Albspirit

Media/News/Publishing

Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i drejtohen ksenocentrizmit, vlerësojnë modelin shoqëror të popujve të tjerë

 

 

Shkruan Eneida Jaçaj

 

Çdo popull karakterizohet nga traditat, zakonet, kultura, gjuha, të cilat përfaqësojnë etalonin dhe modelin unik të një kombi të caktuar. Të vlerësosh kulturën dhe traditat e kombit tënd, të ngresh në altarin e nderit dhe në majën më të lartë të ajsbergut modelin e shoqërisë ku bën pjesë, është njësoj si të duash dhe të vlerësosh “shtëpinë” tënde, me të gjitha objektet dhe njerëzit e dashur që bëjnë pjesë në të. Ajo që të përket ty, në mënyrë koshiente apo subkoshiente, është e prirur të të pëlqejë pavarësisht mesazhit dhe rëndësisë që mbart në vetvete. Në logjikën parësore, një vlerësim i tillë ndaj kulturës vetjake, është normale të ndodhë. Por, jo gjithmonë ndodh kështu, pasi, jo koha, por shoqëritë ndryshojnë mendësinë e tyre sipas situatave të caktuara, pozitive apo negative.

Në vlerësimin e kulturave të popujve takohen dy ekstreme, dy dukuri shoqërore: Etnocentrizmi dhe Ksenocentrizmi. Etnocentrizmi nënkupton vlerësimin e kulturës dhe gjithçkaje vetjake që e rrethon një popull të caktuar. Këta popuj i shohin me përbuzje dhe injorim popujt e tjerë, pasi besojnë se vlerat dhe traditat, modeli shoqëror qëndron më lart krahasuar me kombet e tjera. Ndërsa ksenocentrizmi është antitezë e etnocentrizmit. Popujt ksenocentrikë kanë prirjen të hiperbolizojnë vlerësimin për kulturat e popujve të tjerë, dhe të nënvlerësojnë kulturën vetjake. Për ta çdo gjë që i rrethon rreth vetes është negative dhe inferiore, krahasuar me kombet e tjera.

Popujt etnocentrikë

Sipas studimeve që bën sociologjia në fushën e zhvillimeve dhe kulturave shoqërore, zakonisht popujt etnocentrikë janë popuj të izoluar nga bota jashtë; ata refuzojnë të dalin nga guacka dhe të shohin përtej vetvetes, nuk janë të hapur për t’u përshtatur me kulturat e tjera, për të marrë nektarin më të mirë të asaj kulture dhe modeli shoqëror, duke përmirësuar veten. Janë kundër të resë dhe të izoluar ndaj zhvillimeve në botë. Preferojnë të mbyllin veshët dhe sytë, përpara kulturave të tjerave. Në periudhën 45-vjeçare të komunizmit, populli ynë ka qenë një popull etnocentrik, i izoluar komplet nga bota e jashtme, i indoktrinuar nga kulti i individit, nga udhëheqësi-Zot, besonte se kulturat e tjera dhe modelet e shoqërive të tjera në botë nuk ishin të denja, madje se jetonin shumë keq. Këta popuj e konsiderojnë veten një model, që duhet të ndjekin të gjithë popujt e tjerë. Janë bërë studime për popujt etnocentrikë. Sociologu amerikan William G. Sumner studioi shfaqjen e etno-centrizmit në mesin e popujve primitivë dhe arriti në përfundimin se pothuajse secili prej këtyre popujve pretendonte një vend të veçantë, duke e “datuar” atë me krijimin e botës. Gjithashtu, sociologu Muriel Herbert ka shkruar se ekziston një fis eskimez, mjaft i izoluar nga rrjedhat e zhvillimit të kulturave botërore me shtrirje të gjerë, që e quan veten “inuit”, dmth njerëz të vërtetë. Por çfarë thonë sociologët shqiptarë për popujt etnocentrikë?

“Ne si shoqëri e varfër, në izolim për më shumë se katër dekada gjatë regjimit komunist, shkëmbimet me kulturat e tjera i kemi pasur tejet të pakta. Dhe kjo prirje etnocentrike dallohej edhe në parrullat e asaj kohe që tregonin mbivlerësimin e shoqërisë së asaj kohe për tiparet e veta kulturore që ishin superiore atyre “borgjeze dhe revizioniste perëndimore”, të cilat i konsideronte si inferiore dhe “të degjeneruara””, thotë sociologia Entela Binjaku, për “Diellin”. Ndërsa aktivistja për të drejtat e grave, Sevim Arbana thotë: “Në periudha të ndryshme të historisë, ne kemi kaluar në ekstrem në fenomenin e etnocentrizmit, si psh në periudhën e diktaturës komuniste, ku mosnjohja, mbyllja , izolimi, na kishin krijuar bindjen që ishim një komb unik në vështrimin e kulturës , historisë. Diktaturat, përgjithësisht kultivojnë një vetëdije të fuqishme, të konsoliduar kombëtare, me doza të forta etnocentrizmi”.

Popujt ksenocentrikë

Pas rënies së perderes së hekurt të diktaturës, shoqëria jonë u drejtua drejt ksenocentrizmit. Pas një periudhe të gjatë izolimi, populli ynë kishte etje për të parë dhe mësuar gjëra të reja. Kuptoi se ajo çka u ishte thënë në ato vite të gjata izolimi, ishte një gënjeshtër. Shoqëria jonë la pas vlerësimin e lartë për veten dhe u hodh në krahët e kulturave të tjera. Ne kopjuam gjithçka të huaj, ndërsa besimin dhe vlerësimin për veten e minuam. Në ditët e sotme, ksenocentrizmi vjen për shkak të politikave jo të mira për popullin; populli e ka humbur besimin te vetja, te politikanët, dhe beson se e mira do t’u vijë vetëm duke përqafuar kulturen e çdo gjë tjetër të një kombi tjetër. Besimi ka shkuar në pikën 0 saqë shqiptarët kanë lënë vendin e tyre,  dhe janë shndëruar në kopjacë të popujve të tjerë. Të prekësh ekstremet, eksperienca ka treguar se nuk del asgjë e mirë. Shprehja e Aristotelit për mesin e artë, këtu do të gjente vend. Duhet të duam veten, por gjithashtu të jemi të hapur për të pranuar të renë dhe për t’u përmirësuar. Pa dashur veten, nuk mund të duam të tjerët! Ja çfarë thotë Entela Binjaku për këtë fenomen. “Në kushtet e lirisë po shfaqemi më shumë ksenocentrikë: i vendosim emërtime në gjuhë të huaj të subjekteve të ndryshme të sipërmarrjeve tregtare, zgjedhim emra të huaj për pasardhësit, përdorim në mënyrë të pakontrolluar dhe të shtuar fjalë të huaja, kemi prirjen për të respektuar mjaft norma kulturore që janë të huaja etj. Kjo sepse përçmojmë, shpërfillim ose përbuzim elementët tanë kulturorë dhe mbivlerësojmë cdo gjë element nuk është yni. Arsyet për këtë mund t´i kërkojmë tek: mosnjohja, padija, mungesa e informacionit mbi vlerat e kulturës sonë, “agresionit” mediatik që vjen përmes teknologjisë së informacionit të kulturave të shoqërive të mëdha e të zhvilluara dhe nga ana tjetër edhe sepse nevoja për t´i përkitur ose për t´u asociuar me një kulturë të caktuar dhe zbrazëtinë që përjetojmë duke braktisur tonën, ta plotësojmë ose kompensojmë me përqafimin për të huajën, përballja me kulturat e tjera bëri që shumë qytetarë të përjetonin zhgënjim për “madhështinë” dhe “lavdinë” e popullit duke mbivlerësuar kulturat e tjera”. Ndërsa Sevim Arbana thotë: “Ksenocentrizmi mbështetet përkundrazi në një hiperbolizim të kulturës së të tjerëve dhe një nënvlerësim të çdo gjëje autoktone. Këto janë rrjedhojë e politikave qeveritare që nxisin përbuzjen ndaj vlerave vendase, ose ideologjite shtypëse. Për ta ilustruar më mirë këtë fenomen, marrim Shqipërinë e pas’90-ës. Glorifikimi, adhurimi dhe përulja ndaj çdo gjëje të huaj, kish të bënte me mosnjohjen, mbylljen dhe qeverisjen e deriatëhershme. Sot mendoj që shqiptarët janë më realistë në kontekstin e dy qëndrimeve, si ndaj etnocentrizmit, ashtu dhe ndaj ksenocentrizmit”.

Please follow and like us: