Frank SHKRELI: “Kampionët e reformës në drejtësi” në Shqipëri
Shqiptarë, flini rehat! Jeni në duar të sigurta, të pakën sa i përket reformës në drejtësi, dua të them, se probleme të tjera që ua lenë natën pa gjumë ka mjaft. 6 javë më parë u njoftuam se Shqipëria kishte një “kampion të drejtësisë”, madje të dalluar në nivel ndërkombëtar, ndërsa këtë javë morëm haberin e ri se në këtë ndërkohë qenkan shtuar “kampionët” e reformës dhe mbrojtësit e zellshëm të drejtësisë në Shqipëri. Frank Shkreli: Një prokuror i ish-regjimit komunist dekorohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit | Gazeta Telegraf – Thuhet se Shqipëria tani ka të pakën dy dyzina “kampionë” të drejtësisë. Çfarë suksesi i madh! A thua se pas 30 vjet post-komunizëm, më në fund shohim, në anën tjetër të tunelit të errët të drejtësisë shqiptare, dritën e reformës përfundimtare të drejtësisë në Shqipëri? Ku ishin këta “kampionë” të drejtësisë më herët? Si nuk i janë bashkuar kampionatit 30-vjeçar për reformën në drejtësi këta burra e burrëresha gjatë gjithë këtyre viteve? Por pyetja më e madhe është se cilat janë meritat e këtyre “kampionëve” për reformën në drejtësi.
Por sidoqoftë, nëse vazhdon kështu të rritet numri i “kampionëve të drejtësisë” nga java në javë në Shqipëri, kujdes Danimarkë se po vjen Shqipëria dhe ta zë vendin e parë për drejtësi shoqërore në botë. Për më tepër, Shqipëria ka prokurorë e gjykatës me përvojën më të madhe se çdo vend tjetër ish-komunist në Europën Lindore due Qendrore, me edukatë dhe përvojë në “drejtësinë e popullit”, të “diktaturës kushtetuese” të komunizmit enverist.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara anë Tiranë në një njoftim në fejsbuk njofton se, “gjatë ‘vizitës së tij virtuale’ në Shqipëri , Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer u takua me Kampionë të Reformës në Drejtësi nga institucionet shtetërore, institucionet e pavarura të drejtësisë, media, shoqëria civile dhe fusha akademike. Gjatë diskutimit të tyre, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi dhe përkushtimin e tyre për demokratizimin, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Ai njohu punën e të gjithë pjesëmarrësve në përparimin e reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke u thënë se përkushtimi i tyre është thelbësor për të çuar më tej përparimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe po i mundëson vendit të bëhet një demokraci më e fortë. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo ka filluar të tregojë rezultate tashmë – dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim ndërsa ju ecni përpara për të zbatuar reformat, si me përkrahjen tonë, ashtu edhe me programet tona të ndihmës… Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah jush ndërsa ju ndryshoni kulturën e ngulitur të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, u ka thënë Zv. Ndihmës Sekretari Palmer, atyre që u cilësuan si kampionë të reformës në drejtësi në Shqipëri, gjata[ vizitës së tij virtuale në atë vend.
Unë nuk dëshiroj të denigroj seriozitetin me të cilin ambasada amerikane e ka marrë reformën në drejtësi dhe nuk dua të nënçmoj as punën që mund të ketë bërë ndonjëri prej këtyre “kampionëve” pjesëmarrës në atë takimin virtual me Z. Palmer, por kurioziteti, për të mësuar diçka më shumë për kontributin e tyre, nuk të le rehat për të mësuar diçka amë shumë për këta kontribues të reforës në drejtësi. Në njoftimin e Ambasadës thuhet se, “Ai (Z. Palamer) njohu punën e të gjithë pjesëmarrësve në përparimin e reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke u thënë se përkushtimi i tyre është thelbësor për të çuar më tej përparimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe po i mundëson vendit të bëhet një demokraci më e fortë”. Unë, si një taksapagues amerikan do të doja të dija se cili është kontributi i këtyre pjesëmarrësve në drejtësi – si individë dhe si grup — ashtuqë që të festojmë me ta së bashku arritjet e tyre dhe të shoqërisë shqiptare në fushën e reformës në drejtësi dhe t’i nxisim ata, siç tha edhe zyrtari i lartë amerikan Z. Palmer, këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi”, në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”. Por, fatkeqsisht, ka shumë njerëz në Shqipëri – në politikanë, prokurorë dhe gjykatës — që gjatë këtyre tre dekadave kanë penguar zhvillimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, disa prej të cilëve edhe mund të konsiderohen sot si “kampionë” të drejtësisë. Këtë nuk e them unë, por janë, pikërisht, ndërkombëtarët e të gjitha niveleve, që vit pas viti kanë shënuar shkeljet flagrante të drejtave të njeriut dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të zhytur në korrupsion. S’do mend se Shqipëria ka nevojë për ndryshime radikale në sistemin juridik, por nuk besoj se një paradë e tillë në televizion me njerëz që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë dhe me disa përfaqësues të drejtësisë ish-komuniste, i shërben kauzës së reformës në drejtësi në atë vend. Pa dashur të përmend të pakën tre raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit mbi problemet serioze të drejtësisë shqiptare deri më sot, përfshirë Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut, ku përmendet pandërshkueshmëria si një problem serioz– për mua është e pakuptimtë një shfaqje e tillë në këtë mënyrë dhe në këtë kohë–2-3 javë para zgjedhjeve të përgjithshme.
Të gjithë ia duam të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë. Në të vërtetë, duam që Shqipëria të bëhet si Danimarka ose si Zvicra. Por duam që drejtësia të mbretërojë dhe të zbatohet për të gjithë njësoj, veçanërisht, një shoqëri si Shqipëria që ç’prej themelimit të saj nuk ka parë kurrë drejtësi, e sidomos për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Të gjithë jemi të vetdijshëm se drejtësia, liria dhe barazia janë faktorë të rëndësishëm që një shoqëri të përparojë dhe të shkojë përpara. Pyetja është se si të arrihet deri tek ky qëllim. Unë nuk besoj se duke vendosur në detyra me përgjegjësi për reformën në drejtësi, përfaqësues të “gardës së vjetër” të diktaturës, është mënyra për të siguruar reformën në drejtësi dhe për të sjellur paqën dhe pajtimin në Shqipëri. Një lëvizje për një sistem juridik më efektiv duhet që të bashkojë të gjitha palët e spektrit politik me qëllim që të lehtësohet krijimi i një atmosfere të re pajtimi kombëtar, kushtuar forcimit të dialogut se si mund të çohet përpara drejtësia, siguria dhe barazia për të gjithë shqiptarët, pa dallim. Barazi dhe drejtësi do të thotë trajtim i barabart nga shteti dhe shoqëria, mundësi për përparim për të gjithë pa dallim dhe mbrojtje nga drejtësia, sidomos për ata që në të kaluarën kanë qenë viktima të sistemit. Barazi e drejtësi do të thotë zhdukja e pengesave që kanë bërë të pamundur deri më tani pjesëmarrjen e plotë të disa grupeve – siç janë ish-të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre – në sistemin juridik dhe në reformën e drejtësisë. Diversiteti ose gjithëpërfshirja krijon, detyrimisht, një mjedis në të cilin individët dhe grupet e ndryshme të lëna pas dore dhe të shtypura, historikisht, ndjehen të mbështetura, të respektuara dhe të vlerësuara nga sistemi në fuqi, për pjesëmarrjen e tyre në vendimet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen sot shqiptarët.
Për derisa politika dhe drejtësia shqiptare nuk merren seriozisht me trashëgiminë dhe me të kaluarën e krimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, prej gjysëm shekulli – ashtu siç kanë bërë shumica e ish-vendeve komuniste të Europës – në Shqipëri nuk do të ketë drejtësi. Kjo nuk është vetëm një çeshtje drejtësie, por është edhe një çeshtje morale, që kërkon përgjegjësi dhe zgjidhje nga ana e organeve të shtetit dhe të drejtësisë. Në Amerikë përdoret fraza: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Për viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës drejtësia është vonuar për një kohë të gjatë tashti. “kampionët” e drejtësisë mund të mendojnë ndryshe, por drejtësia është diçka më tepër se të burgosësh hajdutin dhe të korruptuarin. Drejtësia, mbi të gjitha, ka të bëjë me jetën dhe me vdekjen. Nuk e kam fjalën për hakmarrje, por pandëshkueshmëria dhe mos llogaridhënia për krimet e komunizmit nuk mund të pres më gjatë. Shoqëria shqiptare duhet të përballet me atë histori të hidhët, sa më parë aq më mirë. Deklaratat e fundit nga figura publike dhe politike shqiptare duke glorifikuar komunizmin janë tepër të dëmshme dhe përçarëse. Edhe drejtësia e re shqiptare ka rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë mes. Prandaj nuk janë nostalgjikët e atij sistemi kriminal, qofshin ata në politikë ose në sistemin juridik, që mund të bejnë ndryshimin e madh. Thjesht, kjo është një çështje kredibiliteti! Prandaj, nëqoftëse dëshironi që të siguroni drejtësi për brezat e ardhshëm, është e nevojshme që të vendosni drejtësinë për të kaluarën dhe për të tanishmën. Unë do të dëshiroja që disa prej këtyre “kampionëve të drejtësisë”, disa prej të cilëve i njoh si gazetarë, të luajnë rolin që mund të luajnë në mediat e tyre në mbrojtje të të drejtave të viktimave të komunizmit, si një kusht paraprak për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabart për të gjithë.
Unë e kam thenë edhe më përpara dhe do vazhdoj ta them deri sa të kem mundësi se nëqoftëse reforma në drejtësi do të jetë e besueshme, efektive dhe serioze, ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Duhet të përfshijë edhe prokurorë e gjykatës nga shtresat jo të përfaqësuara deri më tani, siç janë ish-të përndjekurit e komunizmit. Ky është standardi amerikan, sistemi duhet të jetë gjithëpërfshirës, përndryshe nuk ka kredibilitet. Shqiptarët e dinë mirë se kush janë e kush nuk janë kampionët e drejtësisë. Po e përfundoj me një koment të marrë nga një lexues në fejsbukun e Ambasadës amerikane në Tiranë, pyetje që edhe unë vet e kam bërë edhe herë tjera, por duket se është një ndjenjë që ndahet nga shumë të tjerë, siç pasqyrohet edhe nga komentet në faqen fejsbuk të ambasadës:
Nga US Embassy Tirana Facebook:Atdheu jonë loton: A ka ndonje prokuror te persekutuar te rregjimit komunist kjo reforma ne drejtesi e nderueme Zonja Yuri Kim? Nese me ktheni pergjigje ju falenderoje shume. Na thoni emrat ju lutem. Te behet e besueshme reforma ne drejtesi duhet te kete prokuror nga klasa e perndjekureve politike, perndryshe eshte fallco,ashtu sic nisi demokracia ne 1991 dhe na doli diktature e dyte 30 vjecare!!
“Kampionët e reformës në Drejtësi” në Shqipëri gjatë një takimi virtual organizuar nga Amabsada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Z. Matthew Palmer
Drejtësi për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë shtresat e të përndjekurve politikë të periudhës së komunizmit