Arben Braçe: Libri im i ri “Refleksione në kohë pandemie”
Këto ditë Shtëpia Botuese “Fan Noli” boton librin tim të ri “Refleksione në Kohë Pandemie”.
Libri përmbledh një sërë opinionesh dhe refleksionesh që morën shkak nga situata e krijuar prej Pandemisë së Covid-19. Realiteti na tregoi se, Covid-19 e gjeti botën tërësisht të papërgatitur. Ai nënshtroi me një lehtësi fatale të gjithë botën postmoderniste duke përfshirë si vendet më të zhvilluara industrialisht, por edhe ato më pak të zhvilluara.
Këmbana e alarmit prej dekadash kishte rënë, por askush nuk e kishte marrë seriozisht. Në një mori analizash të pafundme ekspertët e mjedisit, të ekonomisë dhe financës, të së drejtës distributive dhe politikës sociale kishin dhënë shpjegime të qarta mbi rrezikun që i kanosej zhvillimit tonë planetar si pasojë e sundimit të ekonomisë neoliberale, ose thënë më shkoqur “terrorit të ekonomisë” të një ekonomie tregu të “lëshuar nga frerët” që i intereson vetëm fitimi pa marrë në konsideratë pasojat sociale dhe mjedisore, që vetëm kohët e fundit, na çoi në katastrofa natyrore, sikur ajo e djegies së pyjeve të Amazonës, Australisë etj.
Koha na tregoi, se bota është zhvilluar sipas “një barbarie të ligjshme”, pra në kurriz të shkatërrimit tërësor të mjedisit dhe shoqërisë dhe nga ajo që vërejmë, janë të paktë zërat, që kanë kurajën të provojnë dhe të kundërshtojnë, se drejtimi i zhvillimit të deritanishëm, nuk është i duhuri dhe po të vazhdojmë kështu do të mbërrijmë në një radhë katastrofash të tjera.
Me një krizë të tillë, ndoshta edhe shumë herë më rëndë se vendet e zhvilluara dhe të industrializuara u përfshi edhe vendi i im. Pandemia e shkaktuar prej Covid-19 dhe karantina e vendosur për parandalimin e tij i lanë duar të lira politikës qeverisëse, Kryeministrit, tregut të shfrenuar, të akaparuar prej oligarkisë financiare vendase dhe asaj ndërkombëtare për rrafshimin pasurisë publike shqiptare, duke e orientuar atë drejt një zhvillimi të gabuar, pa rregull dhe urbanizim. Për shkak të etjes për të fituar, drejt zhdukjes së një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore dhe historike, duke shfarosur identitetin e vjetër autentik shqiptar, të cilin nuk mundën ta bënin me dhjetëra ushtri pushtuese të huaja, ndërsa ia “doli” mjaf mirë ta realizojë tregu i pamëshirshëm i korrupsionit dhe i oligarkisë.
Po kështu në këtë botim, do të gjeni edhe një sërë opinionesh mbi shkakun që solli Covid-19 dhe krizën e përgjithshme ekonomike dhe social-botërore, një sërë zgjidhjesh për daljen nga kjo lloj ekonomie neoliberale që e prodhoi këtë krizë, si dhe modelin e shëmtuar të ekonomisë dhe të korrupsionit të oligarkisë ekonomike dhe pushtetare shqiptare që shfrytëzuan kushtet fatale për të nxjerrë fitime marramendëse në kurriz të shqiptarëve dhe pasurive të tyre publike si dhe duke bërë lëshime politike dhe diplomatike që cënojnë direkt sovranitetin e pëbashkët .
Please follow and like us: