Zaho Golemi: HABIL XHUVANI, LABI QË GJAKUN E DERDHI PËR SHQIPTARIZMËN
(Kushtuar dëshmorit të Atdheut Habil Xhuvani (1824-1854), birit të fshatit Fushëbardhë që gjakun e derdhi në mbrojtje të rrënjëve shqiptare, të kombit, gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare. Është dëshmori i rënë në Luftën e parë për Vilajetin e Janinës më 1854 dhe ka hyrë në histori si brezi i burrave të besës, nderit dhe gjakut të derdhur për liri. Është dëshmori i dytë për nga radha e rënies të fshatit Fushëbardhë, pas rënies në fushën e betejës të Bajo Kazo i parë (1820-1854), që të dy në proces për t’u shpallur dëshmorë të Atdheut në zbatim të Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”; Fakt është se ky ligj ka hapur dritën jeshile për statusin “Dëshmor i Atdheut”, një procesi të munguar gjatë për bijtë e kombit shqiptar që gjakun e derdhën për Mëmëdheun, për truallin arbëror).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Fushëbardha – djep i trimërisë dhe mençurisë
Fushëbardha është një fshat, por kur është fjalë për trimëri e mençuri është krahinë, është një copëz e truallit arbëror, që i ka dhënë vendit shumë dëshmorë. Fushëbardha ja ka vënë vetë emrin vetes dhe e mban këtë emër, që kur ajo është krijuar sepse është e shtruar me zall të bardhë me një shesh të bukur në qendër. Fushëbardha ka një identitet të lashtë nga shpella e Papa Zhulit, selia ku banonte dhe drejtonte me dorë të hekurt, mencuri e fisnikëri prijësi i shquar Papa Zhuli. Dy këmbanat e mëdha të florinjta si dhe selia-kala natyrore në format shpelle shkroi epokë historike kuvendore dhe legjislative. Lumi i bardhë, dy lagje të mëdha natyrale dhe disa copëzime më të vogla i japin bekim vendit dhe shenjtëri njerëzve të saj. Ujërat e ftohta të burimeve, kurora e pemëve, kodrat, pllajat, livadhet e mallet e saj janë të sinkronizuar me një kodër-xhami që rrethohet me njërëz punëtorë e shpirtbardhë, të besës dhe të qëndresës. Klima pak e sertë në dy tre muajt e dimrit e bën fshatin të gjallojë e begatojë në çdo kohë.
Fushëbardha kishte dhe ka djem e vajza, që ja kanë ngritur lavdinë dhe krenarinë fshatit. Ata luftuan dhe mbijetuan shekujve dhe në shekullin XX u arsimuan shkëlqyen në fusha të ndryshme të jetës. Gjithë fiset e Fushëbardhës kanë qenë në unitet zhvillimi, në unitet luftarak dhe në unitet jete, që çdo copë të vendit dhe në çdo vend ku kanë shkruar historinë e luftrave, zhvillimit dhe qëndresës si në këto emërtime që janë kaq të dashura për çdo fushëbardhiot si: Kakostama, Dhim Qurk, Llakatur, Piri, Piks, Qafë Dardhë, Kaçullat, Çuk Gjinikë, Bidërgjon, grykën e Mokrrave, Shpellë e Zhulit, Gjonthanas, Gjikeç, Gjinaz, Taroninë, Qafa e Bardhë, Petroshi, Lugje, Shtrungës, Llucë, Qafallauzi, Stravua, Gramatia, Skërfica, Pillua, Tisa, Baça etj. Blektoria ishte një tjetër dashuri shekujve, që njësohej me Vratomisnjën, Luvadhi, Vranjova, Olena, Koqinovë e deri në qafë të Breshërit.
Në çdo vend ka një histori, trimëri, luftë, punë, djersë, djalëri e passion për vendlindjen, që gjithmonë të rinon dhe gjallëron shpirtin. Kështu kanë qenë djemtë e Fushëbardhës gjithmonë. E donin me passion dhe paparagjykime vendlindjen, ngriheshin në luftra shekujve për liri dhe gjakun nëpër beteja nuk e kursyen kurrë për liri. Në ngjarjet më të mëdha të histories, Fushëbardha ka pasur kudo përfaqësuesit e vet, djemtë e kuvendeve, të luftës, të punës, të mençurisë. Fushëbardha ka nënshkruar me emrin e saj kudo si një pjesëz e Labërisë, si një margaritar i civilizuar, ka dëshmuar historinë, ka shkruar historinë me trimëri, me gjak, me sakrifica, me penë. Është vend i vlerës së njerëzve të çmuar, që dëshmojnë lavdi e krenari, që nderohen dhe të respektohen për atë që kanë bërë e treguar. Fushëbardha dekadave ka qenë dhe ka ngelur në vëmendje të veçantë, për çfarë i kanë dhënë shoqërisë dhe kanë ngelur në këngë, në libra, në lapidarë e memorial, por mbi gjithcka ka dëshmorët e saj shekujve luftarakë, që ndrijnë me shkronja të arta në altarin e lirisë. Kaluan shekujt dhe ngeli madhështore në majat labe mbeti denjësisht e krenarisht në përjetësinë e lavdishme të së shkuarës.
Fushëbardha është shëmbëlltyrë e mençurisë dhe historishkruar sepse nuk ia kurseu kurrë bijtë e saj për lirinë. Nga një përllogaritje gati dyqind vjeçare vëzhgojmë të shkuarën historike të bijve të rënë të saj në hulumtime në libra, në arkiva, në këngë, në memoriale, në trashëgiminë e pasur gojore. Kohët historike i flasin njera-tjetrës dhe përcjellin jehonën brezave. Dëshmimtarët e gojëdhënës së “arkivës lëvizës” shkojnë nga shekulli në shekull. Emri, bëmat dhe trimëritë e luftëtarëve nëpër breza nuk shuhen kurrë sepse po të analizojmë gjithë luftrat nëpër to ndrijnë më shumë bijtë e Fushëbardhës në fushëbetejat e më shumë se dy shekujve. Edhe pse jot ë gjithë të rënët kanë vendime juridike ata i ka “dekretuar” kujtesa popullore, “kënga është historia e popullit”, që thoshte Noli ynë i madh. Prandaj tek kënga e popullit rrinë shenjtërisht dëshmorët tanë. Mosekzistencën e shtetit e ka plotësuar fuqishëm kënga e popullit si dokumenti më autentik dhe me të dhëna më ekzakte dhe më të natyrshëm për dëshmorët. Prandaj bijtë e popullit që gjakun e derdhën shekujve ku më mirë se në këngët e popullit gjenden përjetësisht dhe madhërishëm.
I lindur për jatagan -Biografia e dëshmorit Habil Xhuvani
Habil Xhuvani është pjesë e identitetit, lavdisë, krenarisë dhe famës labe të fshatit Fushëbardhë. Habili ishte lindur në vjeshtën e vitit 1820 në Fushëbardhë në një familje me tradita të shquara patriotike e luftarake. Të parët e tij kishin provuar peshën e pushtimit osman në breza. Familja e Xhuvane, fisi “Poçi” dhe fisi “Shehu” rridhnin nga i njëjti oxhak në Fushëbardhë. Nizamllëku “kishte mbirë” prag më prag e derë më derë, një detyrim i madh për shtetin. Blektoria dhe bujqësia ishin zanati i përjetshëm i tyre, por edhe të qënit luftëtar kishte ngelur “rregull zakonor”.
Fëmijëria e Habil Xhuvanit shkoi përmes hallesh e vuajtjesh. Ai u burrërua para kohe dhe burrat e fshatit duke e parë si hodhi shtat thoshin për këtë djalë truplidhur si lastar: “i lindur për jatagan”. Shkolla për Habil Xhuvanin ishte “mollë e ndaluar”, edhe pse nuk bëhej fjalë për shkollë shqipe, por vetëm ndonjë shkollë “Ruzhdije”, “Mejtepe”, “Ipdidaijet”, ku mësues të këtyre shkollave ishin kryesisht hoxhallarët dhe mësimi zhvillohej në turqisht apo arabisht dhe për alfaabet përdorej ai arab. Por shkollat nuk arrinin deri në fshatin e largët malor të Fushëbardhës, prandaj edhe Habili do të mësonte të shkruante e lexonte në periudhën e shërbimit të askerlikut.
Nga Fushëbardha dhe fshatrat e krahinës së Kardhiqit, shumë pak nxënës e kishin fatin të studionin në këto shkolla, që në fakt shkolla ishte në Delvinë dhe në Gjirokastër dhe që shpenzimet i mbulonte fondi shkollor buxhetor i Vilajetit të Janinës (“mearif sanduk”). Prindërit e tij të ndershëm dhe të besës i shikonin në dritë të syrit djemtë e vajzat dhe përkujdeseshin duke u bërë frymëzim për punë dhe ndershmëri në jetë. Edhe veshjet dhe jetesën mezi e siguronin. Të varfër ekonomikisht po me tradita patriotike e kombëtare. Jo rrallë kur taksat “shkelnin në kallo” dhe kosharet osmane u binin kryq e tërthor të korrave dhe produkteve bujqësore e blektorale shpërthenin edhe kryengritje e revolta për të drejtat e shkelura. Vaporët që vinin në skelat shqiptare mblidhnin djalërinë shqiptare jo pak por për gjithë Vilajetin e Janinës rreth njëzet mijë djem në vit. Habil Xhuvani mobilizohet “nizamë/ushtarë” në vitin 1839 dhe pati fatin të kthehej shëndoshë e mirë më 1846, më i rritur, më shtathedhur, më i pjekur, më i nxirë prej diellit të jetës anadolliane.
Ishin vite të vrullshme të revoltave dhe fjala e tij nuk kishte më peshën e një çunaku, por ishte kthyer burrë me fjalën peshërëndë në kuvendet pranë rrapit të madh në Zhërmë, ngaqë dhe shtëpinë e kishte fare pranë kuvendit të burrave, përtej lumit. Ai ka qenë kurioz dhe ka dëgjuar, por edhe regjistruar historikun e të parëve, bëmat e trimave dhe sjelljen burrërore të fshatit përballë pushtuesve. Ata e mbronin jetën me jetë, ishin kanunllinj dhe fisnikë dhe në rrugën e të parëve. Edhe pse kishin kaluar gjysmë shekulli kur lindi Habili, nga Kuvendet e Besës në Senicë (1770) dhe Kuvendi i Rrepeve të Agait (1773) përsëri imazhi i legjislatorit të madh popullor Idriz Sulli ishte i gjallë. Ato ngjarje të mëdha i sillnin në memorie të gjalla burra e gra të moçme të Fushëbardhës.
Në tregimet e të parëve kish mësuar për luftën e ashpër me jatagan me gjithë armiqtë që kishin guxuar të shkelnin me pabesi dhe të rrëmbenin taksa aq të rënda që shkonin më shumë se 30% të prodhimit e ndonjëherë kur “sulltanati ishte në fushata luftrash” edhe më shumë. Dhe kjo rëndonte edhe mbi Labërinë, pavarësisht nga venomet që Sulltanati jepte sa herë rrebelimi tejkalonte caqet. Fushëbardha kishte rritur një brez djemsh të mençur dhe trima, që kishte pasion këngën labe, u këndonin trimërive, kuvendeve, besës e dashurisë, jetës së çobanit, por dhe jetës së nizamit. Ata kujtonin jetën e nizamllëkut, si pjesë e pandarë e jetës dhe e detyrimit ndaj shtetit. U këndonin edhe këngë trimave të rënë në përballje me të huajt dhe Habil Xhuvani dhe bashkëfshatari i tij Bajo Kazo nuk e dinin se edhe ata do të ngeleshin në këngë disa vite më vonë kur shkoi i mobilizuar si redif/rezervist në mbrojtje të truallit shqiptar të vilajetit të Janinës nën thirrjen: “Vilayet tehlikede”/Vilajeti në rrezik!
Edhe pse nuk kuptohej teoria e ndërgjegjes kombëtare, ajo ishte praktikisht në zbatim, sepse sa herë binte briri i luftës, çdo fshat nxirrte çetën e gatshme për luftë. Kështu ndodhi edhe me thirrjen që Mahmud pashë Vlora u bëri ridifëve më 1853, që ishte viti i mobilizimit të rezervistëve nga Labëria. Nga Fushëbardha u nisën për luftë Habil Xhuvani, Bajo Kazo si dhe burra të tjerë të fiseve Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj., rreth tridhjetë luftëtarë, trima që “luftën ua hante syri” pjesëmarrës dy tabore/batalione me rreth 1500 luftëtarë redifë. Të gjithë ishin të lindur për luftë e qëndresë, racë arbërore që nuk e njihnin vështirësitë e të luftuarit dhe që nuk e kursenin gjakun për një çështje që e konsideronin të drejtë. Ishte koha kur “eshtrat e shehitëve vlerësoheshin si barrikadë lirie”, për brezat. Prandaj gjaku i mbi 800 shqiptarëve të derdhur në Mecovë dhe në rrethinat e saj, është gjaku i dëshmorëve që mbronin jetën e tyre përballë një invazioni mercenar, që kërkonin të zaptonin tokat, fshatrat, shtëpitë, që nëpërkëmbënin nderin dhe dinjitetin dhe të përbaltnin krenarinë shqiptare.
Në këtë pikëpamje mbrojtja fisnike e djalërisë shqiptare si redif/rezervist ashtu edhe vullnetarë është historia reale e trojeve shqiptare, që me njëmijë mënyra kërkojnë ta mbulojë pluhuri qarqe antishqiptare. Por mbijetesa e kombit flet më shumë se çdo pabesi dhe ide e strukturuar ngado që të vijë ajo. Populli ka një maksimë proverbiale, që “gjaku s’bëhet ujë”! Kanë kaluar mbi një shekull e gjysmë dhe historia njeh dhe dokumenton të rënët për kombin shqiptar, për truallin amëtar: Habil Xhuvani në rrethinat e Vilajetit të Janinës bashkë me bashkëfshatarin e tij Bajo Kazo. Ata ranë në Mecovë dhe mbetën atje “ku i zuri balta”, një praktikë e përhershme kjo e kohës deri në fillim të shekullit XX. Habil Xhuvani dhe Bajo Kazo ngelën dy memorialë lirie, dy lapidarë kushtrim brezash, që kanë ngelur përjetësisht në vargjet popullore: “Mecova larë me gjak/Luftojnë bijtë nën një bajrak/Kashaisën Rumelinë/Dy tabor të djalërisë/Jatagan, pisqoll, martinë/Bëjnë harb(luftë) me junanë/Flakë e ndezën vatanë/U vranë ca trima të rrallë/Labëri ç׳i bëre lotë/I derdha për ca luanë/Që dhe hakun nuk ua dhanë/Do bisedoj me sulltanë/Për Bajon (Kazo) dhe për Xhuvanë (Habil Xhuvani)…”. Ndërsa një këngë tjetër flet më qartë e më shkurtë: “Në Fushëbardhë, dy nishanë/Bënë harb me junanë/Xhanin dhanë për vatanë/Habili(Xhuvani) me Bajo Kazë, (Kazo)/…”. Habil Xhuvani u shua në fushëbetejë në moshën 30-vjeçare duke ngelur një emër i ndritur në historinë labe, në historikun e fshatit Fushëbardhë, prandaj përkujtohet edhe pas më shumë se një shekull e gjysmë si dhe bazuar në ligjin 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, meriton të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Luftëtarët e Labërisë me fustanellë në betejë
Luftëtarët dhe trimat e Labërisë nëpër beteja shkonin të veshur të gjithë me fustanella, një veshje etnike e tradicionale labe, veshje që është përdorur që në kohët ilire, rreth shekullit V para Krishtit, për të cilën kanë dëshmuar Nopça dhe shumë të tjerë. Me fustanellë ishin gjithë luftëtarët që shkonin për të mbrojtur vatanë sikurse ishin edhe djemtë e Fushëbardhës Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani. Kjo ishte veshja luftëtare e betejave, e dasmave, e dhëndërrisë dhe e përjetshme. Prandaj edhe dallonin në trimëri betejave edhe nga veshja. Historia njeh edhe mendime, të tilla se veshja e ushtarit romak e ka origjinën tek fustanella shqiptare, kur mendojmë se mijëra trupa ilire formonin legjionet romake, por dhe njëzetepesë perandorë, të cilët kanë qenë me gjak të pastër shqiptari, që dallonin dhe nga veshja tipike ilire.
Konsulli frëng, Ami Bué në vëllimin II-të, “Turqia Europiane”, (Paris 1843), e quan kostum shqiptar për burra: “këmisha e shkurtër, të mbathurat, fustanella, kalcet, jeleku e xhamadani, dollama, flokata, fesi e opingat”. Me këto veshje ishin luftëtarët e Labërisë edhe në ditët e marsit 1854 ku luftonin heroikisht në mbrojtje të truallit arbëror. Edhe pse fitorja e tyre ishte “fitore si e Pirros” sepse lanë shumë shehitë në fushëbetejë. Ishte e njëjta fustanellë si e luftëtarëve të shqiptarëve në luftrat në Atikë, More, Livadhja, Hidra tek arbëreshet e Kalabrisë në Itali, sikurse fustanella luftëtarit të revolucionit grek, kapedanëve shqiptarë Marko Boçari, Foto Xhavella, Teodor Kollokotroni që i dhanë lavdi fustanellës së bardhë.
Fustanellën e luftëtarëve të Mecovës në Luftën e parë për Vilajetin e Janinës e kanë veshur dhe Bajroni, më vonë Konica në Amerikë, Naimi në Stamboll, sepse fustanella kishte karakter luftarak triumfal e fitimtar, por edhe Odise Paskali që veshi monumentin “Luftëtari Kombëtar” në Korçë. Krahas kësaj veshje tmerruese për armiqtë labi në shekuj ka pasur armatimin, si pjesë të trupit, prandaj edhe Eqrem Çabej i etiketon “kasta luftëtare me armë në shërbim të atdhetarisë”. Edhe të rënët dëshmorë, që shteti nuk jua njohu dot meritat sepse erdhi vonë në truallin e të parëve. Por shprehja proverbiale popullore “më mirë vonë se kurrë”, paska vlerë të përjetshme. Është koha që t’u njihet e drejta e gjakut bijëve të labërisë që ranë për truallin arbëror larg dhe afër, në Mecovën e bukur. Kënga dhe vetëm kënga nuk i la kurrë në harresë lebërit që ranë më fustanellë në betejën për tokën shqiptare
Shehit (Dëshmor) në betejën për tokën arbërore
Fushëbardha, Kurveleshi, gjithë Labëria janë zona rebele nga natyra, dhe kur është fjala për kryengritje nuk ja ka përtuar. Kështu që në vitet 1830-1847 gjithë zonat e shquara luftarake të Shqipërisë në të katër vilajetet ishte zhvilluar në mënyrë energjike lufta kundër Tanzimatit. Trimëri të rrallë shpalosën kryengritësit e jugut dhe jo vetëm me besa-besë ndaj njeri-tjetrit vazhduan luftrat në në më shumë se një dekadë e gjysëm të udhëhequr nga Zenel Gjonleka e Çelo Picari, por edhe mjaft prijësa të tjerë. Në këto luftra, në këto beteja morën pjesë edhe nga burrat e Fushëbardhës, në Skërficë, Senicë, në Kamenicë, Palavli, pranë Delvinës dhe kudo i thërriste lufta për të drejtat e tyre. Por kur nevoja e mbrojtjes së truallit arbëror, kur kërcënohej nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve edhe pse nën pushtimin e osmanëve, ata u ngritën për të luftuar me të gjitha mënyrat për të shporrur të huajin nga trualli arbëror.
Kështu Zeneli i Kuçiot luftoi dhe u vra në krye të çetës së tij në Malin e Zi sikurse u vranë edhe mjaft shqiptarë redifë e vullnetarë në betejat për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës, numri i tyre vetëm në Mecovë dhe rrethinat e saj përllogaritet në rreth 800 të rënë shehitë/dëshmorë. Në vitin 1854 mobilizimi i dy tabureve nga Vlora në Gjirokastër e deri në Delvinë ishte për të mbrojtur truallin e vilajetit nga dushmani: “…Që në Delvinë e tatëpjetë/Labëria gjithë u ngrenë/Kërcyen në vilaje/Lidhnë fjal e bënë benë/Junanin këtu s’e lemë/Sa të ketë djem levendë…”.
Kështu beteja filloi e përbashkuar me trupa aktive të pamjaftueshme dhe me trupa redifë (rezervë). Fotorja ishte shumë e rëndësishme dhe ajo erdhi me shumë gjak, me shumë humbje të mëdha. Edhe me kaq shumë humbje përsëri rapsodi ngrinte vargje dhe populli këndonte: “Mecova larë me gjak/Luftojnë bijtë nën një bajrak/Kashaisën Rumelinë/Dy tabor të djalërisë/Bëjnë harb (luftë) me junanë/Flakë e ndezën vatanë/U vranë ca trima të rrallë…”. Por në fakt dredhia e portës së lartë ishte se pas zaferit/(fitores), hikimeti i mashtroi drejtuesin e tyre. Dejtues ishte babai i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar Mahmud Bej Vlora. Kështu historia ka dokumentuar se, babai i Ismail Qemalit, Mahmud Bej Vlora (1809-1866), sikurse njihet ka qenë pinjoll i një oxhaku çifligarësh të Vlorës, rebel dhe kryengritës. Faktet flasin se, më 1848 familja e Vlorajve u internua, burrat në Konja dhe gratë me fëmijët në Selanik. Më 1854 ai u lirua dhe mblodhi vullnetarë redifë për të shtypur kryengritjen në zonën e Epirit, në Mecovë etj.
Trimëritë labe në Mecovë nuk kanë të përshkruar, që ishte një ndër xhephanet më të nxehta të luftës dhe të fitores së përbashkët shqiptaro-osmane ndaj trupave andarte. Në Labëri i besonin të gjithë për vlerat e larta morale dhe si njeri me reputacion, burrë i ndershëm, i fjalës dhe i besës. Mahmud bej Vlora njihej si fisnik dhe idealist, me formim të plotë europian, që ishte e rrallë për atë kohë, lexonte e shkruante në gjuhën turke, por edhe italisht, greqisht e frëngjisht. Vullnetarët që u mblodhën rreth besës së tij luftuan trimërisht ranë në fushëbetejë dhe fituan. Meqënëse shteti osman dhe marifetçinjtë e tij, nuk iu përgjigjën ai për të përballuar shpenzimet (ylefet) e vullnetarëve që u kishte dhënë besën, u detyrua të shesë çifligjet e fundit që i kishin mbetur në Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj e Picar.
Historia ka dokumentuar se ai pasi fitoi ndaj grekërve, por me shumë humbje shkoi në Stamboll për të siguruar rimbursimin për harxhimet në shtypjen e kryengritjes, por nuk iu bë dot e mundur. Pas një qëndrimi dyvjeçar në Athinë nën mbrojtjen e monarkut, u kthye në Stamboll ku vdiq më 1866, duke i lënë fëmijët e tij pa trashëgimi pasurore. Fakt është se shpërblimi nuk erdhi asnjëherë, por kënga e trimave mbeti: “Në Fushëbardhë dy nishanë/ Bënë harb me junanë/Xhanin dhanë për vatanë/Habili me Bajo Kazë/…”. Vargëzimi i ardhur jo i plotë në mbi një shekull e gjysmë: “Në Mecovë ranë shumë dëshmorë/Trima që folën me pallë/Shokëve amanet u dhanë/O ju shokë pa dëgjoni/Amanetet mos harroni/Kur t’iu bjerë udha të shkoni/Varret tona i shikoni/’Rahmet paçi’ të na thoni/ Jetën e dhamë për Atdhe/Për vatan, për Mëmëdhe”. Për herë të parë për luftëtarin Habil Xhuvani, që ra në Luftën e Parë të Vilajetit të Janinës ka përgatitur një skicë-portret, mjeshtri Kosta Raka.
Brezat në Fushëbardhë, në Krahinën e Kardhiqit, në Rrëzomë, në Labëri e më gjerë i bashkon gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita që nuk harrojnë të rënët për Arbërinë, për të shkruar e treguar për heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës amëtare. Për trimat e kryengritjeve popullore, për burrat e besës dhe të qëndresës, për gjakun e dergjur për truallin arbëror kanë shkruar e dokumentuar shumë autorë shqiptarë, por më shumë të huaj, krijimet e të cilëve janë sot në bibliotekat më prestigjioze të botës, sikurse material të tjera dokumentare që gjenden në arkivat më të vjetër të botës.