Brunilda Spiro: Hajde!
Jemi në ajër, mbi re
Që diku bëhen ishuj të bardhë
Diku shkërmoqen si pambukë,
Pastaj bashkohen dhe endin për ne,
Qilimin gazmor të shpirtrave hyjnorë.
Hajde e shtrenjta ime, pika qielli të bëhemi!
Edhe pse krahët më rëndojnë nga ëndrrat e lagura.
Pasi Qielli më grishi të bëhem erë, të bëhem shi,
Të bëhem akull dhe të shkrij pikë-pikë…
E ndjen lëngështimin, kulloj nga malli tek ti…
Hajde i shtrenjti im, si parfum pranvere
Të tretesh tek unë mes shirave e më njom!
Mua zemrën e zhuritur, si shkretëtirë pa pikë shi
Ti je tashmë tek Qielli ku ne ngrejmë shikimin
Por unë jam te Toka që etja e mallit e përvëlon.
Nga dëshira për ujë e ndjen si dridhem?
Sikur gjethet e pemëve fëshfërijnë në zjarrmet e mia
Dhe ajri dridhet nga përgjërimi i asaj që i shterove ujin
E gjunjëzuar, me frymën të mekur,
Unë që jam Toka e ti Qielli, ti i kryqëzuar, unë e tharë.
Hajde!
Mungesa është madhështi vrastare,
Zbrit nga yjet, se nuk të arrij dot!
Nese me mban, nuk bie.
Krahët dhe zemrat tona i kemi, ndërmjet
Qiellit e Tokës të endemi!
04. 04 2021.
Please follow and like us: