Albspirit

Media/News/Publishing

Sali Bashota: Poezia e risemantizimit të kodit erotik të Lulzim Tafës

 

Disa fjalë rreth librit, Flirt, Lulzim Tafa, Poezi, botimet AAB, Prishtinë, 2019, Fq.123

Pikënisja e shkrimit tim kritik e vlerësues për librin më të ri të Lulzim Tafës shenjohet pikërisht nga vargu i tij virtuoz: “Poezia është si Toka/Veç pak më e madhe”. Nga këtu çdo gjë që ndërlidhet me aktin krijues, me frymëzimin dhe përbërësit e tij, me idetë dhe temat, ndër të tjera, e krijon parabotën dhe botën e poetit, sikur ta portretizonte, madje diku të gdhendur në kujtesën e lumtur dhe krenare të poetëve, mendimin brilant të Harold Bloomit, kur thoshte se: “poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare”.

Poezia e Lulzim Tafës i ka shenjat e veta, të cilat e prodhojnë faktin estetik, për ta gjetur udhën dhe krijimin e dashurisë, pse jo identitetin e saj, pikërisht me gjuhën, stilin, figurat e renditura në një hapësirë të krijimit dhe të meditimit lirik, aty ku fuqizohen dhe e marrin primatin e vet semantik e simbolik një varg e vistër figurash të mendimit dhe të fjalorit poetik, mirëpo ku triumfon bindshëm prania dhe domethënia e elipsës poetike përmes risemantizimit të kodit erotik.

Poeti edhe kur pohon edhe kur mohon e vë në funksion leksikun apo idiomën gjuhësore për t’i ikur kodifikimit, për ta fuqizuar mendimin dhe për ta saktësuar harmoninë e ndjenjës, të çastit, të situatës, në raport me aktin krijues. Është pikërisht gjuha poetike vetë formula e vizionit shkrimor lirik, ku poeti e sjellë konceptin e tij në procesin e të menduarit, pse poezia së pari është ideal i shpirtit, ndërsa fjalori, fryma, porosia e saj i prodhon të amblat dhe të idhtat e jetës, aty ku ritmi i kënaqësisë, ritmi i zemërimit, ritmi i situatës, etj., e kanë një emërues të përbashkët në realitetin e përjetuar të subjektit lirik se çdo gjë lind e jeton kur betohesh për “kry t’vargut”, siç thotë poeti në poezinë e parë të librit “Akull dhe dashni”.

 Poezia e Lulzim Tafës është një monolog i shkathtë që e ka rrjedhën dhe intensitetin e vet, i funksionalizuar me ngarkesë të veçantë ideoemocionale, madje monolog që, gjithashtu, e ka formën, bukurinë dhe qëllimin e vet, i cili e kërkon dialogun e tjetrit, për ta saktësuar dramatizimin e situatave të shoshitura përbrenda këtij realiteti ekzistues, aty ku përmes pyetje të shpeshta sugjestive kërkohet identiteti i qenies, herë në minimumin e mundshëm, herë në maksimumin e pamundshëm.

Në pesë ciklet e librit, siç janë: Dashuri, Flirt, Lufta, Bisedë me miq dhe Dhimbje, Lulzim Tafa i shfaq, i formëson dhe i ofron kërkimet e tij krijuese, në favor të trajtimit dhe ndriçimit të mozaikut të temave që ndërlidhen me shoqërinë, aktualitetin , luftën, religjionin, humanizmin, dashurinë, etj. Dhe, pa dyshim, poezia e këtij poeti bëhet valë shpirtërore, në të cilën kryesisht dominon ideja, e shtresuar dhe e simbolizuar me mall, zjarr e dashuri.

Këta tre përbërës (malli, zjarri, dashuria) e ndërtojnë një gjuhë specifike të ligjërimit poetik (variant letrar i gegënishtes me idiomat gjuhësore të të folmeve të Kosovës), për të shtresuar raportin e poezisë me gjuhën, ligjërimin dhe lexuesin. Për më tepër, besimi i poetit për një dashni fikse, i mënjanon konvencat dhe klishetë e të perceptuarit ndryshe për poezinë erotike, ku gjithmonë bukuria e vashës bëhej kryefigurë e simbol, si pavdekshmëri e shpirtit dhe jo ana tjetër që e ka misteriozitetin e vet, të ndrydhur me lirinë e mëkatit për të dashuruar vetëm përfytyrimin dhe shpërfytyrimin e aktit të veprimit.

Magjia e dashurisë, shpërthen, si në këto vargje të poetit: “me shpirt/me trup/ me m’mlue” (“Ty”) apo “me m’përpi/me një frymëmarrje”(“Eh”) apo “Më ke ndez / Si zjarr/dhe po ngrohesh me mua” (“Piromane”) apo “Më vështron të tërin nga maja/Derisa unë pres/ujin me vlue”/(“Nga maja”). Këto vargje shqiptohen e zbërthehen brenda një konteksti të ri semantik, edhe kur trazimi apo mërzia, në njërën anë, e përmbysin imazhin, apo kur përjetimi e adhurimi, në anën tjetër, doemos, bëhen kaq të dallueshme, kaq shpirtërore deri tek receptimi i poezisë me efektin estetik të saj. Prandaj, ky është një shembull i veçantë i ilustrimit të dashurisë, ku ndjeshmëria njerëzore sistemohet përbrenda bazamentin të ndjeshmërisë shkrimore, përmes thjeshtësisë poetike me vargje të shkurta dhe me komunikim të gjatë.

A mund të jetë ky një ditar i dashnisë ku poeti e ka thurur zjarrmin e tij, për ta shpalosur një botë që ikën me plot peripeci e kujtime nga vetvetja dhe që rikthehet në gjenezën e krijimit, bëhet art e dëshmi poetike, sepse fundja për t’ia thyer pasëordin ëndrrës (varg i poetit), udhëtimi i jetës nuk e njeh vdekjen, por e njeh vetëm pavdekshmërinë. Sigurisht se kodi për të hyrë dhe zbërthyer botën e poetit është vetë çelësi i interpretimit për poezinë me tematikë të dashurisë, veçanërisht në poezitë “Të dua më shumë se Paulinën” dhe “ Grue”, kështu që vargjet e poezisë së fundit: “Zoti është dashtë/ Me të lënë të bukur/ Kështu siç je”/, e përcaktojnë qartë dimensionin semantik e estetik , ku bukuria bëhet edhe fenomen i artikuluar me kontocione metafizike.

Cikli i dytë me titullin “Flirt”, i përfaqësuar me poezitë “Ashensori”, “Në Sex Shoop”, “Kur ti më thërret”, “Kushti”, poezia për Çarl Bukovskin, etj., zhvesh gjuhën nga sfera e realitetit, e dekompozon përtej arsyes njerëzore, vetëm e vetëm për ta përmbysur mitin e trilluar, shkëputur nga konteksti i jetës, kur është herë ankth shpirtëror e herë dëshirë erotike, madje deri tek zhveshja figurative nga absurdi dhe ironia. Mbase mund të jetë një formulë ekstreme e rebelimit, në pikëtakim me të dashuruarit ndryshe, ku ka edhe zemërim, revoltë, mllef, duf, klithmë, sarkazëm, indiferencë, por edhe lavdi e madhështi.

Në ciklin e tretë me titullin “Lufta”, shquhet poezia “Letër Bujar Tafës” , pastaj poezia për fëmijët e pagjetur në luftën e ndodhur në Kosovë, “Svetllana dhe lufta”, “Parisi”, “Ata më thanë ik e unë ika”, etj. Në këtë cikël të poezive ndërtohen imazhe e peizazhe në raporte kundërvënëse e krahasuese, ku dominon ironia, antiteza, paradoksi, si dhe loja e kundërloja me ngjarje dhe figura të ndryshme që i përkasin së kaluarës, por edhe aktualitetit.

Mbi të gjitha poezia “Letër Bujar Tafës”, është njëra ndër poezitë më të mira të këtij libri, por edhe ndër poezitë më ecenciale në krijimtarinë poetike të Lulzim Tafës. Paradoksalisht, poeti imazhin e luftës e vë brenda ligjërimit ironik dhe situatës tragjike, kësaj radhe, për ta përcaktuar veprimin në një ambient, në të cilin trishtimi, ëndrra, lutja, vaji, frika, guximi, mëkati,
krimi, vrasja, vdekja, etj., secili e secila prej tyre e kanë gjëmën e vajin e vet në një ëndërr të papërfunduar.

Në ciklin e katërt me titullin “Bisedë me miq”, shquhet poezia për poetin e ndjerë, Basri Çapriqi. Është një rimarrje e ideve të Çapriqit në një poezi të tij për heronjtë dhe kurvat, dhe e funksionalizuar në një kontekst tjetër imagjinar, si mbindërtim poetik, për ta aktualizuar ironinë lirike deri në maksimum. Edhe në poezitë e tjera të karakterit përkushtues, siç janë: ”Vetëm ora jote ecë” (kushtuar Jeton Kelmendit), “Nëse do të nisesh letër për Natashën” (kushtuar Ion Deaconeskut), “Këto leja një romi” (kushtuar poetit të ndjerë, Kujtim Paçaku), si dhe në poezitë në formë dialogu me diellin, qiellin, detin, drunjtë, gurët, Lulzim Tafa reflektimin e tij personal poetik e fuqizon mjeshtërisht në kontekste të reja ligjërimore dhe figurative.

Gjithsesi, edhe cikli i pestë dhe i fundit me titullin “Dhimbje”, dallohet me poezi të realizuara në nivelin poetik dhe estetik. Poezia me titullin “Paralajmërim për ata që do t’ iu vdes Nana”, artikulon ndjenjat, mendimet dhe rrethanat e poetit për ta konceptuar mungesën dhe dhimbjen si paralajmërim për të tjerët gjatë shpjegimit të vdekjes së Nanës, sikur vdes bota, madje paralajmërimi e fuqizon tekstin për ta përcaktuar simbolikën e kontekstit, pikërisht me pritjen e dhimbjes, sepse: “Pa Nanë/ Dita ish pa Diell/Nata ish pa Hanë”/. Poeti e dokumenton saktë imazhin e mungesës së Nanës përbrenda një sfondi të përjetuar me shpirt, aty ku gdhendet përjetësisht portreti i saj i shenjtë.

Po kështu, kuptimi dhe domethënia e dhimbjes paraqitet në variante të ndryshme të përmallimit e të melankolisë, por edhe të vuajtjes njerëzore (poezia “Edhe ata që nuk i njohim vuajnë”), por edhe në relacione të tjera që e fuqizojnë porosinë për jetën, në besimin për Zotin dhe për fjalën e mençur që shndërrohet në poezi të bukur.

Poezia e Lulzim Tafës me preokupimin e tij ideoemocional e imagjinar, në pikëpamje të tematikës, stilit, gjuhës, figuracionit, etj., shquhet për vlera poetike dhe estetike dhe, pa dyshim, sjell një ndjeshmëri të veçantë lirike në poezinë e sotme shqipe./korrespodenti/

Please follow and like us: