Bledar Koçi: KTHIM
Pas kaq vitesh, dhe një herë
Kam dëshirë, dëshirë të vjetër
T’i kthej pas vitet e mia,
Mallit.. shkruar në një letër.
…..
Këmbëzbathur shuruvinës
Poshtë përroit me rrapishte,
Të çaj shtegun mes dëllinjës
T’i shoh prapë ato shelgjishte.
Të vrapoj pikut të vapës
Të fus kokën te burimi,
Të më zgjojë krismë e sëpatës
Lart mbi bugjër, ndaj agimi.
Me një frymë bregut t’i ngjitem
Ku leh Murrua leshator,
Afër shtrungës të avitem
Të më trembë dashi milor.
Anës ledhit në një brinjë
Do t’a shkund qershinë belice
Do e gdhend dhe emrin tim
Te një trung i një gorrice.
Do zbres shpatit nën një hije
Si një gur me rrokullima,
Do mbledh shkarpa në korije
Të ndez zjarr me flakërima.
E dua prapë fëmijërinë,
T’a kthej pas, udhëve të plorit..
Si një foshnje që do gjinë,
Të më rrisë er’ e lakrorit.
Si diell ikur perëndim,
T’a kthej pas as shumë e dua
Është stoli që shpirtin ndrin
Si varg vallëzash, mollë e ftua.
Si varg misrash përmbi trarë
Ky thesar i jetës sime,
Aty fle të fundit varr
Përjetë mbetur në kujtime.
– 2014 –
Please follow and like us: