Fritz RADOVANI: Burrat e pavdekshëm si Dedë Gjo’ Luli kujtohen sa herë kujtojmë Shqipen me dy krena
6 PRILL 1911
Burrat e pavdekshëm si Dedë Gjo’ Luli kujtohen sa herë kujtojmë Shqipen me dy krena. Edhe pse po punohet me ia këputë njenën kokë Shqipes Gjergj Kastriotit, Ajo thotë se: “Edhe Dedë Gjo’ Luli, një kokë kishte atë ditë me 6 Prill 1911”…
Po, Hotnjanët kur Deda ishte në Majë të Deqiçit, Dedën e kujtojnë me “Dy krena…”. Kishte kohë që Deda kishte fillue lidhjet me Fretnit Shqiptarë At Mati Prennushi dhe At Buon Gjeçaj, me të cilët pa pikë frike ai vendosi me ngritë Flamurin e Shqipnisë së Kastriotit…
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë, aty ku kishte edhe damart e zemrës.
Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon shqiptarin dhe që e veçon nga kombet e tjera, aty ishte burrnia, bujaria e besa!
Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje. Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidh njëherit me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti.
Ishin Françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male, mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste:
“Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!…”
E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti këte lumni: AGIMIN E LIRISË…
Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
Më datën 6 Prill 1911, Flamuri u ngrit nga Dedë Gjo’ Luli në Bratilë.
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e Malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të Malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin.
Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë.
Shqiptarët e vertetë i kujtojnë këto ngjarje, se në Hot filloi jeta e Atij Flamuri, që nder shekuj do të valvitet i Lirë në Shqipninë e të Madhit Hero Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Melbourne, 6 Prill 2021.