Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Një bredh për të kremte

Tregim

Toka rrotullohet pikërisht siç ka thënë Koperniku, veç ai nuk e ka paraparë që shumë sekrete do të mbesin silueta të shpirtit në vetmi. Nuk e ka paraparë që shumë fshehtësi do t’i mbulojë koha dhe ndoshta do të harrohen siç është rasti me tokat e Naissusit dhe mallëngjimin e pashëruar për të, me njerëzit e vrarë e të ikur, me shtëpitë e rrënuara dhe varret e tyre të rrafshuara. Veç varret të mbuluara me barishte të egra ende frymojnë, eshtrat e të vdekurve aty… natyrisht, të atyre për të cilët tërë jetën do të më dhemb zemra, do të më kujtohen sakrificat e tyre dhe Molla e Kuqe do të mbetet vetëm një simbol, një mjegullinë, një gojëdhënë e gjallë, e pavdekshme.
Ja pse qaj mbytur në vete dhe pse ende mendoj se asgjë nuk humb me gjithë hi.
-Koha nuk kthehet kurrë, vetëm gjërat ndoshta `i ditë… – e thash në heshtje dhe e qava prapë nënën e vdekur, atë të Mollës së Kuqe, që bënte fruta ngjyrë gjaku. I zgjova fjalët dhe nga më vinin nga thellësia e shpirtit qaja me lot.
Trup i mollës i lulëzuar nën qiell gjatë verës
Jepte fryt me aromë vjeshtës ngjyrë gjaku
Nën hije i flinte fëmija i flinte pranë dhe plaku
E lëviznin ëndrrat në kullë përmes derës
Papritur ra vetëtimë dhe pëlciti shi e ra borë
Mollë e Kuqe degë më degë ndër zjarr thau
Toka zgjoi në gjak e lumi ngriu dhe guri çau
Çasti peizazh të rëndë këputi në krah e dorë
Molla e Kuqe mbeti veç simbol gojëdhënë
Hija e ndiqte hijen vdekjes në ecje ndër gjol
E plaga e qentë e varret në borë nën hënë
Tashmë qiellit gjithnjë në lot fluturon `i sokol
Vjen te kufiri e i dëgjohet vigma në gjëmë
Unë qaj nënën e vdekur në gojë me maramë
I fshij lotët dhe e ndjek pak turmën e i mbyll sytë. E imagjinoj nga shëtit atë punëtor-në prag të kremtes së Vitit të Ri, nëpër qytet. I njëjti, apo hija tjetër bredhë nëpër qytet dhe ndjehet i vetmuar. Nuk ka hapësirë te ai sipërfaqja e kremtes. I ec sheshet e ndritura para dyqanesh të stolisura, shumë i tendosur, i shqetësuar. Silueta e punëtorit, në kostum të kaltra punëtorësh, ndërron hapat kumbueshëm. Ecën i pikëlluar, që më pastaj të ndalet aty pak, aty pak, vitrinë më vitrinë shikon me kërshëri. I fërkon sytë, përqendrohet pak në ndonjë send e prapë ecën sheshit me hapa të rëndë. I shikon përkrah ndërtesat e ndritura nga kuqërrimi i ditës në perëndim e merr frymë thellë. Zemra i bëhet mal nga përfton përmes vashash e djemsh, cilët ngarendin me libra në duar në cakun e tyre, në orë të jetës.
Flamujt e shpaluar qiellit valojnë në secilën pëllëmbë.
Fluturon aty dhe zogu i zi sfondit bojëgjaku.
Lulet, flutura të bardha të borës, shkruajnë mrekullisht hapësirën. Ndjej të derdhin aromë të këndshme për cakun e ndërrimit të moteve. E ai ecën me hapa të fortë. Në duar e ka dritën, në ballë e ka qiellin, me dy yje farfuritës, në supe e bart jetën. Sytë i shndërrimin ngjyrë deti.
E harron për një çast brengën e brendshme.
Buzëqesh, pikërisht siç i pikturohet ëndrra e përhershme në shpirt.
Ecën bulevardit e një dritë e djersës e pikur nga sferë e njohur mirë i shkruhet ëmbël nëpër fytyrë.
Ecën me nxënësin, me studentin, me hijen e vet të përthyer ndër kalimtarë dhe shikon me kërshëri pullazet, verandat, shikon antenat televizive, shikon shtëpitë shtatlarta, në dritaret e të cilave zbërthehet spektër ngjyrash, derdhen të gjitha ngjyrat e dritës, krahët e jetës, krahët e të përditshmes, që e ndërtoi vetë me duart e veta të forta, me shpirtin e paepur dhe kurrë të dorëzuar para stihisë së kohës.

Tashmë pak i dridhen duart. Mendon çfarë të blejë për të kremte të Vitit të Ri e xhepat i ka të zbrazët. Ka kohë e kanë larguar nga puna e kot bën përpjekje të punojë punë krahu, kot ëndërron t’i lidh skajet e muajit me muajin tjetër dhe të rrjedhë mbarë e ardhmja.
-Çfarë dhurate të blej, t’i gëzoj fëmijët, ndërsa s`ka metelikë në xhep, – murmuritë dhe fytyra i merr ngjyrë të pikëlluar, të hirtë. A mendon për këtë peshore të jetës, e cila nuk i ndanë në pjesë të barabarta pikëllimet e ngashërimet, nuk i qet në një drejtpeshim dhe secili të ndjehet njëjtë. Vallë, çfarë mediton brenda vetes. E ndal me përzemërsi një djalosh, ia shtrëngon dorën e dorën tjetër e vë mbi kraharor. Qeshet pak. Lëviz me duar në të gjitha rrjedhat. Me gjasë e pyet diçka dhe prapë qeshet. Lëviz para, ecën. E kthen kokën prapa dhe e porosit të mësojë mirë, sepse vetëm aty është e ardhmja.
-Ja, unë, – i thotë. – Puno, puno me krah e asgjë!
E ndal më pastaj një vajzë, të cilës i tha diçka duke lëvizur me duar dhe prapë ecën. Ngjante në një figurë të hutuar, në një figurë në vetmi. Ai që e kishte trazuar heshtjen, ai që e kishte zgjuar nga gjumi i thellë rrjedhën. E kishte ndërtuar, me duart e veta të forta, muzeun e qytetit… Ecën prapë, ecën nëpër amshimin e frymëmarrjes e tokës e të gurit, nëpër frymimin e lules e të drurit të gjelbër, të ndarë në dy degë, në tri degë, në pesë degë, në shtatë degë, ndërmjet të gjelbrës e pjesërisht të thatës, të cilat secila në mënyrën e vet i dhemb mbi gji, i dhemb nën gji, i dhemb ngul mbi maje të cicës. Ofshan ashpër. E ecën nëpër udhët e këputura, nëpër damarët e zemrës së moçme e përherë të re, e cila përmes tiktakut të vet lidh fijet e kohës me fije brezash.
-Të mëdhenjtë natyrisht falin, – psherëtin e ecën me mendimin e çuditshëm, të prekur, të kafshuar nga secila anë, veç pse është i madh dhe i pa zhdukur. Ecën. Prapë e ndalë një burë me mustakë të gjatë, të thinjur. E pyet diçka e me buzëqeshje të ngrirë lëviz hutueshëm. E shpejton pak hapin. Vallë, nga ngutet?
Kë e kërkon?!
A do të arrijë ku është nisur?
Sa ka rrugë të ecën deri te vetvetja?
E njoh, zbret nëpër poret e së kaluarës, bie bashkë me copëtimin e atdheut të mbetur. Ja, i afrohet ullirit. I mbledh disa kokrra e i përtyp. Ngjitet në Kalanë e vjetër të Ulqinit. Në një gur flet me Gencin, e noton ujit. Lodhet e prapë merr not. Nuk ndalet. Arrin në Risan. Shikohet në pasqyrë, ndërsa Teuta, shtrihet e mërzitur në shtratin e mëndafshtë. Mirë e njoh. Është punëtor. Me shkollë është. Kaq mirë e njoh, veç pse është fuqia kryesore e qytetit të robëruar… Ec ky punëtor, ky baba i dritës. Është autor i fjalisë më të bukur të dëgjuar ndonjë herë nga ndonjë studiues i jetës. Thotë, nga pika e gjakut të vet, të ndritur. Me zemër. “S’i ndalë unë vajzat nga shkolla. Kurrë s`i ndalë! Më parë vdes sesa ta bëj një gjë të tillë”! Është filozof. Është arkitekt. Është mjeshtër i pallatit të rinisë, i pallatit të Bibliotekës, mjeshtër i Lagjes Dardania, i Kodrës së Diellit, i Ulpianës. E ka riemëruar të kaluarën me emrat e gjakut të vet.
Punëtor është. Mjeshtër i shquar i kopshtit të lumturisë së thurur me ura të reja. Është brez i klasës punëtore, bimë e së përditshmes.
Pa punë është, veç pse nuk e mohon kush është. Në kostume të kaltra ec bulevardit, ec hapësirës së kohës, ik lart ndërmjet imagjinatës dhe ëndrrës për një të nesërme të ngjyer me të kuqen dhe të zezën mitike. Ec bulevardit të ndritshëm, shikon në secilën anë pjesën e vet të atdheut të lashtë. Shikon e qeshet, veç pse djersa e tij ka pikuar e do të pikojë në secilën udhë të mësyrë nga e ardhmja. Ecën me hapa të fortë, krenar e në duar e ka ditën, në ballë i ka dy liqene të kaltra, i ka magjiken, e ka realen, e ka zjarrin mitik në supe e tiktakun me ritëm të përjetshëm në zemër. Në sytë ngjyrë deti, të cilët ia trazon loti pakëz. Loton. I fshin lotët. Pse nuk ka metelikë në xhepa t`u blejë fëmijëve ndonjë dhuratë për të kremten e Vitit të Ri. I fshin lotët prapë dhe i mendon një nga një fëmijët – shtatë, të cilët tërë natën e presin me kokë në dritare të gëzohen në këtë ndërrim motesh, me ndonjë dhuratë dhe me buzëqeshje të hareshme, ta shkruajnë të kremten.
Me zemër!
Nuk presin shumë, sepse ai shumë nuk ka. Sepse ai ka vetëm dashuri. E në orët dhe çastet që rrjedhin dashuria nuk është çdo gjë!
Ec e buza në vaj i dridhet.

Ai e kthen kokën në anën tjetër dhe do të ikën, nuk do t’ia shikojmë lotët që i rrjedhin nga sytë e vet të ndezur. Niset të largohet.
-Ej ti, ndal pak, – e thërras.
Ai prapë e kthen kokën dhe nuk beson ta thërras dikush, të cilin nuk e njeh. Atë e thërrasin vetëm ata, që kanë nevojë për krahun e tij të lodhur, por të mbushur me dashuri.
-Me mua e ke fjalën ti, or?!
-Me ty. Prit pak… – ai e ktheu shpinën, ik, të mos e dëgjojmë për çfarë flet.
-Çfarë do, fol, – do ta dëgjojmë të thoshte ai.
– Ndoshta njihen mes veti…
Punëtori, në kostume të kaltra, pandërprerë shpjegonte me duar diçka, për ta futur dorën në xhepi e nga aty i nxjerr disa metelikë. I shikoi dhe një herë metelikët në dorë e mori të largohej. I gëzuar do të kthehet dhe një herë, do ta shikojë me vëmendje, e do të humb në turmën e atyre, të cilët blinin e shisnin.
Ai gëzohet. Kthehet prapë dhe shikon me vëmendje.
-Mos kij merak. Çdo gjë do të jetë në rregull! Është punë e kryer… – E i habitur kthehet, e ndjek rrugën. Largohet, ndërsa pandërprerë e prek xhepin, në të cilin i lëshoi metelikët, me të cilët do t’i gëzojë fëmijët…
Nuk i fali asgjë kush. Vetëm do të jetë marrë vesh me të, që ai, me mjeshtërinë e vet t`ia kryej një punë të vogël, e cila në këtë vigjilje të Vitit të Ri është tepër e madhe për klientin. Ata e njihnin njëri tjetrin kohë më parë.
E klienti, me lot në sy e ndoq prapa punëtorin e së ardhmes, tek hyri në dyqanin më të afërm të bëj pazar e të kthehet në gjirin familjar, te fëmijët – shtatë, të cilët tërë natën e presin me kokë në dritare të gëzohen në këtë ndërrim motesh, me ndonjë dhuratë dhe me buzëqeshje të hareshme, ta shkruajnë të kremten. Punëtori bleu një bredh të vogël, dy tre grushte stoli për ta zbukuruar pemën e gjelbër për natën më të lumtur të vitit.
Mbyll sytë dhe shikoj një punëtor. E imagjinoj nga shëtit atë punëtor, muhaxhir -në prag të kremtes së Vitit të Ri, nëpër qytet. Ia shoh siluetën nga i lëviz mbi të njëjtat ëndrra, ia shoh vetëtimën me të cilën krijon vinjeta mbi hijen e vet…

Please follow and like us: