Albspirit

Media/News/Publishing

Adela Kolea: “Ne shqiptarët që vijmë nga oazi i lumturisë…!”

“Ne shqiptarët që vijmë nga oazi i lumturisë…!”
Është diçka e habitshme mania e shqiptarëve për t’u treguar perfektë në “sytë e botës”.
Sidomos përpara të huajit.
Mos të na marrë vesh i huaji si kemi qenë.
I huaji, edhe nga ana e vet, e ka një të shkuar – anakronizëm apo jo – dhe e trajton atë pa komplekse.
Shqiptari, me një kompleks e sens inferioriteti absurd, nëse i përmend të shkuarën, në mënyrë paradoksale, edhe të ketë kaluar qamet të zi e vështirësi apo mangësira nga më të ndryshmet, ekzalton e vë në evidencë vetëm ato pak anë pozitive që ajo e shkuar mund të ketë shënuar për të.
E drejtë të evidentosh të bukurën e të shkuarës tënde nën diktaturë por, objektiviteti nuk duhet të mungojë, se humbim krejt besueshmërinë në rrëfimet tona.
Kalojmë në një patetizëm e mediokritet mbytës.
🔼Bëra një “sondazh”, “eksperiment social”.
“Deri në vitet ’90, a e njihte dhe praktikonte shqiptari kulturën e dhurimit të luleve?”💐
Sepse, nëse për “kulturë” të mirëfilltë flasim nën këtë fokus, si një praktikë të rrënjosur në “pëlhurën” social-kulturore të popullit, unë them se:
Jo, shqiptari nuk e zotëronte këtë aspak!”
Unë nuk flas për përjashtimet që natyrisht mund të kishte, edhe sipas kulturës personale të individit, të shtresës sociale të një familjeje apo të romanticizmit, sensibilitetit individual të një pakice.
Ama, masive nuk ishte si dukuri.
Lulet shpërfilleshin e nuk vlerësoheshin nën rrafshin për të bërë dhurata me to.
Kuptohet rasti i dhurimit të luleve, në vitet e diktaturës në Shqipëri, mesa kujtoj e objektivisht sjell, ishte ai i lidhur me festa zyrtare, si:
Festa e Mësuesit; funerale; përkujtim dëshmorësh me buqeta e kurora; martesa deri diku, se dhe aty përdoreshin buqeta artificiale…
Ndryshe, dyqane lulesh nuk kishte – ja mund të kishte një dyqan të vetëm në Tiranë p.sh por, që tregtonte bimë jeshile për apartamente dhe jo lule për buqeta e kompozime artistike lulesh për dhuratë – e në raste eventesh nëpër familjarë e miq, mund të çoje çfarëdo dhurate, ama lule jo.
As t’i vlerësonte kush madje, përtej synimit tënd pozitiv.
Pse? Sepse, mungonte ajo kulturë apo ai konceptim…
Në sondazh e sipër shqiptarët ndërkohë dolën të gjithë pothuajse:
“Ne kishim plot lule nëpër apartamente e ballkone apo oborre. Babai im i dhuronte përherë lule mamasë sime në Shqipëri…”!
O njerëz, as në mes të parqeve botanikë e dekorativë më të mëdhenj të botës sikur të jetonit, nuk do ta përshkruanit sikur jetonit sipas sloganeve të propagandës së epokës përkatëse shqiptare:
“Ne jemi një oaz i lumtur. Na ka zili gjithë bota!”
Përtej kësaj, Shqipërisë nuk thotë njeri se i mungonte gjelbërimi – jeshillëku – ashtu siç ka pasur edhe zona të shkreta e të egra ku “hante pula gurë” por, “dhurimi i luleve si kulturë”, deri në vitet ’90, në një popull nën diktaturë, me një shoqëri patriarkale, me shumë mangësira ekonomike nevojash parësore, nënkuptohet që ajo elegancë e kulturë për dhurimin e luleve, nuk ekzistonte.
Ajo i lë përparësi nevojshmërisë më urgjente të njeriut në këto kontekste.
Tani, mos na dilni në mënyrë të shtirur e të rafinuar para botës, me zakone që nuk kishin.
Na mjafton megallomania për të lëvduar veten, shpesh edhe duke hiperbolizuar, mbi ato zakone që kishim e kemi realisht…
Ndaj, t’i japim Çezarit atë çka i takon. Kaq.
Please follow and like us: