“Ne, Rusia dhe NATO”, Shaban Murati: Një paralajmërim për Tiranën zyrtare që të mos gjendet para të papriturave të reja të pakëndshme, që mund të sjellë qeveria e Krivokapiçit në Malin e Zi
Shaban Murati
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, as para hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe as pas hyrjes së tij në NATO, që qeveria e shtetit të pavarur të Malit të Zi të dilte me një platformë zyrtare kundër Aleancës Atlantike. E bëri për herë të parë me një deklaratë zyrtare kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili në 24 mars 2021 publikoi një deklaratë të stërgjatë në faqen zyrtare të qeverisë malazeze, ku dënon ndërhyrjen humanitare të Aleancës Atlantike në Serbi në 24 mars 1999, ndërhyrje që ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik të ndërmarrë nga Serbia e kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Kryeministri i Malit të Zi shpalos një platformë emotive antiatlantike, që përsërit qëndrimet dhe politikën zyrtare të Beogradit, i cili nuk e ka dënuar asnjëherë politikën kriminale të Millosheviçit, përkundrazi e vlerëson dhe e nderon atë sot e kësaj dite. Kryeministri i Malit të Zi zbaton protokollin e zi shtetëror të Serbisë, e cila ka krijuar një “Ditë anti-NATO”, të cilën e celebron zyrtarisht çdo vit me qëllimin për të fshehur krimet makabre dhe masakrat e Serbisë ndaj popujve joserbë dhe për të nxitur urrejtje ndaj NATO-s dhe Perëndimit. Ndaj Krivokapiç hartoi një deklaratë të stërgjatë proserbe dhe anti-atlantike në “Ditën anti-NATO” të caktuar nga Serbia dhe që kryeministri i Malit të Zi e quajti ditë zie.
Njësoj si gjitha qeveritë dhe forcat ultranacionaliste serbe, Krivokapiç sulmon dhe akuzon NATO-n për ndërhyrjen e 24 marsi 1999 në Serbi dhe me një demagogji tipike deklaron se “si kryeministër, të cilit i dhembin plagët e racës sime, unë përulem para viktimave të pafajshme”. E shkruar me gjuhën e urrejtjes personale dhe politike ndaj Aleancës Atlantike deklarata shpall se ajo që ndërmori NATO as mund të korrigjohet dhe as nuk ka ngushëllim. Kryeministri i Malit të Zi shprehet se nuk i interesojnë arsyet përse aleanca atlantike e 19 shteteve demokratike të botës ndërmori ndërhyrjen humanitare në Serbi: “Sot unë nuk përmend arsyet ose qëllimet, që paraprinë këtë tragjedi, është e tepërt të flasim rreth kësaj kur ne qëndrojmë sot mbi varre”.
Politika dhe qëllimi zyrtar dhe personal i kryeministrit të Malit të Zi është që të revizionojë historinë moderne të Serbisë dhe të paraqesë NATO-n si agresor dhe Serbinë e Millosheviçit si viktimë. Ai arrin deri atje sa që deklaron: “Në 22=vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ne kujtojmë dhe përmendim emrat e viktimave heroike të 1999”. Kemi një apologji skandaloze të forcave ushtarake dhe policore serbe, që pësuan humbje nga bombardimet e NATO-s dhe u detyruan të ndalojnë agresionin dhe gjenocidin dhe të largohen me turp nga territori i Kosovës së çliruar.
Kulmi i urrejtjes dhe i deformimit historik dhe mental të kryeministrit të Malit të Zi arrin kur ai krahason ndërhyrjet e NATO-s në vitin 1999 kundër agresionit serb me bombardimet naziste gjatë luftës së dytë botërore.
Nuk do të kishte asgjë për t’u habitur që ky politikan filoserb, që ndjehet nacionalist serb, të bënte deklarata të tilla të turpshme dhe të flasë njësoj si Shesheli, Vuçiçi, Dodiku apo Daçiçi të Serbisë. Ajo që përbën skandal politik dhe zyrtar është fakti që Krivokapiç është kryeministër i një shteti anëtar të NATO-s. Platforma anti-NATO, që ai paraqet, nuk është thjeshtë parashtrimi i pikëpamjeve dhe qëndrimeve personale dhe politike të tij. Ajo është portreti i një politike dhe i një qeverie. Ajo është një paralajmërim i madh dhe një dyshim i madh për kursin e ardhshëm dhe për marrëdhëniet e mëtejshme të këtij shteti të vogël ndaj NATO-s.
Politika armiqësore ndaj NATO-s nga qeveria e re e Malit të Zi, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 30 gushtit 2020, pritej. Ndryshimi i qeverisë në Mal të Zi erdhi si rezultat i një operacioni të inxhinjeringut elektoral të përgatitur nga Serbia dhe Rusia për vite me radhë për të sjellë në pushtet në Podgoricë një qeveri proserbe dhe proruse dhe njëkohësisht anti-atlantike dhe anti-perëndimore.
Ndaj kemi sot në fuqi në Podgoricë qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, e formuar nga forcat politike proserbe dhe proruse. Tani këto forca qeveritare dhe zyrtare janë përpara faktit të kryer që Mali i Zi është anëtar i NATO-s qysh nga viti 2017. Por duket se operacioni i madh serbo-rus tashmë ka kaluar në fazën e dytë apo në detyrën e dytë për të transformuar Malin e Zi në një shtet anti-NATO brenda NATO-s. Platforma e gjatë anti-atlantike, që parashtroi kryeministri i Malit të Zi në ditën serbe të anti-NATO-s, evidenton një kurs zyrtar të qeverisë së re për të devijuar nga politika atlantike dhe për të reduktuar anëtarësimin në NATO në një formalitet burokratik.
Nuk është rastësi që platforma dhe veprimi anti-atlantik i kryeministrit të Malit të Zi, Krivokapiç, u përshëndetën menjëherë me entuziazëm nga autoritetet ruse. Agjencia zyrtare ruse e lajmeve “RIA Novosti” në 24 mars përshëndeti deklaratën me shkrim të kryeministrit në kujtim të viktimave të bombardimit të NATO-s në 1999 “ gjë që qeveritë e mëparshme të vendit me në krye Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviç nuk e kanë bërë gjatë shumë viteve”. Agjencia zyrtare ruse thekson me këtë rast se qysh kur Mali i Zi shpalli pavarësinë me referendumin e vitit 2006, vetëm partitë opozitare proserbe e kanë përkujtuar 24 marsin. Tani këto parti opozitare proserbe janë në pushtet dhe “dita anti-NATO” e Serbisë bëhet “ditë anti-NATO” e Malit të Zi, gjë që krijon paradoks, sepse është shtet anëtar i NATO-s.
Është një zhvillim negativ, jo i rastësishëm, sepse sinjalizon një kurs ndryshimesh rrënjësore në politikën e jashtme të Malit të Zi, me prirjen e largimit nga Aleanca Atlantike, të cilën qeveria e sheh si armike, dhe prirjen e afrimit dhe lidhjes së ngushtë me Serbinë dhe me Rusinë, dy shtete zyrtarisht anti-atlantike dhe anti-perëndimore.
Për linjën e ndryshimeve anti-atlantike dhe anti-perëndimore të qeverisë paralajmëron e gjithë klima politike, që po krijohet nga qeveria e Krivokapiçit në shtetin e anëtar të NATO-s për të revizionuar historinë e Serbisë, të ish-Jugosllavisë dhe të Ballkanit sipas qëndrimeve dhe interesave të historiografisë dhe të politikës serbe. Nuk duket rastësi që në datën 29 mars ministri i drejtësisë i qeverisë së re të Malit të Zi, Vladimir Leposaviç, doli në parlament me deklaratën skandaloze që vinte në dyshim gjenocidin e Srebrenicës të korrikut 1995 dhe kritikoi Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se ka qenë e “njëanshme” kur e ka shpallur verdiktin e saj për këtë gjenocid. Mohimi i gjenocidit serb në Srebrenicë në parlament nga një ministër i rëndësishëm i qeverisë së Krivokapiçit shungulloi si kambanë alarmi në mbarë botën diplomatike edhe demokratike. Ministri i qeverisë së Malit të Zi njësoj si qeveritarët e Serbisë dhe të “serpska republikës” mohonte realitetin tronditës të gjenocidit serb. Një gjenocid për të cilin kanë dhënë verdiktin si të tillë dy gjykata ndërkombëtare, Gjykata e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Parlamenti Europian në vitin 2009 ka miratuar rezolutë të posaçme për gjenocidin serb në Srebrenicë. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar rezolutë të posaçme në 10 korrik 2010 për gjenocidin serb në Srebrenicë. Por ministri i drejtësisë i Malit të Zi nuk përfill vendimet e institucioneve juridike ndërkombëtare dhe vë në dyshim gjenocidin serb të Srebrenicës.
Nuk habit deklarata e ministrit si një politikan ultraserb, që ka qenë dora e djathtë juridike e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi dhe e peshkopit antimalazez dhe antishqiptar Amfilohije. Në fakt ai reflekton mendimin e brendshëm të qeverisë së re. Kryetari i bashkisë së Podgoricës, Ivan Vukoviç, deklaroi me këtë rast se “kryeministri Krivokapiç ka të njëjtin opinion si ministri i drejtësisë”. Madje qeveria e Krivokapiçit e mori në mbrojtje qëndrimin e ministrit të saj të drejtësisë kur në deklaratën e saj të posaçme në 29 mars deklaron se “qeveria e Malit të Zi nuk don dhe nuk mund të ndryshojë vendimet e Gjykatave Ndërkombëtare, por nuk i deklaron disa kombe si gjenocidialë e disa si të shenjtë”. Në dhjetor të vitit 2020 partia boshnjake në Mal të Zi propozoi një rezolutë parlamentare, e cila njeh Srebrenicën si gjenocid, por shumica qeveritare e kryeministrit Krivokapiç votoi kundër kësaj rezolute.
Në parlament ministri i qeverisë sfidoi qeveritë demokratike të botës dhe opinionin demokratik dhe publik, sfidoi dhe institucionet juridike ndërkombëtare. Ndaj pati dënim të fuqishëm nga Komiteti amerikan i Helsinkit, nga ambasada e SHBA dhe e Britanisë së Madhe në Podgoricë, nga zëdhënësja e Komisionit Europian të BE, nga qindra organizata dhe shoqata rajonale e ndërkombëtare. Demaskimi ndërkombëtar e vuri në pozitë diskredituese kryeministrin Krivokapiç, dhe ai u detyrua që në 5 prill t’i propozonte parlamentit shkarkimin e ministrit të drejtësisë.
Në zbatim të vijës së restaurimit të influencës dhe të politikës proruse e proserbe qeveria e re e Malit të Zi urdhërori revizionimin e vendimeve gjyqësore ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të grushtit të shtetit të dështuar të 16 tetorit 2016, kur shërbimi sekret rus dhe serb u përpoqën që të rrëzojnë qeverinë e ligjshme në Podgoricë dhe të pengojnë anëtarësimin e vendit në NATO. Tani organet gjyqësore po ndryshojnë proceset gjyqësore dhe vendimet gjyqësore për të nxjerrë të pafajshëm spiunët e shërbimit të fshehtë ushtarak rus dhe të shërbimit sekret serb, që u dënuan nga procese gjyqësore të rregullta dhe të hapura. Për ironi anti-atlantike, një nga pjesëmarrësit kryesorë në përpjekjen për grusht shteti dhe i dënuar për këtë gjë nga gjykata malazeze në vitin 2017, politikani ultranacionalist serb Milan Knezheviç është sot i emëruar nga shumica qeveritare si kryetar i komisionit parlamentar të sigurisë dhe mbrojtjes.
Klima e re anti-atlantike, proserbe dhe proruse e qeverisë së re të Malit të Zi meriton një ndjekje me vëmendje të veçantë të zhvillimeve në atë shtet, për të mos u gjendur para të papriturave të reja të pakëndshme, që mund të sjellë qeveria e Krivokapiçit. Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s, ku është edhe Shqipëria anëtare. Është edhe shtet fqinj me Shqipërinë. Çdo devijim i Malit të Zi nga kursi dhe nga interesat atlantike dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe interesat jetike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndaj për platformën e turpshme antishqiptare të kryeministrit të Malit të Zi kundër ndërhyrjes së NATO-s në Serbi në vitin 1999 duhet të kishin reaguar edhe NATO, edhe Shqipëria, edhe Kosova./gazeta dita