Albspirit

Media/News/Publishing

“Nuk bëj kompromis me zërin e qytetarëve”, Lediana Fratari: Të gjithë duan ndryshim, kërkoj mbështetjen e rinisë shqiptare për t’i përfaqësuar në parlament

Kandidatja e PD-së në Qarkun e Tiranës, me nr. 34, Lediana Fratari, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se nuk bën asnjë lloj kompromisi me zërin e qytetarëve.

Fratari theksoi se kudo që shkon e bën fushatë, vë re se qytetarët e duan ndryshimin.

“Ishte zgjidhje e imja që të isha pjesë e garës, jam numri 34 në listën e Tiranës. Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Unë besoj thellësisht se ka nevojë për shpresë dhe të rinjtë janë ata që mund të sjellin ndryshime. Kemi tetë vjet keqqeverisje dhe programi i PD premton gjëra që janë të arritshme, për të sjellë normalitet për qytetarët. Kur takoj qytetarët në Tiranë, të gjithë duan ndryshim në çdo sektor.

Kam qenë pjesë e PD-së prej kohësh dhe ka qenë dëshirë e imja që të jem në listën e Tiranës dhe të konkurroj për deputete. Unë besoj tek e djathta, sepse unë vij nga familje e djathtë, paraardhësit e mi kanë qenë të përndjekur dhe ndjej që të sjellë ndryshim. babai im ka ndërtuar firmën e parë të ndërtimit në Shqipëri, angazhimet e tij kanë qenë të shkëputura nga politika, por unë besoj se ndryshimi vjen nga politik-bërja”, tha Fratari.

 

Lediana Fratari nënvizoi se kërkon mbështetjen e rinisë, për të përfaqësuar sa më denjësisht ata.

“Kërkoj mbështetje nga rinia. Iu kërkoj që të votojnë njërën, që është njësoj si ata. Dua që të sjellë ndryshim dhe rinia është ajo që thith më shumë idetë e reja. Për të përndjekurit politikë, janë kërkesa që duhet të plotësohen. Duhet bërë Ligji i Lustracionit. Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që nuk ka zgjidhur këtë gjë e është kusht i BE-së.

Basha ka premtuar se Shqipëria do të integrohet në BE. Unë kam mbaruar për Shkenca Politike dhe e di sa e rëndësishme është që vendi ynë të integrohet në union. Basha ishte ai që iu dha shqiptarëve lëvizjen e lirë dhe ne e kemi parë sa e rëndësishme është lëvizja qytetare drejt Europës. Nuk bëj kompromis me zërin e qytetarëve”, u shpreh Fratari.

 Më tej, Fratari tha se shit-blerja e votës është një problem shumë i madh në Shqipëri.

“Kemi parë shitje dhe blerje votash në Shqipëri, por kjo mënyrë dënohet me ligj. Shit-blerja e votës është fenomen që sa vjen e shtohet në Shqipëri dhe lidhet me varfërinë e madhe në vend. Në njësinë 5 mund të ketë raste sporadike, në qendër të Tiranës është pak më vështirë, por ndodh edhe nëë kryeqytet e në zona të tjera të Shqipërisë. Qeveria duhet që të sigurojë që të mos ketë shit-blerje votash”, deklaroi Fratari.

Lediana Fratari iu ka premtuar qytetarëve, se do të jetë besnike e kauzave qytetare.

“Unë i kam bërë premtim PD-së se dua të jem në Kuvendin e Shqipërisë. Premtoj se nuk do bëjë asnjë kompromis dhe të sjell frymën e rinisë, që të ndryshojnë shumë gjëra në vend. Shqiptarëve iu është shuar shpresa, nga rrënimi ekonomik, nga premtime boshe për 300 mijë vende pune që nuk u hapën kurrë, me shëndetësinë falas që nuk u bë kurrë e tillë. Dua të bëj premtime reale dhe t’i mbaj ato, duke qenë besnik me qytetarët”, përmbylli Fratari.

(Balkanweb)

Please follow and like us: