Lulzim Tafa: Poeti, kushtetuta dhe tanksat
(Me poetin Mirko Gashin më lidhin dy gjëra; poezia dhe datëlindja. Edhe Mirko edhe unë jemi lindur me 2 shkurt. E kuptoj se është koincidencë, por koincidenca është interesante, të paktën për mua)
Tregojnë se si në postën e Prishtinës në Dardani, në mars të vitit 1989, hyri një njeri korpulent. Dikush e njihte e dikush nuk e njihte. Njëra anë e këmishës i kishte dalë mbi pantallona e tjetra i kishte ngelur përfundi. Këpucët i kishte gjysmë të zbathura, duke ia shkelur thembrat. Ai ishte poeti Mirko Gashi, njëri prej poetëve më të njohur të Kosovës në atë kohë. Ishte koha e ‘miratimit’ të ndryshimeve kushtetuese që suprimonin autonominë e Kosovës. Mirko nga sportelistja kërkoi të shkruaj një telegram. Ai e mori dhe filloi ta plotësojë. Telegramin po ja niste Sllobodan Millosheviçit e teksti telegramit ishte i shkurtër: Ta uroj Kushtetutën e tankeve!
Të gjithë kishin mbetur të habitur, madje punëtorët e postës nuk dinin si të vepronin më tutje. Kjo është ngjarja më interesante që deri në atë kohë kishte ndodhur në atë postë, ku ende të punësuarit ishin nga të gjitha nacionalitet. Teksti i ‘Urimit’ ishte sprovë për ta.
Kush e ka njohur Mirkon e di, se Mirko me pamje ka qenë si një personazh mitik, pamja e tij nuk ka pasur mundësi të të lërë pa vëmendje. Ndër të tjera ai kishte edhe pamjen e një artisti e shkrimtari të madh. Sa shumë përputhej madhështia në dukje, me përmasat artistike e krijuese të tij. Mirko ishte poet dhe njeri i veçantë. Unë e admiroja si poet. Në banesën e tij në Dardani, banonte edhe poeti rugovas, miku ime Sali Beqiraj. Mirkon e takoja shpesh, bisedonim për shumë gjëra e sidomos për ‘koincidencën’ e 2 Shkurtit në të cilën ditë ishin lindur edhe disa shkrimtarë dhe artistë të njohur botërorë. Mirko kishte sqarim për këtë, por meqë edhe unë jam i lindur me këtë datë nuk po tregoj për shpjegimin e tij.
Janë të njohura poezitë e tij. Ato ishin vërshime artistike, jo vetëm pse motiv kishin simbolin e ujit dhe shiut. Mirko ishte poet bohem, gazetar, mësues e aktor. Ai është autor i disa përmbledhjeve me poezi ‘Në vorbullën e ujit’, ‘Netët e bardha’, ‘Gjarpri i shtëpisë’, ‘Arbor vitae’ etj., e sigurisht që ka lënë edhe poezi tjera në dorëshkrim. Herët e kam lexuar poezinë e Mirkos, mjeshtrit të madh të vargut.
Çka duhet të bëjmë (flas vetëm si lexues) kur e lexojmë një poet si Mirko Gashi? Natyrisht po e jap edhe përgjigjen, duhet ta rilexojmë edhe një herë, edhe dy herë, edhe shumë herë. Sa herë e lexon kënaqesh. Sa më shumë që e lexon, aq më shumë kënaqesh. Kjo është epërsia që e ka poezia mbi të gjitha artet tjera. Sepse mundesh ta lexosh e rilexosh njëqind e më shumë herë.
Një mbrëmje vere, fillimi i qershorit, më bie telefoni. Miku im Sali Beqiraj më thotë: Vdiq Mirko!
Salihu ishte me të deri në çastin kur Mirkoja dha shpirt. Mirko e dorëzoi te Zoti atë shpirt, që gjithë jetën ia kishte dhënë poezisë, lexuesit. Si do ta shprehja dhembjen për Mikun tonë poet? Me poezi, me asgjë tjetër. Atë natë unë shkrova një poezi të cilën e kam të botuar në librin tim. E di që titullin e kishte “Mjeshtri sonte flenë me këpucë”. Mirko më kishte treguar për “Arbor Vitae” motivin e poezisë që e kishte bërë titull libri. Para pak ditësh përsëri u mundova ta kujtoj poetin me një poezi, që sot vendosa ta ndaj me ju. Titulli është i Mirkos, edhe pse Arbor Vitae-n e kanë prerë pasi që i kanë rënë të gjitha gjethet.
ARBOR VITAE
Mirko Gashit
Maestro,
Krejt pemët
Po don me i pre
Po thonë kërkush ndër to
s’po puthet ma
gjethet
frutat
puthjet
janë tha.
Teksa përfundova këtë poezi, kujtoja Mirkon, pamjen e tij, vargjet, ndjesinë, gotën e rakisë, që e mbante përpara si bekri, me hijeshi bohemi, kujtova trimërinë e telegramit, telegramit të ‘urimit’ që nuk ishte urim, që nuk ishte uratë por ishte mallkim.
Mirkon më bëhet se e shoh shpesh sa herë dalë rrugëve të Prishtinës, edhe pse, çuditërisht, nuk shoh asnjë përmendore të tij. Ani që nuk ka përmendore të tij në Prishtinë, sepse kjo kohë nuk është edhe aq artistike. Por ndoshta edhe nuk ka nevojë për bust ose përmendore të Mirkos, sepse për lexuesin bust dhe përmendore janë vargjet e tij./kolegji aab/
Post Scriptum: Mirko Gashi i biri i atdhetarit Mark Gashi, u lind më 2 shkurt 1939 në Kralevë, Serbi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për gazetar. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. Është marrë edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Librat e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhët frënge, italiane, gjermane, arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedone. Është prezantuar në shumë vepra të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist. Vdiq në vitin 1995 në Prishtinë.
Disa nga veprat: “Në vorbullën e ujit”, Prishtinë 1972; “Netët e bardha”, Prishtinë 1975; “Liberto për gjenetivin e ujit”(serbisht), Prishtinë 1977; “Gjarpëri i shtëpisë”, Prishtinë 1980; “Arbror vitae”, Prishtinë 1988; “Plagë uji”, Prishtinë 1990…
Përkthimet: Poezitë e Ali Podrimjes, Poezitë e Din Mehmetit, Poezitë e Qerim Ujkanit, Poezitë e Sabri Hamitit, Poezitë e Ibrahim Kadriut, Drama “Gof” të Anton Pashkut, “Anija e vjetër” të Resul Shabanit, “Bregu i pikëllimit” të Teki Dërvishit, “Memoaret” të Ismet Shaqirit etj…