Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Braçe: Zullumi e kaloi Malin e Dajtit!

Kudo ku kam banuar në qytetin e Tiranës kam patur privilegjin ta shikoj malin e bukur të Dajtit. Paskam qënë me shumë fat, por nuk e paskam vlerësuar sa duhet.
Mali i Dajtit, përpos panoramës estetike madhështore që paraqet si dhe përmirësimit të klimës së qytetit të Tiranës, mbart edhe një sërë kujtimesh sportive dhe romantike për shumë breza para dhe pas meje të cilët e kanë ngjitur që në fëmijërin e hershme, fillimisht si një ekzibicion i obliguar nga shkolla totalitare dhe më pas sipas dëshirave personale.
Që sot e tutje nuk do ta shikoj më, as unë dhe as bashkëqytetarët që banojnë në pozicionin tim. Nuk do ta shikojnë as ata që do lëmë pas, as edhe të gjithë të apasionuarit ndaj bukurive dhe mrekullive natyrore nga i gjithë planeti.
Sikur ky ndërtim i shëmtuar estetikisht, që paraqet një betonajë korrupsioni të ishte ndërtuar për mbrojtjen dhe interesin publik, padyshim që në brendësi të ndërgjegjes do ta kisha pranuar, por kur kjo katakombë e shëmtuar korrupsioni përfaqëson vetëm interesat e një personi; të atij që qendron në krye të qeverisë, vetë KM që e ka mundësiar, si dhe oligarkut që qendron në këmbë të tij… kjo më neverit më revolton dhe më radikalizon.
Nuk jam kundër zhvillimit dhe ndërtimit, por tërësisht kundër zhvillimit të gabuar, të zhvillimit në kurriz të zhdukjes së trashëgimisë sonë të përbashkët.
Gjithë këto kulla korrupsioni po ngrihen mbi parqe publike, prona të pakthyera private dhe duke shëmbur dhe zhdukur objekte të trashëgimisë kulturore, duke na lënë një qytet pa identitet, pa kujtime, pa mbresa, ose thënë më shkoqur, si qytetin që pasuroi dhe mbushi xhepat e atyre që e vunë ndër këmbë.
Please follow and like us: