Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Aleanca me Gjinon…

 

A është sot Shqipëria një parti si Rilindja? Kjo mbetet për t’u parë. Por unë nuk e besoj. Brenda partisë së Rilindjes mund të ndodh gjithçka. Pasi Edi Rama është plotësisht Enver Hoxha. Për ditë me radhë mund të etiketosh e ta menderosësh si të duash kundërshtarin… gjumash, Gjino, qullash që e komandon Berisha me Metën. Dhe anëtari i partisë së Rilindjes, brohoret po. Për ditë me radhë mund ta quash kundërshtarin apo Lulzim Bashën, dështak, vrasës, hajdut. Njeri që i ka provuar të gjitha pushtetet etj., anëtari i partisë çirret po. Madje të mbysin duke të dërguar meme, duke shpërndarë fjalën e Ramës me videot e mamaqëve e të tjerë, aq sa stastikat nxjerrin më shumë emrin Rama, sa oksigjen real që e ka të domosdoshëm shoqëria për të mundur degradimin. Brenda Rilindjes vendos dhe vulos njëshi. Tha ai sikur 4 vjet me radhë që filani është dështak, kështu thonë dhe gjindja. Nuk ka sot qytetarë të majtë që nuk e beson Ramën në ato që thotë për Berishën, Metën dhe Lulin. Thuajse 100%, në kor e pohojnë. Dhe po kështu në kor kanë nisur ta pranojnë ofertën publike të Ramës, (njëshit) për një bashkëpunim me qullashin, gjumashin, Gjinon e opozitës. Në këmbë Rama, në këmbë ata. Teshtin Rama, gjak hundët e tyre. Sa shpall Rama një armik të popullit, plasin fletrrufetë. Pra brenda rilindjes socialiste shahesh e bastardohesh unanimisht. Pastaj ftohesh për të qeverisur si aleat, po unanimisht. Dhe a e dini përse ndodh kjo? Pasi brenda pushtimit të Partisë Socialiste nuk ka më forume, nuk ka vendimarrje kolegjiale, por një zë, një njësh, një diktator. Thotë ai, hidhuni, ata hidhen. Thotë ai mbytuni, ata nuk e kanë problem. Është gjëndja e amullisë brenda dehjes ku gjithçka kthehet në orgji dhe demokracia ka vdekur një herë e mirë. Pra sot i kërkohet aleancë Lulzim Bashës me një mikrofon fushate, gjindja pohon me thirrje po. Nuk e di se si do ndihen familjet e 21 Janarit, megjithëse nuk u tutën fare kur Edi Rama nënshkroi publikisht marrëveshjen me Ilir Metën në Shkodër me 2013. Mos harroni, Edi Rama ishte ai që përdori një video të fshehtë me Metën dhe Priftin, një video që solli edhe 21 Janarin e 2011-ës. Nëse tek Partia Socialiste e pranojnë, nuk besoj se e pranojnë në krahun tjetër. Edhe sikur Basha ta pranoj, nuk e pranon forca e djathtë. Të paktën ka mbetur akoma ajo forcë ku njëshi nuk është bërë Enver Hoxha. Kjo për shumë arsye të cilat nuk është dhe koha t’i shpjegojmë. Por, a është bërë dhe Shqipëria, qytetaria e saj, një lloj rilindje ku të gëlltisë gjithçka që thonë kanakarët për progres social a si rruga e domosdoshme që vendi të mos shkoj me dekada me kriza politike. Nuk besoj. Dhe këto ditë janë shansi i madh. Ky ka emrin ndryshim. Dhe Edi Rama nuk duhet të flasi më për aleanca të mëdha, por është koha të japi llogari për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar Shqipërisë me vendimarrjet jashtëligjore. Është koha të japi llogari për vjedhjen e zgjedhjeve si lokale dhe të përgjithshme. Për mbështetjen e krimit deri në futjen në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendet e legjislaturave të dominimit Rama, kanë CV-të më të turpshme të historisë së pluralizmit shqiptar. Për mbajtjen e zgjedhjeve moniste me pjesëmarrjen më të ulët në historinë njerëzore, duke mbytur publikisht demokracinë e një vendi. Shqiptarët duhet t’i adresohen ndryshimit për të shmanguar edhe ndonjë plan të errët të transformimit drejt pushtetit pa kufizim. Kur ua përmend nënqeshin, megjithëse gjasat janë plotësisht një përfundim bjellorus, putinizmi, erdoganizmi a kinezërie. Dhe aspak të një demokracie perëndimore. Për më tepër që disa portale kanë publikur lista emërore me të dhëna personale të mijra qytetarëve. Ja pse sot ka frikë, ka panik dhe vota është e shitur. Një koalicion mes rilindjes dhe Partisë Demokratike do ishte një pjesëmarrje në lojën putiniste të Ramës për pushtet të pa kufizuar. Por nëse vërtetë jeni qytetarë që doni vendin tuaj, mos ua jepni këtë shans. Votoni ndryshimin dhe vigjëloni. Nuk mbajti premtimet ai që vjen, ngrihuni e zbytheni. Nuk ka enveristë, ramistë apo bashistë të përjetshëm, ka vetëm Shqipëri.

Please follow and like us: