Silvana Begaj: Për mua ekziston e bukura Shqipëri dhe të mirët shqiptarë…
E vërteta që i bën njerëzit të lirë, në shumicën e rasteve, është e vërteta të cilën njerëzit preferojnë të mos e dëgjojnë! (H.S. Agar)
Lëreni pranverën të vijë!
Por, lëreni pranverën të vijë. Me të del Dielli. Ai diell që i jep jetë çdo qenieje, ai diell që lë zbuluar çdo padrejtësi. Dielli që bën sythat të shpërthejnë në lule.
Lëreni pranverën të vijë se Pranvera sjell diellin. Ai diell që duhet të ngrohë anembanë Shqipërinë, jo vetëm deri në kufij, por kudo ku ka shqiptarë.
Kërkoj të lini pranverën të vijë, por kam kohë që kam mësuar se asgjë nuk vjen vetë… Ka kohë që kam mësuar se duhet ta shpëtojmë vetë veten. Le të bëhemi heronjtë e vetes. Le të shpëtojmë veten nga këto pranvera farse 31-vjeçare.
Se Pranvera shqiptare duhet të sjellë:
– Një rini të shëndoshë e jo një rini e lodhur nga kafenetë dhe nga mungesa e mundësive për të zhvilluar ambiciet dhe ëndrrat si çdo rini nëpër botë.
– Një arsim dinjitoz dhe jo një arsim të kalbur që në rrënjë që më shumë po prodhon injorancë se dije.
– Një shëndetësi shëruese, jo një shëndetësi të sëmurë dhe korruptive.
– Një sistem drejtësie mbrojtëse dhe jo një drejtësi të inkriminuar deri në qelizë.
Kjo pranverë duhet të ngrohë çdo lloj shtrese dhe shumë më shumë atë vunerabël. Ky Diell ngroh pensionistët dhe iu jep jetë fëmijëve.
Lëreni Pranverën të vijë se njerëzit me aftësi ndryshe duan rrezet e diellit pranveror t’i ngrohi. Le ta shuajnë ato rreze atë inat, mllef, varfëri që ka rritur kaq shumë numrin e vrasjeve.
Le të shkrijnë akujt 31-vjeçarë në zemrat tona.
Lëreni pranverën të vijë që të zgjidhen këto ngërëe të kota dhe kaq të rrezikshme që kanë vrarë ëndrrat e brezave të tërë.
Le të kthejmë diellin sëbashku pa pranuar të përjetojmë hijet nga ata që kanë fshehur diellin për kaq vite.
Por dielli nuk fshihet përjetësisht se kjo është Shqipëria e shqiptarëve dhe pranvera nuk vjen me alternativa të vjetra.
Pranvera vjen me ata që na përfaqësojnë Ne, Shqipërinë, që luftojnë për të arritur objektivat me rezultate maksimale, që plotësojnë çfarë duhet të bëhet, që bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur.
Unë nuk dua fajtorë mediatikë. Dua njerëz të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Emrat e përveçëm, për mua dhe shqiptarët e ndershëm, nuk ekzistojnë. Për mua ekziston e bukura Shqipëri dhe të mirët shqiptarë.
Këto sjellin Pranverën me diell në të bukurën Shqipëri!
Please follow and like us: