Fan Noli dhe Anthony Athanas në Boston më 1963
Anthony Athanas dhe Fan Noli, dy filantropë që përfaqësonin më së miri shqiptarin ekselent të Diasporës. Foto ku shihen bashkë Fan Noli dhe Anthony Athanas është realizuar në Boston në vitin 1963. Bashkëpunimet mes të dyve ishin të shumta në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe përkrahjes së bashkëkombasve shqiptarë në SHBA.
Kush ishte Anthony Athanas, shqiptari që i ofroi ndihmë çdo bashkëkombasi?
Anthony Athanas u lind më 28 korrik 1911, djalë i dy prindërve punëtorë në atë katund modest, por me të drejtë kryelartë që ishte Trebicka motmoti, prej nga kundroheshin malet e bukura të Dangëllisë dhe rridhnin ujërat e kristaltë të Parisit të Vogël.
Në Amerikë, ku hyri katërvjeçar përmes portit të ëndrrave të krejt dynjasë, mu nën këmbët e Statujës së Lirisë, ai mësoi zanate e nxuri gjuhë të tjera. Por shqipen nuk e braktisi dhe ëndrrën amerikane e ndoqi me përkushtim, gjer në realizim e njëherazi i përkushtuar ndaj veprës së dikurshme vatrane dhe bashkëpunimit me Nolin. Guximtar plot sqimë si sipërmarrës dhe amerikan plot guxim si shqiptar, Anthony u përpoq për Kosovë e Shqipëri, duke e karakterizuar në shembullin e në shembëlltyrën e tij, “shqiptarin ekselent të Diasporës”.
Xhentëllmen korçar nga ata që gjenden vetëm në libra, pronar i restorantit emblemë të Bostonit, “Pier 4″.
Jeta e tij mes mikpritjes së kthyer në art, që e bëri “Pier 4”-ën adresën e parapëlqyer të presidentëve më të fuqishëm të botës e të damave më të plotëhijshme të botës së spektalit, dhe auditorëve më prestigjozë të planetit ku lektronte nga lartësia e suksesit të tij, ishte realizimi më spektakolar i ëndrrës amerikane me ëndrrën shqiptare brenda saj, në rrugëtimin e shqiptaro – amerikanit prej Korçe, tek i cili mjeshtëria e të jetuarit me shije të hollë dhe aspirata për shkollë e dituri, bashkëjetonin si dy flamujt në hyrje të restorantit të tij të famshëm, njëri i vendit që e lindi, Shqipërisë, e tjetri i vendit ku u bë ai që sot kujtojmë përulësisht, Amerikës. “Determination and endurance are the keys,” i pëlqente t’u përgjigjej kuriozëve për suksesin e tij, pasi i kishte zotëruar plotësisht që të dy çelësat, vendosmërinë dhe mosdorëzimin, deri në fund.