Avdulla Kënaçi: CATHINKA
Tregim
Vargani i veturave të krushqve ndaloi në mes të fshatit, ose në “Qendër”, siç e thërrisnin të gjithë banorët qëkur erdhi asfalti dhe u bë sistemimi i sheshit, shtruar me pllaka betoni dhe kalldrëm tullash në formë rrethore. Qelefuni është afër qytetit, dhjetë minuta me makinë. Edhe pse dielli i fshehur pas një bishti reje po rrokullosej drejt perëndimit, ajri ishte mbytës dhe zagushia të zinte frymën. Dera e “Benzit”, zbukuruar me shirita ngjyra-ngjyra, ku besohej se ishte nusja, nuk po hapej. U desh të kalonte një copë herë që Riku, dhëndrri, të rrotullohej me nxitim tek dera e pasme duke i zgjatur nuses dorën. Ajo doli me sytë përdhe, jo se ishte e ndrojtur, por duhet të shihte mirë ku hidhte këmbët. Mos, o Zot sikur fustani i nusërisë t’i mbështillej tek takat e këpucëve dhe ajo të rrëzohej përdhe! Ishte trupdrejtë, me mes të hollë, me një fytyrë rrumbullake, si luledielli. Flokët e drejtë e të gjatë si pendë korbi, i dilnin nga velloja e bardhë dhe përfundonin afër belit. E sa për dhëndrrin, Rikun, të gjithë e njohin, se ai këtu ka lindur e është rritur, por nusen e tij, ata qindra sy, e shihnin me habi për herë të parë. Zbriti nga një fshat i Labërisë ku nuk kishte shkuar ende asfalti dhe u desh që në pesë kilometra rrugë ta sillnim mbi kalë, si qëmoti, pastaj e hipën në “Benz”.
Emri i nuses së re, qysh ditën e dasmës e nga ai çast që zbriti në Qelefun, ditë pas dite, përmendej gjithnjë e më shpesh, në çdo bisedë. Sjellja dhe bukuria e saj ishte kryelajmi në secilën vatër, por sidomos në hapësirën e vogël, mbushur me tym duhani, në klubin afër qendrës, ku shërbehej kafe, raki pa meze në shumicën e rasteve dhe thashetheme. Nusja quhej Cathinka, por banorëve autoktonë të fshatit, më shumë u pëlqente ta thërrisnin Labushe. Me këtë emër ata donin të thonin se ajo ishte e ndryshme nga ata. Nuk u mor vesh se kush e pagëzoi i pari me këtë emër, por pa kaluar as katër-pesë javë, të gjithë i flisnin kështu, me përjashtim të Rikut, i cili plot ëmbëlsi e dashuri e quante në emrin e vërtetë, Cathinka. Nga mënyra sesi ajo ecte nëpër fshat, si komunikonte dhe si sillej me të gjithë, dukej se banorëve të Qelefunit dhe njerëzve të tij, u bënte shumë përshtypje. Nuk e prisnin që ajo të ishte aq e butë dhe e sjellshme. Kishin mendim se vajzat e Labërisë ishin të serta, si vetë malet me hone e gërxhe. Mirëpo Cathinka ishte e ëmbël dhe e butë, i përshëndeste të gjithë bashkëfshatarët me buzë në gaz, sikur i njihte prej kohësh. I shikonte drejt në sy dhe u përgjigjej pyetjeve të tyre pa asnjë lloj sikleti e rezerve. Ishte e çiltër dhe e pastër si bora në majë të maleve. Ajo nuk e dinte se përgjigjet e saj përsëriteshin gojë më gojë, në formë lajmi dhe brenda ditës të gjithë e merrnin vesh se çfarë kishte thënë; për shembull sa njerëz kishte ajo në farefis, sa shkollë kishte kryer, a ishte sëmurur ndonjëherë dhe nëse kishte qenë jashtë shtetit. Qelefunasit janë mjeshtra të grumbullimit dhe shpërndarjes së informacionit. Duket sikur të gjithë janë të prirur për të qenë hetues krimesh. Qysh ditën e tretë vunë re se nusja e re kishte një nishan të vogël nën gushë, sa një kokërr orizi dhe mjekrën e kishte me gropë, ndërsa atë fytyrën si luledielli që vërejtën ditën e parë, e paskishin pasur gabim, ashtu u ishte dukur prej vellos. Labushja kishte fytyrë pakëz të gjatë dhe ecte disi duke u lëkundur. Kur këtë ‘defektin’ e fundit, në një bisedë në klub, ia vunë në dukje Rikut, bashkëshortit, ai qeshi me të madhe dhe u tha:
– Është e natyrshme, ajo është mësuar të eci në rrëpirë, mbi shkrepa dhe terren të ashpër, po do të mësohet të eci edhe në vend fushor, të drejtë e të sheshtë, si ky i yni. Po çfarë punë u prish juve kjo? – bëri ai sikur u habit.
Vërtetë, çfarë pune u prishte kjo e ecur atyre?! Halli nuk ishte aty, gjetkë flinte lepuri. Ata u morën si fshat me të ecurën e saj sepse u vinte inat e hanin veten me dhëmbë pse nuk i gjenin dot ndonjë të metë tjetër, as për bukuri, as për sjellje e as për punë.
Riku ishte vetë i tretë vëlla, dy më të mëdhenj se ai vetë, të martuar e me fëmijë të cilët prej kohësh ishin vendosur në një ishull grek. Edhe vetë ai aty kishte qenë emigrant, së bashku me ta, por dy prindërit e tij, pleq, këmbëngulën që të kthehej në fshat, në vatan, në shtëpinë e re, dy herë më e madhe se e para, ngritur nga themelet me kursimet e kurbetit të të gjithë vëllezërve. Ndoshta djalit të tyre të vogël i shkonte mbarë në vendlindje dhe gjente një nuse të mirë nga krahina e tyre. Dhe ai ua bëri qejfin, u kthye. Pas tij erdhën edhe prindërit. Me të mbërritur, Riku nuk pushoi asnjë ditë, punoi kopshtin dhe e seliti me perime, plugoi nja pesë dynymë tokë që e kishin fituar si familje me ligjin 7501 dhe e mbolli të gjithën me jonxhë. Në Greqi kishte punuar si mekanik, por në Qelefun nuk kishte ndonjë ofiçinë afër, kështu iu kthye punëve të bujqësisë, siç kishin bërë edhe të parët, brez pas brezi. Cathinkën e kishte njohur në ishull, kur ajo vinte gjatë pushimeve verore tek vëllai i saj i madh, duke punuar ca muaj si ndihmës kamerjere. Njiheshin familjarisht dhe kjo lidhje gjeti miratimin e të dy palëve. Nusja e re nga malësia solli me vete edhe zakone të reja. Ata nuk e prisnin të ishte aq shumë kurajoze dhe largpamëse, ose me vizion, siç thoshte mësuesi i letërsisë. Ajo i propozoi Rikut që katin e parë të shtëpisë ta kthenin në dyqan për fshatin.
“Mjaft i kemi dy kate të lirë përsipër, tregtia t’i sjell paratë tek dera e shtëpisë, dhomat bosh nuk të bien asgjë”, i tha ajo një mbrëmje të shoqit, pasi kishin rënë në shtrat. Ai në fillim u lëkund, por ajo këmbënguli edhe të nesërmen. Përfundimisht ktheu mendje kur dy vëllezërit nga Greqia mbështetën idenë e Cathinkës për të çelur dyqan. Kursimet nuk u mjaftonin, por morën kredi në bankë me interes të ulët dhe pa humbur kohë, dy javë pas dasmës, nisën nga puna. Cathinka u ambjentua shumë shpejt në fshatin fushor, dukej sikur ishte lindur e rritur në Qelefun. I ra shkurt; mpleksi flokët e gjatë gërshet, i rrotulloi dy herë mbi ballë dhe i fshehu pas një kapeleje me strehë ‘Adidas’ dhe u hyri punëve. Ashtu, me atë lëkurë të bardhë si cipë veze, ajo ngjante përsëri e bukur, megjithse e veshur me tuta, dukej më shumë si një çun arrakat. Nuk i trembej çdo lloj pune. Sheshoi shpejt hapësirën përpara shtëpisë, shtroi zhavorr të bardhë lumi dhe anës mbolli lloj-lloj lulesh. Në mes të oborrit vendosi një rrënjë bliri të lartë sa dy bojë njeriu. Ndërkohë Riku u mor me ndryshimin e katit të parë të shtëpisë; hoqi muret ndarës, hapi bodrum të madh, zmadhoi dritaret, vendosi frigorifer trekatësh për pijet freskuese dhe montoi nga të gjitha anët rafte për ekspozimin e mallrave. Të dy, burrë grua, punuan pa pushim, duke mos njohur as të shtuna e të diela, lere më t’u shkonte mendja për muaj mjalti. Brenda gjysmë viti e çelën dyqanin. Në inaugurim erdhën nga Greqia edhe dy vëllezërit me familjet e tyre.
Në drekën që u bë, thuajse ishte i tërë farefisi. Bisedat shkonin nga shkonin dhe rrotulloheshin përsëri tek Cathinka, punëtore e sedërqare, e cila i vuri shpatullat shtëpisë dhe ju bë krah të shoqit, si rrallë grua tjetër. E lëvdëronin për kurajon dhe punën e palodhur, arushë mali. Nami i mirë fluturoi në gjithë krahinën. Cathinkë për kokën e Cathinkës! Dyqani kishte dalë me të vërtetë për ta pasur zili. Ishte ndryshe nga gjithë dyqanet e krahinës të cilët ngjanin si furrikë përpara tij. Ishte i madh dhe i mbushur nga të tri anët plot dritë. Bashkëfshatarët nuk do të rropateshin më me torba nëpër duar e në supe duke sjellë nga qyteti ushqimet; që nga makaronat e deri tek kripa e gjellës. Të gjithë artikujt, duke përfshirë edhe bukën, qelefunasit do t’i gjenin aty, pesë çape afër portës së tyre. Nuk mbeti njeri pa e uruar çiftin e ri për këtë biznes që po i vinte në ndihmë tërë njerëzisë. Si nuk i kishte shkuar ndërmend më parë ndonjë tjetri?! Duhej të vinte nga Labëria një vajzë me emrin e çuditshëm, Cathinkë, që të ndodhte kjo. Kur këngët kishin pushuar dhe mysafirët ikën, Riku i tha i menduar nuses së tij të re:
– Zemra ime, jemi zhytur shumë në borxhe, po nuk i paguam në kohë kreditë, ia bëmë peshqesh bankës këtë dyqan kaq të bukur. Kemi derdhur shumë para dhe djersë. Është fshat i vogël, kam mendimin se nuk qarkullon shumë malli, xhirua mujore do jetë e vockël.
– Duhet të shtojmë llojet e artikujve. Të gjithë riparojnë e ndërtojnë, dita-ditës po kthehen emigrantët. Kopshtin mbrapa ta kthejmë në magazinë për materiale ndërtimi. Pastaj këtu është anë rruge, mund të ndalen edhe nga fshatrat e tjerë e të psonisin. Pozicioni është i mirë, në anë të fshatit dhe në kryqëzim rrugësh.
– Nuk e ke keq, po do na lësh pa një kokërr domate.
– Na bie më mirë t’i blejmë perimet nga fshatarët. Tregtia e materialeve të ndërtimit është gjithmonë me fitim, – tha ajo sikur të ishte marrë edhe herë tjetër me këtë lloj biznesi.
– Nuk e ke gabim, – iu përgjigj ai, pasi u mendua pak dhe e puthi në ballë gjithë dashuri e admirim. Labushja po i zbardhte faqen, nuk ishte vetëm punëtore, por edhe e mençur.
Ajo buzëqeshi e lumtur duke zbuluar ca dhëmbë të drejtë, borë të bardhë. I tregoi me gisht një varg hudhërash që e ëma e tij i kishte varur mbi harkun e portës së dyqanit për të mos i goditur syri i lig. Buzëqeshi edhe ai.
***
Nga ana e veriut të rrethrrotullimit, ose “Qendrës” siç ishte bërë zakon t’i thonin qëkur u inaugurua e rinovuar, me rastin e votimeve, ishte vendosur klubi i fshatit. Ai ishte më i vjetër sesa rrethrrotullimi. Cathinka nuk kishte hyrë kurrë brenda, por e kishte vënë re nga rruga. Ishte vetëm një dhomë, katër me katër metra katrorë, mbështëtur pas një muri të rrëzuar, të gjatë nja njëzetë metra. Kishte vetëm dy dritare të vogla, të zverdhura nga tymi i sobës me dru zjarri, vendosur afër banakut. Ato dritare më shumë rrinin hapur sesa mbyllur. Ishte model i klubeve të kantjereve të ndërtimit në kohën e socializmit. Dukej si një relikë e asaj periudhe. Kishte vend vetëm për tri tavolina, me shumë vështirësi, shtërnguar kurriz më kurriz, aq sa mezi mbyllej dera. Pronar ishte xha Tomi, ai buzëlepuri që dikur kishte qenë brigadier, një shkurtabiq barkërcyer që rruhej as s’rruhej njëherë në javë. Klientët e tij ishin të njohur, pjesa më e madhe kushërinj. Vinin për çdo mbrëmje. Tomi i furnizonte me raki edhe kur paguanin, edhe kur bënin sikur kruanin xhepat për të nxjerrë ndonjë para. Herë pas here, kur ktheheshin emigrantët në verë, mbi banak, ai nxirrte bllokun e pagesave të prapambetura. E linte aty kasten që ata të lexonin emrat e të afërmve të tyre dhe nga turpi t’i shlyenin. Në atë klub, të dhjerë nga të katër anët prej mizave, i cili në mbrëmje gumzhinte si zgjua bletësh, përse nuk flitej, që nga kataklizmotë, anijet që niseshin në planetin Mars, presidentët amerikanë, pushtetin e korruptuar dhe votimet e ardhshme… Qëkur u martua Riku, të gjitha këtyre temave iu vu vizë, vendin ua zuri emri i Labaushes dhe dyqani i ri që ajo çeli së bashku me të shoqin. Si Buzëlepuri, pronari, si klientët e tij, kurrë nuk e thirrën atë me emrin e vërtetë, por gjithnjë Labushe. Duke mos i folë në emër, ata donin të kuptohej se ajo ishte e huaj në fshatin e tyre, ishte si një jakë xhakete me copë tjetër. Kur panë dyqanin të çelej, shkuan akoma më tej, thanë se Labushja e tërhiqte burrin e saj përhundësh. Nisur nga dëshira për t’u dukur e kishte zhytur orziun në borxhe deri në fyt. E kishte trullosur e magjepsur dhe ai nuk ia bënte fjalën dysh për asgjë. Ajo çka një natë më parë ishte thënë si një trillim në atë klub, të nesërmen përsëritej si e vërtetë. Ishin biseda që qelbeshin erë raki të zier me bërësi dhe meze djathi të kripur, rrallë ndonjë trushi domatesh. Mirëpo ishte vetëm një klient që e mbronte nusen e re me insistim. Dhe ky nuk ishte dosido. Ishte Tili. Emrin e vërtetë e kishte Sotir, por të gjithë në fshat i flisnin me përkëdheli, Tili. Ia kishin frikën të gjithë. Askush nuk guxonte t’ia kthente fjalën, jo më shumë për fizikun e tij prej mundësi, apo veshjen me rroba të shtrenjta, por për bujarinë që tregonte. Të gjithë ndjeheshin të detyruar ndaj tij. Sa hynte në klub, i qeraste të gjithë, pa asnjë dallim: “Xha Tomi, jepu të gjithëve nga një dopio nga unë, shoqëruar me nga një meze!” gjëmonte zëri i tij. Tili punonte si kryemjeshtër në një firmë ndërtimi në qytet. Ishte pllakaxhiu më i mirë në gjithë Jugun. Paguhej më shumë se një inxhinier në muaj dhe mbante një makinë “Benz”, krëk të re. Me atë erdhi nuse në fshat Cathinka. Ai ishte beqar me xhepin plot, ku rafsha mos u vrafsha. Gruan e kishte ndarë para ca kohësh. Në të vërtetë ajo i kishte lënë pendët pasi i kishte gjetur në xhep të tij një letër dashurie prej një këngëtareje tallavash. Tili nuk e ndjente veten fajtor se dikush tjetër e pëlqente dhe i shkruante letra dashurie. E shoqja, kur lexoi gjithë ato përgjërime të këngëtares, nga marazi, iu akërrye duke e grisur letrën copa-copa. Kur ai ia kërkoi ta merrte mbrapsht, ajo e futi në gojë, e përtypi gjithë mllef dhe e kapërdiu në bark. “Ty t’i hanë lekët kurvat, i tha, prandaj nuk bën katandi e prokopi”. I lënduar në sedër, pasi pa se ajo i hoqi nga duart atë dokument me të cilin do t’u mburrej shokëve, i kërcyen bubat, jo vetëm që nuk pranoi faj, por e rrahu bijën e botës derisa i kërcitën dy brinjë. Të nesërmen ajo iku në qytet për vizitë tek mjeku dhe nuk u kthye më. E braktisi përgjithmonë. Ndryshe nga të tjerët, bashkëfshatarët e tij, Tili e adhuronte Labushen, jo vetëm për bukurinë, por edhe për duart e arta dhe thjeshtësinë e saj. “Ajo duhet të ishte gruaja ime”, i shkonte shpesh nëpër mend, sa herë i dilte përpara ose i përmendej emri.
– Ti, xha Tomi, e ke inat Labushen nga frika se mos ajo hap edhe klub dhe ti mbetesh me gisht në gojë, ama e di mirë se ajo është një grua shumë e zonja, nuk ia bën syri tërr, e nxori në selamet Rikun. Kurbeti është këtu, vëlla dhe jo në Greqi. Brenda një viti ata hapën dyqan. Ju nuk keni marrë vesh një lajm tjetër; në kryqëzim të xhadeve do të ngrenë një ofiçinë të re për riparimin e makinave. Një familje, dy bizneze. Rrini, rrini e llomotisni ju në këtë vrimë miu…
Ky lajm i la me gojë të hapur gjithë klientët e klubit si kolibe qeni. As kjo nismë e re nuk u kishte shkuar ndërmend. Nuk thonë kot më mirë të dish sesa të kesh. Tomi, më ziliqari, kroi zërin me maraz, u ngrit në maja të gishtërinjve, i dha pak përpara barkut të fryrë si kacek dhe tha me shpoti:
– Tani Labushja mund të hedhë rehat fall filxhanësh në dyqanin e saj të ri me ato shoqet, katënxhikat e saj, mësuesen dhe infermjeren. Nuk keni marrë vesh ju që u nxjerr kafe falas?
– Bravo i qoftë, – ia priti Tili aty për aty – ka të drejtë të ketë mikeshat e saj, ajo di si t’i mbajë pranë myshterinjtë e jo si ti që nxjerr për meze trushi të kripura që po t’ia vësh balos mbrapa, ikën me vrap i tromaksur, me kilometra larg.
Kishte të drejtë, gjithë klientët ulën kokat mbi gotat e tyre dhe në gojë ndjenë shijen e shëllirës së kripur. Fjalët e fundit i cuksën zhapën e barkut banakierit, por nuk e dha veten. Bëri sikur nuk e dëgjoi. Myshterinjtë e tij tundën kryet gati në një kohë dhe dikush i tha atij t’ua mbushte edhe nga një gotë raki, të gjithëve sa ishin aty. Tili doli me rrëmbim nga klubi dhe vendosi të mos kthehej më aty. Iu duk vërtetë si vrimë miu. Të nesërmen mbasdite, me t’u kthyer nga puna, parkoi “Benzin” përpara dyqanit të Cathinkës dhe e pyeti nëse shërbentë raki.
– Jo, – tha ajo paksa e hutuar duke ditur që ai ishte klient i rregullt i xha Tomit – por e shes me shishe.
– Më jep një shishe, – iu lut ai. Dhe ajo ia zgjati.
Pastaj i kërkoi një hapse, edhe atë ajo ia dha. Tili hapi shishen dhe e ktheu me gllu-gllu, sikur të ishte ujë. Pjesën e mbetur e vuri mbi banak dhe i tha Labushes se nesër do të kthehej përsëri. Do të ishte mirë që në hije të blirit, veç shishes së tij, të gjente një tavolinë të vogël dhe një karrige. Cathinka nuk dinte si të përgjigjej, u skuq gjer në rrëzë të veshëve dhe deshi të thoshte diçka, por iu kujtua “Benzi” i tij me të cilin erdhi nuse dhe vetëm sa buzëqeshi ëmbël. Më pastaj tundi kryet në shenjë miratimi. Ishte muaji qershor dhe gjithë sheshi përpara dyqanit kundërmonte nga aroma e luleve të blirit. Kur dielli kthehej nga ana e perëndimit, hija e blirit priste mespërmes sheshin përpara dyqanit. Të nesërmen, Tili aty gjeti edhe tavolinën me karrige, edhe shishen e rakisë që kishte nisur vetë. Mori frymë i lehtësuar dhe hapi celularin për të parë mesazhet: “Mirëseardhe në dyqanin tonë, më prit sa të vij edhe unë e ta pimë një gotë së bashku”, i shkruante shoku i tij i fëmijërisë, Riku. Vuri buzën në gaz. Nusja e tij e re e kishte vënë në djeni për gjithçka. Pas pak u dëgjuan fishkëllimat e rrotave të një makine që u rrotullua mbi asfalt. Ishte makina e Rikut. Erdhi e u ul në cep të tavolinës, në një karrige të dytë dhe tha:
– Me këtë tavolinën në mes të oborrit të dyqanit, ma ke futur nusen në siklet, o xhan i vëllait. Duket sikur kërkojmë t’i bëjmë karshillëk Tomit. Ime shoqe nuk deshi të nxjerrë tavolinën përjashta, por unë ia mbusha mendjen për hatrin tënd. Kisha dëshirë të bëja një dorë muhabet me ty. Na mori frymën puna, pesë metra larg e nuk shihemi me ditë të tëra.
– Eee, i ka kapitalizmi këto, të ngordh në punë, – tha Tili dhe ngriti gotën e bëri gëzuar – sa për Tomin, mos e çaj kokën, vëlla, po bëri llafe, ia përdredh qafën si të zogut.
– Jo, nuk dua sherre, nuk dua të prishem me njeri në fshat, e kam amanet nga babai. Në këtë jallane ka vend për të gjithë, vetëm dembelët dhe hajdutët janë në hall.
Ndërkohë Cathinka kishte përgatitur mezet, ca qepë e hudhëra të njoma, djathë të freskët, sallam të skuqur dhe feta buke të thekur. Nuk harroi të shtrojë mbi tavolinë një mbulesë të qëndisur me dorë dhe peceta borë të bardha, një për secilin. Tilit i bëri përshtypje rregulli dhe pastërtia. E shpejtë si një flutur, gati e padukshme kjo Labushja. Ajo bëri shërbimin dhe u kthye përsëri tek banaku i dyqanit. Nuk ndërhyri fare në kuvendimin e dy miqve të vjetër. I la në qejf të tyre. Tili vazhdoi të ngasë fjalën:
– Do të të jap një mendje, ti ke goxha vend këtu, Riku, shtroje me çimento nja gjashtëmbëdhjetë metra katrorë dhe mbuloje me mushama. Të kujtohet si e bënin në Greqi nëpër plazhe? Del një goxha klub. Në dimër, për ngrohje, vendos mu këtu në mes një furnelë me gaz. Shtrimin me çimento ta bëj unë, falas.
– Me kësmet, ty të falnderoj, vëlla, tani për tani nuk bëj asnjë harxh, të shohim në fund të vitit kur të bëjmë bilancin sesi do na shkojë dyqani.
Herë me Rikun e herë pa të, Tili kthehej vazhdimisht tek tavolina e tij dhe vazhdimisht e zonja e dyqanit do të sillte për meze diçka ndryshe. Tri herët e para ajo nuk pranoi të marrë lekë, përveçse rakisë, por për rastet e tjera ai bëri be kokën e prindërve dhe tha se nuk do t’u fliste më me gojë po qe se ata nuk do të merrnin hakun e mallit dhe shërbimin.
Më në fund Tomi e kuptoi se po e humbte Tilin si klient. Ai kishte gjetur rehat e kënaqësi andej nga dyqani i Rikut. Ziente nga inati. Qëkurse i nxirrej tavolina më vete dhe i shërbehej me meze speciale, të përgatitura në shtëpi, ai mendoi se kjo ishte një thikë mbas shpine nga ana e Labushes. Ajo me kast donte ta shkatërronte. Ashtu, si rastësisht e pa të keq, pyeste se ç’bëhej nga dyqani i ri. Ia kishte frikën konkurencës. Disa i thonin se aty hynin e dilnin vetëm mësuesja me infermjeren dhe të tjerët shtonin se së shpejti dyqani do të falimentonte ngaqë kishte pak klientë. E keni gabim, shtoi një tjetër, aty kanë filluar të kthehen turistët.
– Turistë? E ç’duan turistët aty? Me çfarë gjuhe merren vesh? – pyeti Tomi i habitur.
– Turistëve u pëlqen pastërtia, dyqani i Labushes është llambs, me kondicioner, ka prodhime vendi, çaj, mjaltë, salep, rigon dhe trahana Lunxhërie.
– – U ç’na the, do marrin turistët trahana Lunxhërie!
– Të duket çudi ty, Tomi, trahanaja e Lunxhërisë dhe glikoja e Përmetit ka hyrë gjer në dyqanet e Amerikës. Unë kam një kushëri në Boston dhe ai më ka treguar.
– Po mirë, po me cilën gjuhë merret vesh labushja me turistët, apo me dialektin lab? – bëri ironi Tomi.
– I qafsh hallin, unë e kam parë vetë që ajo flet edhe greqisht, edhe anglisht, është me shkollë, jo si puna jote, – tha një djalë i ri.
Kjo Labushja paska qenë e tmerrshme, e pangopur për para, tha me mendje Tomi, do më vërë minat, bushtra, do më lerë pa bukë, do më shkatërrojë. Ku dreqin erdhi e m’u poftis në fshat? Si t’ia bëj, si t’ia gjej havalenë?!
***
Erdhi vjeshta dhe Tili e mbajti fjalën; një të diel, në oborrin e dyqanit u pa si shtroi një rrjetë hekurash të kryqëzuar, pesë metra me pesë. Riku i shërbente si ndihmës duke lidhur telat. Të nesërmen nga kompania e tij erdhi një autobot me beton të cilin e kishte porositur ai vetë. Shoferi e zbrazi me kujdes përmbi zgarën e hekurave duke e shpërndarë proporcionalisht. Brenda ditës betoni u shtrua dhe përsipër iu dha një dorë lustre. E lanë të thahej për tri javë rresht duke e njomur çdo ditë me ujë, me qëllim të mos plasaritej. Nuk vonoi shumë dhe mushamaja, ose tenda, erdhi me porosi nga ishulli i Korfuzit. Ishte pak e përdorur, Cathinka e kishte kapur shumë lirë nëpërmjet lajmërimeve në internet. Atë ditë që u ngrit mushamaja mbi platformën e betonit, klientët e gjetën Tomin të bërë xurxull. Për të larguar dhimbjen e kokës, kishte pirë fill i vetëm, me klubin zbrazur, pa njeri. Nëpër dhëmbë, sikur përtypte shkarpa, përsëriste vazhdimisht “…abushja, abushja, abushja…”. Klubin atë natë e mbylli një kushëri i tij i cili e përcolli në shtëpi të vet duke e plandosur mbi një divan të vjetër. Aty e la gjersa e zuri gjumi, por edhe gjatë natës ai përtypte e brente nëpër dhëmbë po të njëjtat fjalë që thonte në klub. Të nesërmen ai e çeli përsëri klubin sikur nuk i kishte ndodhur asgjë. Emrin e Labushes nuk e përmendëte më, edhe kur e provokonin klientët, duke ia ditur xanxën, domethënë atë pikën e dobët. U duk sikur nuk e kishte më problem. Pinte raki me kursim dhe i rrëshqiste si ngjalë të dehurit. Kishte frikë se mos gjatë pijes i shpëtonte ndonjë sekret.
Kishte ardhur vera dhe Tili kishte ikur në plazhet e Kroacisë me një dashnore të re, flitej se me atë do të martohej. Ai nuk dinte se në fshat kishte plasur gjëma, skandali. Emri i tij dhe i Labushes qarkullonte në ca fletushka të printuara të cilat ishin shpërndarë shteg më shteg, si në kohën e luftës partizane. Thuhej se Tili kishte rënë në sevda me Labushen dhe e kishin parë gjithë ata njerëz faqe më faqe me të. Gumzhinin shtëpitë e fshatit, zienin thashethemet në klubin e Tomit. Ishin dy emra të njohur që përsëriteshin në çdo pesë minuta; Tili dhe Labushja, jazëk u qoftë!
– Prandaj u ngjit e nuk shqitej nga dyqani i ri, – thonin duke komentuar klientët në tavolinën e parë të klubit.
– Ehu, kot e ngriti Tili çadrën përpara dyqanit, si në fushimet ushatrake, – flitej në tavolinën e dytë.
– Thëngjill i mbuluar paska qenë ajo Labushja, e po bukuria e faqes, kusur i mollaqes, – gjëmonte e qeshura në tavolinën e tretë.
Banakieri, Tomi, i dëgjonte të gjitha këto dhe një shkulmë gazi i niste nga zhapa e barkut e i ngjitej gjer në grykë. Po nuk shkoi shumë gjatë ky gaz e kjo hare. Kur ja, tek dera e klubit u fanit vetë Labushja e veshur me tuta sportive dhe kapelen ‘Adidas’ mbi krye. Sytë i shkreptinin xixa. Turfullonte gjithë vrer. Ishte e para herë dhe e fundit që hynte në atë klub. U drejtua tek banaku. I ra fort dërrasës së suprinës me grusht dhe bërtiti:
– Ti, zuzar, shpërndan trakte nëpër fshat me emrin tim, intrigant! Mendon se unë nuk jam e zonja të të tregoj vendin nga që vij nga një fshat i huaj?! Nuk jam si ti që kurvëroje me kooperativistet në hangar të duhanit duke ua shpërblyer ‘mundin me ditë pune. Nuk jam si ti, spiun me pseudonimin ‘Rrushkulli’ që paguheshe fshehurazi nga sigurimi me 800 lekë në muaj?! Faqezi, shpifës! Mblidh fletushkat, zagar! Sot të erdha vetëm, herën tjetër do të vij vetë i dytë, atëherë gjej vrimë ku të futesh!
Kaq tha Cathinka dhe u zhduk në errësirë, drejt shtëpisë së saj. Klientët mbetën të nemitur e me gojën hapur. Nuk ua priste mendja që një nuse e ardhur t’i sokëllinte ashtu një burri të vjetër të fshatit të tyre. Asgjë nuk pipëtiu. Xha Tomi nuk arriti të thotë asnjë fjalë. Nuk lëshoi asnjë tingull. U rrudh e u mblodh pas banakut sa një grusht gjë. Në dy minuta u çburrërrua krejt dhe emri i tij erdh e u rrëzua përtokë, veç të tjerave, qenkishte spiun veteran. Kur Labushja bërtiste dhe ngriti dorën lart, ai kishte vënë re se diçka i llamburiti në brez. Ajo ishte e armatosur. Ishte i sigurt, nuk mund ta gënjente syri. Duhet të kishte me vete një revolver. Nuk qenkanë vetëm burrat e asaj krahine kokëkrisur, por edhe gratë. Larg duart prej tyre! I shkoi ndërmend shprehja: “Një dorë që nuk kafshohet, lëpihet”.