo vetëm për edukatën dhe mënyrën e sjelljes, por edhe për inteligjencën, ku falë përkushtimit dhe studimit të tij, falë seriozitetit dhe angazhimit, i mbisunduar me plot dëshira për dijet ,përfundon mësimet e këtij gjimnazi duke u vlerësuar me notën maksimale 10-të.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, i akordohet e drejta e studimit për Matematikë-Fizikë, pranë Universitetit të Gjirokastrës, një vatër e diturisë  e mirënjohur për kohën. Tanimë i përkushtohet dhe fokusohet në misteret dhe të fshehtat e profesionit të mësimdhënies, për të fituar shprehitë, metodikat si edhe njohuritë themelore në ndërtimin dhe vijimin e karrierës së tij pedagogjike. Edhe në këto mjedise Edi dëshmoi shpirtin e ndjeshëm duke përkrahur  virtytet, njerëzoren, të vërtetën dhe vlerat më progresiste të një shoqërie. I pabujshëm, por me një vullnet dhe energji pozitive, me këmbënguljen dhe korrektesën admiruese, në vitin 1983 përfundon studimet me rezultate të larta, duke u Diplomuar si «Mësues Matematike e Fizike».

Starton karriera profesionale për Eduard  Veçanin, si misionar dhe përçues i dijeve, duke u emëruar si mësues matematike në shkollën 8-vjeçare të fshatit Perlat të rrethit verior të Mirditës, në të cilën si bashkëudhëtare kish vështirësitë e terrenit dhe kushtet klimaterike. Por përpos këtyre, ai  kontribuoi me devocion dhe sukses në përmbushjen e misionit të tij të shenjtë si mësimdhënës, deri në fundqershorin e vitit 1985.

Në Shtatorin e vitit 1985, Edi transferohet në rrethin e Vlorës dhe emërohet si mësues matematike në shkollën 8-vjeçare të një prej fshatrave të tejskajshme të rrethit të Vlorës, siç ishte Lezhani.

Edhe në këtë mjedis të dijes, Eduard  Veçani, me bindjen se se të  kontribuonte si mësimdhënës dhe përhapës i dijes, ishte privilegj dhe një ndër vlerat më humane e të nderuara për një individ. Kësisoj, si një edukator me vlera, me papërtueshmërinë, me dashurinë, durimin dhe qetësinë që e karakterizonte, ai spikat dhe shquhet për nivelin e lartë të përgatitjes shkencore, për përdorimin me sukses të metodave bashkëkohore të mësimdhënies, me rrjedhojë  ravijëzimin e një mentaliteti të ri si edhe arritjen e rezultateve të larta në punën e përditshme me nxënësit.

Me personalitetin e rrallë, me aftësitë dhe profesionalizmin e tij, i fokusuar në sfidën e përçimit të dijeve, si një prej virtyteve më madhore dhe më me vlerë, Edi rrezatonte edhe bujarinë e shpirtit të tij, duke vendosur raporte dhe një komunikim tepër të ngrohtë e respektues, si me nxënësit po ashtu edhe me kolegët e tij.

I shquar dhe vlerësuar për seriozitetin, prirjet dhe aftësitë profesionale, për punën e tij pasionante plot përkushtim, në Shtatorin e vitit 1991, mësuesi Eduard  Veçani transferohet dhe emërohet si drejtor i shkollës 8-vjeçare të fshatit të Sherishtës në rrethin e Vlorës.

Energjitë e pashtershme të Edit, konfigurohen tanimë përpos sfidës  së mësimdhënies, edhe në aspektet e drejtimit të shkollës, për të siguruar arritjen e ekuilibrave të një drejtimi të efektshëm të harmonizuar natyrisht me kërkesën e llogarisë dhe rreptësinë në aspektin e përmirësimit të ecurisë  dhe përparimit të nxënësve.

Me taktin dhe mënyrën krejt të veçantë të komunikimit, si edhe me dashamirësinë që e karakterizonte, i mbështetur në standartet më të përparuara të drejtimit, Eduard  Veçani, angazhohet me zell paraprakisht në krijimin e një klime të ngrohtë në mjediset e shkollës,  ashtu sikundër edhe në sigurimin e bazës materiale të domosdoshme. Po  ashtu edhe në aspektet e mirëmbajtjes dhe funksionimit të klasave mësimore, pa nënvleftësuar natyrisht procedurat e frekuentimit sistematik të shkollës, të ndërthurur me efektshmërinë e rritjes së nivelit dhe cilësisë së punës mësimore, që lidhej ngushtë  me mësimdhënien, por edhe me atë të mësimnxënies.

Kontributi i Eduard  Veçanit me entuziazmin dhe profesionalizmin e lartë, si një drejtues vizionar, motivohej gjerësisht  në orientimet si edhe mbështetja tek procesi mësimor-edukativ alternativ dhe në prakticitetin e parimeve  pedagogjiko-psikologjike. Me synimin madhor në implementimin e një klime dhe mjedisi intrigues sa më të favorshëm, për  proceset e të nxënit. Falë frymës pozitive konsensuale të bashkëpunimit, drejtimit të suksesshëm kolegjial, duke mundësuar kapërcimin e barrierave dhe sfidave që konsistonin me përmirësimin e standardeve të shkollës si institucion arsimor, Eduard  Veçani materializoi me sukses gjithë synimet afatshkurtëra dhe objektivat që i vuri vetes si mësues,si edukator misionar edhe si drejtues. Si një intelektual i formuar dhe vullnetmirë, me një rrezatim të dukshëm të fisnikërisë, ndershmërisë dhe dinjitetit moral, Eduard  Veçani, i prirur me dashurinë e pashtershme për dijet, në momentet delikate të shmbjes dhe rënies së regjimit komunist dhe të startit të fillimeve të proceseve demokratike, regjistrohet dhe ndjek studimet e larta për Drejtësi, pranë Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1994 i përfundon me sukses dhe diplomohet si jurist.

Ndryshimet dhe reformat e vrullshme diktojnë domosdoshmërinë dhe  imperativin që Eduard Veçani të emërohet në funksionet e Zv/Kryetarit të  Gjykatës së rrethit të Vlorës, funksione të cilat i kryen me kompetencë profesionale, me seriozitet dhe përgjegjshmëri të lartë impenjuese deri në fundvitin 1996.

Edhe në këtë sfidë të jashtëzakonshme si një autoritet administrativ, Eduard  Veçani dëshmoi pjekuri dhe përkushtim duke kontribuar fuqimisht në përtëritjen e organeve të drejtësisë, në legjitimimin e pavarësisë si një aspekt thelbësor në sundimin e ligjit, ashtu sikundër edhe në administrimin efikas të drejtësisë, në respektimin skrupuloz të aspekteve proceduriale në gjykimin dhe dhënien e drejtësisë.

Me modestinë që e karakterizonte, Eduard Veçani spikaste për objektivitetin dhe vrullin shpërthyes. Duke ofruar gjithë performancën e tij për realizimin e ndryshimeve jetike në komunitetin vlonjat. Prej vitit 1998, Edi përuron studion e tij ligjore, duke u angazhuar si avokat. Duke kontribuar si një profesionist dhe u shquar me prezencën e tij, në vite veprimtarie të suksesshme juridike jo vetëm në Vlorë por edhe gjetkë, jashtë kufijve të saj.

Eduard Veçani, në vijimësinë e dekadës së viteve 90-të, atëhere kur fatet e vendit lëshuan kushtrimin për angazhimin aktiv të intelektualëve, nuk hezitoi por energjikisht kontribuon duke iu bashkuar radhëve të Partisë Demokratike, si shpresa dhe udhërrëfyese e së ardhmes,që u krijua edhe në qytetin e Vlorës.

Si një njeri me vullnet të fortë, me prezencën e tij aktive, me idetë, vizionet dhe qëndrimet e tij parimore, përtej iluzioneve dhe fanatizmave partiake, Edi dëshmon me guxim ideatorin dhe iniciuesin e moderimit dhe dialogut, si thesare të vyera për demokracinë.

I motivuar dhe i udhëhequr nga fuqia e argumentit dhe jo nga argumenti i fuqisë, krejt i pandikuar nga anësitë, me autoritetin e padiskutueshëm, me qetësinë, me humorin e tij, por edhe me udhëkryqet dhe  momentet e vështira, Eduard Veçani ishte i pranishëm dhe aktiv  në të gjitha ngjarjet e mëdha historike dhe social-kulturore të tranzicionit e në vijimësi.

Falë aftësive dhe performancës së tij, falë  seriozitetit dhe angazhimit përkushtues, Eduard Veçani, në Nëntor të vitit 2010 emërohet si Prefekt i Qarkut të Vlorës.

Eduard Veçani, entuziast dhe dinamikisht aktiv, me një këmbëngulje admiruese, i papajtueshëm me pasivitetin dhe absurdin, punoi pa u lodhur në shërbim të interesave madhore institucionale, me respekt për gjithë qytetarët e qarkut të Vlorës. Duke dëshmuar njëherazi, nga një pozicion përgjegjësie që kërkonte përpos të tjerash konsensusin dhe vendime të vështira, veprimtarinë serioze dhe të përgjegjshme me punën e tij sistematike pasionante, në funksionimin e një strukture kaq të rëndësishme dhe me vlera.

Në harkun kohor të kësaj periudhe, Eduard Veçani u shndërrua në simbolin e Prefektit të kremtimit të jubileut të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Si mishërim i vizioneve të një organizatori perfekt e të jashtëzakonshëm dhe një politikani dhe intelektuali dinjitoz në  përmbushjen e  detyrave shtetërore dhe atyre shoqërore.

Eduard Veçani, edhe në këto angazhime madhore politike të jetës politiko–sociale, u shqua si një prej emisarëve pushtetarë me ndershmëri dhe integritet krejt të papërsëritshëm. Duke qëndruar krejt i distancuar prej interesave meskine, prej tundimeve dhe prapaskenave, duke u lartësuar si një bir i denjë i kauzës së progresit për Vlorën dhe bashkëqytetarët e saj. Me vetëdije dhe ndjeshmërinë e tij, i ekuilibruar  dhe me shpirtin e drejtë dhe mirëkuptues, ai vijoi t’i shërbejë idealeve demokratike edhe nga pozitat e një intelektuali profesionist apo një qytetari aktiv e të thjeshtë.

 

Në vend të epilogut…

 

I shquari shkencëtar, Albert Ajnshtajn ka një thënie lapidare ku nënvizon: «Mos u mundo të jesh si një njeri i suksesshëm, por mundohu të jesh njeri me vlera».

I tillë ishte realisht Eduard Veçani, me cilësitë e larta njerëzore, korrektësinë shëmbullore, modestinë, personalitetin e shkëlqyeshëm, shpirtin e pastër, ndershmërinë, mirësinë. Ishin këto që spikasnin, duke ndikuar natyrisht në vlerësimin dhe respektin e jashtëzakonshëm për një intelektual të dimensioneve të tilla, si Eduard Veçani.

Eduard Veçani, modeli  ideal i njeriut fisnik, dashamirës me besimin e thellë në vlerat njerëzore, i gatshëm për të ofruar dhe kontribuar, për idealet demokratike, për ndriçimin dhe progresin e Vlorës e gjithë shoqërisë mbarëshqiptare.

Fatkeqësisht, vdekja qëndron mbi fatet e njeriut dhe shumë më lart se sa dëshira njerëzore. Kësisoj, ikja e befasuese dhe krejt e papritur e një figure paqësore dhe zemërbardhë, një njeriu modest dhe krejt të veçantë shpirtëror, si Eduard Veçani, emri i të cilit me kontributdhënien e tij misionare me vlera, është  gdhendur në historinë dhe trashëgiminë e ndritur, politike, arsimore dhe kulturore.

Një prani ekselente që shkëlqeu për dekada dhe la gjurmët e saj në kohë. Si rrezatimi dhe simbioza e një individi modest, një qytetari aktiv, një politikani të ekuilibruar dhe konsensual, një demokrati në shpirt që gjithçka në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, e arriti falë sakrificave sublime, punës këmbëngulëse, seriozitetit dhe ideve vizonare.

Eduard Veçani kurrësesi nuk është simboli dhe  shembulli pozitiv i një intelektuali që tanimë i takon historisë. Por  simboli i një misionari me një këndvështrim të qëndrueshëm demokratik dhe progresiv. Vetë frymëzimi për brezat dhe gjeneratat e reja, në luftën e pandërprerë dhe të ndershme të  triumfit të  idealeve demokratike dhe progresiste të lirisë dhe shpresës.

Edhe pse nëpërmjet këtyre shënimeve, si një sfidë e portretizimit të një miku të shtrenjtë, të një idealisti dhe misionari që tanimë na mungon, edhe vetë shprehjet dhe gjuha është e dobët dhe gjithësesi hezitojnë, duke dëshmuar pamjaftushmërinë në përmbushjen e kësaj sfide.

Sepse Eduard Veçani, papritmas u largua heshturazi. Ndonëse ai erdhi  në jetë si njeri, duhet thënë se u largua si  një engjëll kalorsiak. Teksa në thelb ai na mungon, por kurrsesi nuk mund të largohet dhe ndahet prej nesh. Kurrsesi nuk mund të shkëputet e largohet nga shpirtrat dhe zemrat tona, nga brezat anekënd, që ai me pasion e dashuri ndrioi dhe edukoi. Sepse për sa kohë ne me mirënjohje e kujtojmë me respekt e dashuri, ai realisht gjallon në memorien tonë,në kujtimet tona, në sfidat tona jetësore të sotme e të ardhmërisë.

Kujtesa e intelektualit fisnik, kolegut dhe mikut të shtrenjtë Eduard Veçani, si një model ideal njerëzor, do të jetë përjetësisht e paharrueshme dhe e gjallë.

Athinë, 31.03.2021.

 

Please follow and like us: