Albspirit

Media/News/Publishing

Historia/Edlira Çini, nga arratisja në 1991 dhe sot sipërmarrëse e sukseshme në Kanada

Edlira Çini, së bashku me të ëmën e saj, Meshan Çini, kanë mbërritur në Kanada në vitin 1993, në një kohë kur emigrantët të ardhur nga Shqipëria pas rënies së komunizmit ishin të paktë. Nëna e saj, një nga mijëra të burgosurit e diktaturës, në moshën 67-vjeçare, mori vajzën 16 vjeçare për dore dhe në shkurt të 1991 kaluan kufirin ku shkuan në Greqi, për një botë të lirë e për një të ardhme më të mirë. Pas shumë peripecish të një emigracioni të vështirë, si dy vitet në Greqi dhe vitet e para në Toronto, Edlira tani zotëron një pozicion të respektueshëm në një nga bankat më me emer të Amerikës Veriore, është bashkësipërmarrëse në disa aktivitete së bashku me bashkëshortin e saj z. Edvin Pula, aktiviste në komunitet, dhe mbi të gjitha një nënë e devotshme dhe mike e mirë. Edlira është e pasionuar pas muzikës, letërsisë, pikturës dhe vallëzimit, por mbi të gjitha e karakterizon dashamirësia dhe pozitiviteti që dhuron te njerëzit qëe rrethojnë. Këtë pozitivitet ajo e përcjell edhe në intervistën dhënë gazetës “Diaspora Shqiptare”, e cila është e mbushur me ngjarje sa interesante aq edhe mbresëlënëse.

Për një pjesë të mirë të komunitetit shqiptar këtu në Kanada historia juaj nuk është e panjohur, pasi ajo është subjekt i librit “Bukuria Fatale” të Rifat Dajtit. I cili nëpërmjet intervistave ka arritur të sjellë fakte dhe ngjarje nga jeta juaj dhe e nënës suaj Meshan Çini. Në eulogjinë për të, ti fole gjatë për forcën që ke parë te nëna jote. Unë do doja të ndaje me ne ndonjë shembull që të ka lënë më tepër mbresa…

Për ata që patën fatin ta njohin mëmë Meshanin, mund të thonë me lehtësi sesa e brishtë dhe elegante që ishte, po dhe aq shumë forcë rrezatonte. Ajo u burgos në moshën 20 vjeçare. Merrni me mend, në kulmin e risisë dhe bukurisë. Për kohën dhe mënyrën si ishte rritur, mund të themi se ende nuk ishte ndarë nga fëminia e saj. Por kur doli në gjyq dhe mbas akuzave të shumta, prokurori me qësendi ju drejtua duke i thënë: “Duket që s’të bën asgjë përshtypje se s’ke derdhur deri tani asnjë pikë loti”. Ajo me kokën lart (gjë që e kishte tipar të saj karakteristik), ju përgjigj krenare: “Në shtëpi isha fëmija më e vogël e familjes, dhe kur qaja shpejtonin të gjithë të m’i fshinin lotët. Këtu nuk ka kush të m’i fshijë, kështu që preferoj të mos qaj”. Ky ndoshta ishte fillimi i formimit të një gruaje me karakter të çeliktë. Përveç vuajtjeve të burgut, ajo kishte bërë edhe njëmbëdhjetë operacione në trupin e saj. Në njërin prej tyre kërkoi të asistoja edhe unë. Kishte një masë mishi të huaj në kokë dhe i kërkoi mjekut t’ja operonte pa narkozë. Me shembullin e saj donte të më tregonte se me guxim çdo gjë përballohej. Një herë tjetër ju infektua këmba nga një gjilpërë. E shikoja me habi sesi i hidhte plagës kripë dhe e fërkonte që t’i largohej infeksioni. Mesa shihej ishin eksperienca burgu. Unë në të gjitha këto raste isha ende fëmijë dhe pa përvojë, por këto momente janë gdhendur fort në memorien time dhe janë të pashlyeshme. Rasti më mbreslënës ka qenë kur kemi kaluar së bashku kufirin nga Shqipëria për në Greqi, në këmbë. Atëherë unë isha 16 vjeçe. Papritur roja i kufirit bërtiti “Ndal!”. Mamit i vuri tytën e pushkës tek gryka. Ajo, në vend që të dridhej nga frika, ose të tutej, me delikatesë, sikur pushka të ishte një shkarpë, e mënjanoi nga fyti i saj dhe zgjati dorën në xhaketën e zbërthyer të ushtarit 19-vjeçar. I tha me gjakftohtësi: “Mbërthehu të keqen nëna se do të ftohesh!”. Në Shqipëri nuk kishte rënë ende nga froni komunizmi. Një kapje në kufi vazhdonte të kishte konsekuenca, quhej arratisje, tradhëti ndaj atdheut, por ushtari i çarmatosur nga mirësia dhe përkujdesi i një nëne të dhimbsur, me lot në sy na tha: “Ikni dhe ju lutem shumë mos i tregoni njeriu se unë ju ndalova”. Raste të tilla si ky, ku së bashku me forcën, shkëlqente zgjuarsia dhe edukata e saj, ishin te panumërta në jetën time. Një intervistë, sado e gjatë, nuk mund t’i përmbledhë të gjitha kujtimet dhe mbresat që kam për engjëllin tim mbrojtës, të paharruarën nënën time, Meshan Çini.

Amaneti i fundit i saj?

Ajo nuk më la ndonjë amanet të veçantë, perveçse i la amanet të gjithë familjarëve dhe të njohurve të kujdesen për mua. Por disa orë përpara largimit nga kjo jetë, më dhuroi çastet më mbreslënëse të jetës sime. U duk sikur u shërua plotësisht edhe pse ishte dobësuar e shkrirë e tëra. Të dyja ishim të shtrira në shtrat e të përqafuara. E pyeta se sa më donte. Më tha: “Sa dritën e syve të mi”. Kjo ishte një shprehje që ma thoshte që fëmijë, por mua m’u duk se e dëgjoja për herë të parë: “Edlira, je drita e syve të mi!” (shpërtheu në një krua lotësh). Kur i kërkova të më falte për çdo marrëzi e gabim timin, me shumë qetësi e dashuri më tha se ikën në amëshim e lumtur nga unë, bashkëshorti im dhe fëmijët e mi. Më premtoi që gjithmonë do të jetë engjëlli ynë mbrojtës. Dhe për këto fjalët e fundit, të them të drejtën, unë i besova qorrazi, Më duket vërtetë sikur asgjë e keqe s’mund të më prekë. Ajo na vëzhgon dhe mbron, mua, fëmijët e mi dhe familjen time që e deshi aq shumë. Ajo nuk i thyente kurrë premtimet që jepte, prandaj dhe unë dua t’i besoj kaq shumë si të vërteta fjalët e fundit që tha.

E shoh sa emocione sjell tek ju kujtimi i nënës, prandaj po e ndërrojme temën; keni qenë prej vitesh aktive në komunitet. Ç’përshtypje keni nga pritja që ju ka bërë bashkësia shqiptare në Kanada në kohën që keni mbërritur këtu?

Unë mendoj se jam rritur së bashku me komunitetin shqiptar. Kam ardhur ketu 19 vjeçe. Edhe pse komuniteti atëherë, sigurisht ekzistonte, (daja im, Duro Çini ka qenë një kontribues vital i tij), me kalimin e viteve numri i emigrantëve u shtua, aktivitetet u rritën, zëri ynë filloi të dëgjohej më tepër. Unë kam prezantuar koncertin e Festës së Flamurit, të 28 Nëntorit, në vitin 1993, së bashku me një vajzë shkodrane, e cila pas këtij bashkëpunimi u bë dhe mikja ime më e mirë, miqësinë dhe dashurinë me të cilën e ruajmë dhe sot, pothuajse 30 vjet më vonë. Atëherë komuniteti ynë kishte shumë pak shqiptarë të Shqipërisë. Shumica ishin prej Kosove dhe shqiptarë të Maqedonisë. Për shkak se shumicën e miqve të familjes qe kishim nga Kosova, kur kam shkuar për vizitë në Shqipëri, më 1995, më kanë thënë se e flas gjuhën shqipe me dialekt kosovar.

Keni pothuajse 30 vjet këtu, duket që jeni integruar më së miri. Përveç se punon si manaxhere në bankë, manaxhoni njëkohësisht së bashku me bashkëshortin, Edvin Pulën, kompanitë tuaja “Ace Accounting”, “Ace Holdings”, dhe “Ace Air”. Në të njëjtën kohë, keni dy fëmijë, një familje të madhe dhe një shoqëri të zgjeruar. Në ç’mënyrë mundoheni të mbani një balancë për të qenë të sukseshëm në të gjitha drejtimet?

Jetojmë në një vend ku mundësitë për arritje janë të mëdha. Gjithashtu jemi pjesë e një komuniteti të formuar nga artistë, shkrimtarë, pedagogë, intelektualë në fusha të ndryshme e sipërmarrës të suksesshëm që edhe sikur mos të ekzistonte dëshira, do motivoheshim nga këta shembuj për të rritur standardet e për të arritur qëllimet tona individuale. Ndjehem me të vërtetë e lumtur kur shoh se sa të zellshëm, punëtorë e këmbëngulës janë shqiptarët për të kërkuar më të mirën e mundshme. Gjithsesi, suksesi është relativ dhe ka një përcaktim të ndryshëm për secilin nga ne. Përsa i përket pyetjes suaj për mënyrën e balancimit, sigurisht kryesorja është mbështetja, toleranca, mirëkuptimi që i japim njëri-tjetrit si çift edhe pse ndonjëherë ndodh të kemi mospërputhje mendimesh apo idesh. Pastaj mundohem që kur dal nga puna prej bankës, ta lë zyrën atje ku është dhe kur dal nga shtëpia, ta le edhe shtëpinë atje ku është. Primare janë fëmijët, ata nuk pyesin për rend e për radhë. Pas ardhjes së tyre në jetë, çdo hap i bërë, qoftë personal, qoftë profesional, ka qenë gjithnjë i lidhur me ata në mendje, duke i pasur përpara syve. Kam qenë e detyruar t’i përkushtohem më shumë punës time në bankë dhe familje. Kontributi im për bizneset ka qenë reklamimi, punësimi i punëtorëve, oraret, pagesat, zgjidhja e problematikave, sigurisht edhe shkëmbimi i ideve me tim shoq, Edvinin. Por këto detyra nuk kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm, gjë që më lehtësojnë përgjegjësitë kryesore. Kreditë të veçanta në suksesin tonë dua t’u jap atyre klientëve që na besuan në hapat e para, kur ende s’kishim fituar emër e reputacion. Ata vazhdojnë të na suportojnë plot besim edhe sot e kësaj dite.

Ka më shumë se një vit që jemi futur në pandeminë globale COVID- 19, e cila e ka ndryshuar edhe mënyrën tonë të jetesës. Sa ka ndikuar kjo tek puna juaj si bankiere dhe biznesmene?

Ky ndikim ka qenë i fortë për të gjithë, për të mos thënë fatal, sidomos për bizneset e vogla. Por në rastin tonë, si tek biznesi personal, qoftë dhe ai në bankë, thjesht ka ndryshuar mënyra e komunikimit me klientët. Për shembull, në të dyja rastet, që në fillim të pandemisë, takimet me klientët janë zhvilluar virtualisht. Kjo mënyrë pune, fatmirësisht nuk ka ndikuar negativisht. Përkundrazi është një opsion më tepër, një mundësi e re. Gjithsesi, uroj që të rikthehemi së shpejti në normalitet. Të përqafojmë e të takojmë pa hezituar, ata që duam e na duan. Ndjej dhimbje për moshat e treta që kanë kaq kohë të mbyllur, e për femijët e të gjithëve që humbën një vit me kufizime e privime. Është situatë anormale. Bëhet luftë vetëm për mbijetesë. Kjo është më e pakta gjë që mund të kërkosh nga jeta.

Nëpërmjet bisedash e postesh, e shpreh qartë atdhetarizmin. Si mundohesh ta pasosh këtë tek fëmijët, tek të dy djemtë e tu?

Mendoj se për ne të larguarit jashtë atdheut amë, dhe sidomos me femijë të lindur këtu, kjo detyrë është jo vetëm e nevojshme, por dhe pak më e vështirë. Për këtë është shumë e rëndësishme që dashuria për atdheun fëmijeve t’ju futet që në moshë të mitur. Unë kam pasur fatin të kisha mamin pranë që kur erdhën fëmijët në jetë. Ajo sigurisht që u fliste dhe i mësonte në gjuhën shqip, por na detyronte edhe ne të mos flisnim anglisht në shtëpi. Pak më vonë, për shkak të moshës madhore të mamit, me duhej të punësoja edhe kujdestare fëmijësh. Dhe të gjitha, por sidomos e para dhe ajo e cila shpenzoi katër vjet me ta, ishte një mësuese e mrekullueshme. Nuk mundem ta lë pa e përmendur emrin e saj, quhet Vitori Poshnjari. Ajo pati një ndikim jashtëzakonisht pozitiv duke u mësuar këngë dhe vjersha shqip, abetaren, e shumë e shumë aktivitete të rëndësishme që ndihmuan në formimin e tyre. Më pas, kur ata ishin 8 vjeç, erdhën edhe prindërit e Edvinit të cilët sigurisht patën ndikim në të njëjtin aspekt. Unë jam specifike në ato që u mësoj. Ju flas për Skënderbeun, për kuptimin dhe rëndësinë e fjalës BESË, për impaktin negativ që pati diktatura komuniste në vendin tonë, e për shumë gjëra të tjera që jo vetëm duhet t”i dinë, por duhet të jenë edhe krenarë. Pastaj duke pasur një familje të madhe, me kushërinj e kushërira të së njëjtës moshë, bëhet pak më e lehtë puna ime. Të dy djemtë e mi flasin dhe lexojnë shqip. Për të shkruar, nuk janë edhe aq mirë, por shpresoj se në të ardhmen do të përmirësohen edhe në këtë drejtim. Njëri prej tyre është tepër i apasionuar ndaj historisë së Shqipërisë dhe na ka deklaruar që refuzon të shkojë diku tjetër me pushime veçse atje.

Me aq sa shikoj dhe kam dijeni, organizimi vjen në rritje e për këtë jam entuziaste. Gjithsesi është një punë e vazhdueshme dhe gjithmonë ka vend për përmirësim e përsosje. Kanadaja na krijon mundësi të jashtëzakonshme krahasuar me vende të tjera në këtë drejtim, mbasi është një vend multikulturor dhe tepër mikpritës për emigrantët. Kërkohet vetëm angazhim, vullnet dhe dëshirë e mirë.
Mendoj qe secili prej nesh luan dhe duhet të luaj rol pozitiv, të jetë bashkues e bashkëpunues, si në komunitet ashtu edhe në shoqëri, secili të përpiqet e të luftojë me mjetet dhe aftësitë që posedon, pavaresisht klasifikimit apo kualifikimeve të tij. Ka hapësirë për secilin, mjafton dëshira e mirë.
Uroj që nga ky vit i vështirë të kemi mësuar se jeta ka të papritura dhe është shumë e shkurtër. Duhet të jetojmë me shumë dashuri e mirësi duke krijuar një klimë bujare e mikpritëse për secilin. Askush nuk është i pavdekshëm e i pazëvendësueshëm. Kam një shprehje që më pëlqen ta përsëris shpesh; “pavdekshmëria është të jetosh jetën duke bërë punë të mira me qëllim që të lësh mbrapa gjurmë të arta”.

Edlira, doja të prekja diçka tjetër që për ty është një temë shumë e dashur, qytetin tënd të lindjes, Durrësin. Më thuaj sa të mungon dhe sa e lidhur vazhdon të jesh me të pas 30 vitesh largim?

Ah, Durrësi! Qyteti më i dashur dhe më i shtrenjtë në botë për mua, me të gjitha bukuritë dhe mangësitë e tij….Sa mall kam e sa shumë e dua.
Këto janë vargjet e para të një poezie që i kam kushtuar këtij qyteti para disa vitesh. Sa herë flas për Durrësin dhe njerëzit e tij, më vjen ndërmend kënga e Justina Aliajs, “Vendlindja”. Besoj se të gjithë ndjehemi kështu për vendlindjet tona. Libri yt “Këtu dhe Atje” është një shembull konkret i kësaj ndjenjeje.
Për mua Durrësi është dashuria e parë, fëmijëria ime, dita e parë e shkollës, mimozat e mbledhura në 7-8 Mars, netët e bukura të dimrit pranë oxhakut me zjarr, zhurma e tifozëve poshtë pallatit ku banoja, gjithnjë pas një ndeshje futbolli, shetitjet në breg të detit, perëndimet më të bukura në botë, kur dielli si një lëmsh i zjarrtë zhytej në det, miqësitë e pavdekshme të shkollës e shumë e shumë kujtime të bukura si këto.
Nuk kam shkuar aq shpesh sa do të doja. Ëndërroj që çdo vit të shpenzoj të paktën një muaj atje. Nuk është se thjesht më pëlqen Durrësi…E dashuroj me gjithë shpirt.

Por Durrësi është më shumë se kaq për ty. Jo shumë kohë më parë vura re që kishe postuar specifikisht për njërin nga familjarët më të cilët ke jetuar në Durrës. Duket qartë së ka edhe një lidhje tjetër më të fortë me këtë qytet?

Pikësëpari ju falënderoj për intervistën. Secili prej nesh ka histori të bukura e të veçanta në jetën e tij. Në këto intervista që ju organizoni, ne njohim më mirë njëri-tjetrin, bashkohemi shpirtërisht dhe lidhemi më fort, në një kohë dhe periudhë ku distanca na përmallon, izolimi na streson e vështirëson jetën e përditshme. Megjithatë jemi për momentin “të dënuar” të rrojmë në distancë me njerëzit tanë më të dashur, me miqtë e shokët.
Le të kthehemi tek pyetja juaj: Intelektuali i zgjedhur për të cilin kërkon të dish më shumë, zoti Xhaferr Shehu, ka qenë burri i tezes sime, Firdesit. Unë jam rritur në shtëpinë e tij dhe e thërrisja gjysh. Duke qenë se ishim cilësuar nga pushteti diktatorial si “armiq të klasës”, ne nuk kishim pasaportizim në Durrës dhe jetonim si “klandestinë” në shtëpinë e tezes. Mamaja ime, Meshan Çini, kishte vuajtur 11 vjet burg politik. Kur doli nga burgu, ajo nuk dinte ku të përplasej dhe shkoi të jetonte me të motrën dhe familjen e saj, edhe pse ata nuk kishin strehë të mjaftueshme as për vete. Njëra nga arsyet e forta që Xhaferri u arrestua dhe u burgos, ishte pse ai strehonte në shtëpinë e tij mamanë time e cila për shkak të biografisë; origjinë e pasur, me tërë njerëzit e saj të burgosur e të përndjekur, kualifikohej nga regjimi si “armike dhe reaksionare”.
Unë, edhe pse kisha dëgjuar shumë për Xhaferrin, fizikisht e njoha vetëm kur doli nga burgu, në dhjetor të viti 1982. Ky njeri ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen time. Ai ishte ndryshe nga të tjerët, një personalitet i kompletuar në të gjitha aspektet. Kishte një sjellje dhe edukatë të përsosur. Ishte i shkolluar në Itali dhe i shpallur si një nga dhjetë studentët më të mirë të diplomuar në atë vit shkollor, në gjithë Italinë. Vishej dhe mbahej me shumë sqimë. Kishte rregull dhe disiplinë të pakrahasueshme. Shkrimi i tij ishte një kaligrafi mjaft e bukur. Letrat e shkruara nga ai, ngjasonin sikur kishin dalë nga shtypshkronja. Ishte njeri shumë autoritar dhe për ta kuptuar këtë, mjaftonte thjesht një vështrim i tij dhe jo zëri i lartë apo të bërtiturat. E dashuronte marrëzisht gruan dhe ia shprehte pa asnjë rezervë, ose siç themi rëndom, pa dorëza. Prezenca dhe sjellja e gjysh Xhaferrit më kujton në shumë aspekte aktorin kryesor në filmin “Gone ëith the Ëind”. Gjyshi tregonte përrallat më të bukura në botë, në një mënyrë magjepsëse. Mbas çdo përralle dhe historie, na pyeste se ç’kishim mësuar dhe sesi do ta zbatonim në jetë këtë mësim. Xhaferri vizatonte, vallëzonte, arnonte edhe ndonjë gjë të tij edhe pse nuk e kishte aspak te nevojshme, sepse vajzën e kishte rrobaqepëse. Ndihmonte gruan, na ndihmonte ne fëmijëve në mësime me një vullnet e këmbëngulje të pakrahasuar. Shpesh na shëtiste, na këshillonte ëmbël në çdo minutë, fliste kur duhej të fliste dhe heshtte atëherë kur duhej. Ai për mua ka qenë dhe do të mbetet figura e një mashkulli ideal, në çdo rol të tij: si bashkëshort, kunat, baba, gjysh, mik. Unë pata fatin të kaloj disa vite të paharrueshme duke jetuar nën një strehë, në një moshë kur mësimet dhe modelet që merr nga jeta janë gurë themeli dhe përcaktojnë karakterin e së ardhmes tënde.

