Mevlan Shanaj: Modelet vijnë herët te njeriu!
Ditë lindja e Marlond Brandos, këtë fillim prilli, më ktheu pas në moshën time të hershme. Brando erdhi si një model jo vetëm admirimi, por edhe imitimi për gjithë brezin tim. Përqëndrimi dhe karakteri psikologjik i interpretimit të tij të bënin të heshtur, reflektues. Më herët te ne për kushtet specifike, kishte ardhur Gerard Philipe, me lojën realiste dhe argëtuese. Ishin vitet që kinemaja franceze dhe italiane kishin lejë qarkullimi në vendin tonë (me përzgjedhje). Alain Delon u bë për shumë vite si një yll që të ndillte me shkëlqimin e tij të karaktereve në vitet ’60 që mosha ime e kishte të lehtë përzgjedhjen! Së bashku me Jean Gabin në kohën tonë studentore ata të dy ishin një dyshe që na ishte bërë si një ushqim shpirtëror i kërkuar! Njeriu nuk i shmanget dot adhurimeve, shumë herë ndodh që ndonjë figurë artistike të mbetet si pikë nxitëse. Kështu më erdhi për disa vite Jean-Louis Trintignant dhe ende Marcello Mastroianni (sipas meje më i madhi i Europës). Dhe më tej për shumë vite më mbeti dhe ndoshta është diku në thellësitë e subkoshiencës regjisori Ingmar Bergman. Pandërprerje mbetën brenda meje edhe Federico Fellini, Michelangelo Antonioni, Theo Angelopoulos, Lars Von Trier.
Arrijmë në një moshë krijuese që modelet na kthejnë pas duke na lëshuar së brendshmi një buzëqeshje! Marlond Brando nëpërmjet ekranit po shënonte edhe hyrjen e brezit tim në modernitet! Ndaj vështirë të harrohet pjesa e vetes!
Please follow and like us: