Poetja Antonietta Micali vjen në shqip nga Arjan Kallço
Antonietta Micali: Një Vallëzim për jetën
Antonietta Micali është diplomuar për gjuhë moderne në Universitetin ‘La Sapienza’, Romë. Është e impenjuar në fushat social-kulturore dhe organizon konferenca dhe veprimtari kulturore. E do shumë jetën dhe kulturën, mendon se duhet t’i duash dhe të jesh i vendosur, kur ndjek ëndrrat e tua. Merret me shkrimin krijues, pasi të shkruash është një udhëtim i brendshëm. Libri i parë i botuar është për fëmijë titullohet “Dedaloja dhe Ikari”, ku hyrjen e shkruan i biri . Poezia është një pasioni i saj i madh dhe e konsideron “letërsi e shpirtit”. Volumi i dytë titullohet “Një vallëzim për jetën”, një përmbledhje poezish si himn për jetën.
Kjo kohë
Kjo kohë
rrjedh e paqëndrueshme,
pikturon pejsazhe,
vizaton mendime,
tregon për dashuri,
klith zemërime,
qetëson dhimbje,
shkruan fjalë
me forcë e erës,
më pas i fshin me valët e detit.
Koha e pushton
jetën dhe kujtimet,
pastaj shuhet
kështu…ngadalë
si vetë jeta.
Nostalgji kujtimesh
Shikimi rrok
bukurinë e pejsazhit,
e mbështjellë me pallton time
dhe prej mendimeve, e vetmuar,
rikujtoj lojrat e fëmijërisë
midis rrugicave dhe të qeshurave,
pastaj, kthehem, e vë re se prej teje
më ka mbetur vetëm një kapele
që brenda mban gjithë jetën time.
Dua të fluturoj
Më lër të fluturoj
larg prej kujtimeve
drejt qiejve të kaltër
dhe ylberëve të rinj.
Dua të qëndroj pezull në ajër
drejt horizonteve të reja
si çafka
pas shkatërrimit të Ardesë.
Më lejo të fluturoj sipër brigjeve të oqeanit,
të hyj në shpellë
e vendosur në kufijtë e botës
ku jetojnë: Morfeu, Fobetori dhe Fantazi
dhurues bujarë të ëndrrave të vërteta
dhe gënjeshtarë.
Më lër të fluturoj si Ikari,
më lër t’i ndërtoj krahët e mi,
më ndihmo të jem e lirë,
t’i admiroj bukuritë
si flutura
që lehtësisht përplas krahët,
apo si ballerina që e hijshme
ngrihet në fluturim,
nën ritmin e muzikës së ëmbël të Bahut.
Shoqëroje fluturimin tim
jashtë prej fshikëzës së vemjes
më lër të fluturoj nëpër botë,
jo në vetmi,
por me melodinë e ëmbël
të dashurisë tënde.
Kujtime
Ato aroma të pangatërrueshme
të një kohe të largët,
kur zemra ishte e pafajshme,
plot pritshmëri…
Shikimi kureshtar
dhe i mbushur me gëzim.
Kujtime fëmijërie
të zërave familjarë,
të njerëzve të dashur,
të lojrave, të erës mes flokëve,
të dashurive të shkuara,
si rreze të shuara dielli
mes reve të zeza…
Të një dashurie
që i shoqëron ditët e mia,
e kujdesshme, e zellshme, e butë e dashur.
Kujtime të zakonshme vendesh,
të qeshura ngatrestare
shikime dhe përkdhelje
lotë fëmijësh
që na e ndryshuan jetën tonë.
Kujtime të pashlyeshme të jetës të ndara
me njeriun te i cili ati im më besoi në një pasdite
të nxehtë korriku,
Me sytë të mbushura me lotë
dhe shpresën e një lumturie
që të zgjaste një jetë.
Vishem me diell
Vishem me diell,
hedh parfumin e detit
eci mbi valë
në majë të gishtave.
Kërcej mbi re
në dyert e ëndrrave trokas,
më jep një buzëqeshje
ndihem në parajsë.
Ia drejtoj sytë qiellit
ngatërrohem me kaltërsinë e detit,
kërcej pak më tej
dhe shpejt lumturinë time gjej.
Një vallëzim jetës
Dua t’ia dhuroj
një vallëzim jetës
duke kërcyer
me notat e erës
të gjëmimeve dhe detit.
Dua t’i këndoj heshtjes
të përulem para një perëndimi
dhe të ulem
këmbëkryq
ta pres agun e një dite të re.
Dua të vishem
me petale
trëndafilash të kuq dhe vjollcë
që ta ndjej në trup
aromën
të kërcej në tokën e lagur
nën këngën e bilbilave
të këndoj me ta
një himini dashurie t’ia marr
për jetën, për këtë jetë me ty!
Unë jam deti
Unë jam deti,
mendimet e mia
treten midis reve,
shkojnë, vijnë
rrudhen
shkumbojnë
thyhen
përvdiren dhe kthehen prapë
më ledhatojnë
më skllavërojnë
më kapin
më flasin për ty.
Unë jam deti
gati ta përqafoj
ta mikpres
ta dashuroj.
Përktheu Arjan Kallço