Shefqet Meko: Minneapolis, metropoli amerikan ku policia të vret…
-Gati gjithë metroja më e populluar e shtetit të Minnesotës, pērsëri në shtetrrethim! Kudo policia dhe gati 1000 trupa të gardës patrullojnë pas një tjetër vrasje aksidentale nga uniformat, pasuar nga revolta dhe plaçkitje-
Në Minnespolis të Amerikës, ndërsa prej ditësh, mediat dhe televizionet transmetojnë direkt gjyqin e policit që shkaktoi vdekjen e qytetarit Xhorxh Floid,një tjetër vrasje në Qëndrën Bruklin , bëri që qytetet e këtij metropoli verior të Amerikës, të tronditen sërish, gati një vit pas vrasjes që revoltoi Amerikën dhe botën! Këtë radhë viktimë është një 20 vjeçar, Duein Rait, i cili ndalohet nga policia për mospagim të taksës së targës së makinës, vlerë 60-200 dollarë, në varësi të mjetit që zotëron! Natyrisht një shkelje e tillë nuk është krim, por thjesht kundravajtje! Patrulla e policisë mund t’i jepte një gjobë dhe i riu mund të ishte gjallë dhe i kurrpërmendur në mediat e ditës! Por, ndërsa bēhen verifikimet me të dhënat e policisë, i ndaluari kërkohej nga ligji, sepse kishte refuzuar një thirrje nga gjykata më 2 prill 2021, për t’u paraqitur në gjyq për demonstrimin e një arme në publik, gjë që ndalohet në Minnesota! Këtu ka fillesën e vet drama tragjike: Policët, si “skllevër” të ligjit që duhet të zbatojnë, ju duhet ta arrestojnë qytetarin për ta detyruar të paraqitet tek gjykata! Qytetari i reziston një përpjekje të tillë e ndërsa oficerja e policisë përpiqet ta prangosë pranë derës së makinës, ai ju shkëputet prangave dhe hyn në mjetin e vet duke u përpjekur të ikë nga skena e ndalimit! Në pērpjekje për të bërë detyrën e vet, policja e paralajmēron se do përdorë armën paralizuese, por në vend të “revoles së verdhë”, ajo gabimisht ka marrë revolen e vërtetë duke qëlluar vetëm një herë, por fatalisht! I dyshuari ka mundur t’u ikë policëve për t’iu “dorëzuar” vdekjes aksidentale vetëm disa qindra metra tutje…Vrasja u bë! Ndihma e shpejtë nuk mundi ta ringjallte djaloshin fatkeq që ishte edhe baba në atë moshë rinie…
Mjaftoi një e shkrepur aksidentale e armës që të ikte një jetë që nuk kthehet kurrë! Çdo qytetar në këtë metropol të Minnesotës është i shokuar! Vetë nëna e viktimës në ekran, me lotët e dhimbjes bën apelin e nënës: “Ma ktheni djalin, nuk më duhet revolta dhe protesta juaj! Ju lutem…”! Por revolta dhe plaçkitja ka filluar pa u shtypur as edhe një “trakt” i vetëm! Thyhen xhama dyqanesh, rrëmbehet ç’të gjendet edhe pse sirenat e policisë buçasin, ndërkohë qytetarë të revoltuar rrethojnë stacionin e policisë në Qendrën Bruklin, qyteti ku ndodhi vrasja, vetëm kilometra larg sallës së “gjyqit të dekadës” në Minneapolis…
Dëmi u bë! Shoqëria e këtushme, ndërsa përpiqet të rikuperohet nga protestat e përflakura e shkatërruese në jug të Minnespolis, pasuar nga vdekja në duart e policisë të Xhorxh Flloid, ndihet përsëri e tronditur dhe e shokuar! Kryebashkiaku i qytetit Minnespolis,në një zë edhe me udhëheqës të tjerë lokalë e qëndrorë, bëjnë thirrjen e radhës: “Mos e “përktheni” dhimbjen dhe lotët në shkatërrim dhe grabitje të bizneseve! Nuk do lejojmë”! Guvernatori i shtetit, Tim Uolz nuk ka pritur siç ndodhi vjet, por garda kombëtare është dislokuar menjëherë! Gati 1000 trupa ushtarake bashkë me paisjet motorrike janë shfaqur në rrugë, ndërsa shtetrrethimi është shpallur nga kryebashkiakët e “qyteteve binjakë”! Hedh këto radhë në kompjuter dhe telefoni im ulurit: “Shtetrrethim filloi! Futuni në shtëpinë tuaj…” Presidenti Bajden nuk gjen dot fjalët e duhura ta qetsojë Amerikën, që nuk po gjen paqen e munguar! Të gjithë në një emërues: “Protesta e drejta juaj. Dhuna JO!”
Një leksion i njohur sikur përsëritet e përsëritet: Policia amerikane të vret, po nuk iu binde! Policët amerikanë trajnohen si të vrasin, sepse ata janë fronti i parë i luftës kundër krimit! Ndërsa më dhimbet një jetë e humbur në moshën më të bukur, ndërsa zëri i asaj nëne më kujton ato mijra të qara nënash kudo, këtu, Shqipëri, Irak, Afganistan, Kinë, Rusi… sepse dhimbja është e njëjtë, dhimbja nuk ka as ngjyrë, as gjeografi, pyes veten: Po sikur të mos kishte rezistuar, a do ishte gjallë?!… Dhimbja e kësaj radhe në Minnesota është ndryshe: Ajo që ka vrarë pa dashje është një police, mbase është nënë, ende nuk e dime. Por ajo vrau siç mund të bëjë çdo plumb që del nga tyta e nxehtë.
Vrasja ndodhi! Është më e fundit, por jo fund i vrasjeve të tilla! Fatkeqsisht nuk ka shtetrrethim t’i ndalojë! Ky shtetrrethimi i pjesshëm në shtetin ku jetoj, mundet të parandalojë shkatërrime e grabitje, por njerëzit do protestojnë kundër dhunës dhe vrasjeve të padrejta! Protesta është e drejtë kushtetuese. Shteti është ngritur në këmbë për të mbrojtur qytetarët dhe pronat! Këtu nuk ka analistë në televizione, as deklarata apo zëdhënës partish, as politikanë të çoroditur duke bërtitur “Shteti vret” “Erdhi diktatura…”! Në ekrane flasin vetëm ekspertë, dhe ata flasin mbi fakte dhe këndvështrime specialistësh! Politikanët thonë të njëjtën gjë: Le të shohim një hetim të plotë të ndodhisë! Le të bëhet drejtësi.
Shtetrrethimi vijon! Shumica bindet dhe beson se shteti vepron të mbrojë shoqërinë nga kaosi dhe lirinë nga mosliria !
Në Minnespolis, policia të vret…!
Minnespolis, USA
12 Prill 2021