Dhe për fund, a mund ta ndani me ne poezinë?

Me kënaqësi…

Durrësit tim

Durrësi! Qyteti më i dashur ne botë për mua
Me të gjitha bukuritë e mangësitë që ke
Sa mall kam e sa shumë të dua!

Dua aromën e deti, që vite të tëra më mungon
Dua zhurmën e rrugëve, që veshi prej kohësh s’mi dëgjon
Më pëlqen të shikoj pleqtë ulur, që domino luajnë urtë
Gjyshet me shtiza në duar, që nipërit e mbesat shikojnë butë.

Më merr malli për rininë e zhurmshme, bulevardit kaluar duke qeshur
Djemtë fishkëllima tek lëshojnë, vajzave me taka veshur
Nostalgji kam dhe për gurët rrugëve, për mimozat pushëverdha plotë erë
Për drutë që mbanim ngarkuar, kur dimri trokiste në derë.

 

A ju kujtohen netët e errëta, pa drita rreth sobës së vjetër?
Kur gjyshi të gjithëve na mblidhte, e thoshte përralla me mbretër?
Dhe nëna që vente e vinte, një gjellë të shpejtë të sajonte
Të mblidheshim rreth sofrës së bashku, dhe vetëm nje supë mjaftonte.

Kujtoj babanë e dashur, që s’harronte t’na çonte çd një maj
Paradën vjetore të shihnim, dhe foto të bënim pastaj
Oh sa shumë mall që unë kam, e sa shumë tani më mungon
Shoqëria e bukur që kishim, e sinqerta shoqëria jonë.

 

Prandaj Durrësi im i dashur, ti më mungon kaq shumë
Se fëmijërinë time pa kuptuar, atje tek ti e lash unë
Fëmijëri jo e mbushur, me lodra të shtrenjta e me vlerë
Me kënaqësira shumë të vogla, por dashuri të paparë ndonjëherë.

Dhe kështu tërësisht pa kushte, e dua unë këtë qytet
Se vetëm kështu mund të ndodhë, në një dashuri të vërtetë./diaspora shqiptare

Please follow and like us: