Bledi Komini: Patronazhisti rrëzoi sigurinë kombëtare
Dalja e të dhënave personale të qindra e mijëra nënshtetasve të këtij vendi përbën edhe një shkelje të madhe, e të pa dëgjuar ndonjëherë: cënimin e sigurisë kombëtare.
Siguria kombëtare, ky element kyç i çdo shteti, është ‘thembra e Akilit’ jo vetëm në rrafshin e mbrojtjes së kufijve, ushtrisë, apo shërbimeve sekrete, por ajo ngërthen edhe ruajtjen e të dhënave sensitive e databazës kombëtare të popullsisë së një shteti.
Të gjitha të dhënat personale të shtetasve të një vendi, duke nisur që nga numri personal i identifikimit, ashtu dhe ato që kanë të bëjnë me atësinë, mëmësinë, datëlindjen apo dhe adresën e banimit, në rast se nuk lëshohen me mirëkuptimin e personit në fjalë, shkelin tërësisht të drejtën e ‘anonimatit’ të individit për të mos i lëshuar këto të dhëna.
Të dhënat personale janë të gjitha informacionet që lidhen me individin. Këto të dhëna mbrohen nga ligji nr. 9887, datë 10.3.2008 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’, i ndryshuar dhe institucioni i krijuar prej tij për këtë qëllim ‘Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale’.
Pra të gjitha këto janë të dhëna sensitive. Dhe në këto të dhëna sensitive sipas kuadrit ligjor futen:
‘Çdo informacion për personin fizik, që ka të bëjë me origjinën e tij, racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin, fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale.’
Gjithashtu: ‘Të dhëna personale përfshijnë çdo informacion në lidhje me një person fizik, të identifikuar ose i identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social.’
Dalja dhe publikimi i databazës me të dhëna personale në rang kombëtar ndër të tjera ka cënuar rëndë edhe sigurinë kombëtare të shtetasve të këtij vendi përballë kujtdo provokatori, apo qëllim-keqi që tashmë ka të servirur në një pjatë të argjendtë një sërë të dhënash që do të mund t’i merrte vetëm nëse e pushton një vend.
Kështu për shumë shtete fqinje të cilat janë të interesuara për të mbledhur këto të dhëna dhe për t’i përpunuar në interes të tyre, kjo përbënë një dhuratë të paçmuar.
Prej datës së daljes së të dhënave personale – si ato që përfshijnë emër e mbiemër, ashtu dhe ato që përfshijnë adresën, ditëlindjen si dhe atësinë, bashkë me shënime të tjera se për cilin subjekt politik mund të kenë votuar, apo dhe ku aderojnë, – mund të thuhet se për popullsinë shqiptare, apo dhe individë brenda saj, cënueshmëria është më afër se kurrë.
Nga ana tjetër, një faktor rëndues për situatën është dhe ai që ka të bëjë me mënyrë se si janë mbledhur këto të dhëna, nga kanë dalur dhe si janë përhapur duke u publikuar së fundmi. Nëse pas këtij rrebusi fshihet një shpërdorim i madh qeveritar, apo dhe të individëve të punuësuar në poste publike, situata rëndohet edhe më shumë. Pasi tashmë nuk kemi të bëjmë vetëm me cënim të sigurisë kombëtare, por me një krim edhe më të kobshëm kombëtar që fare thjesht mund të quhet dhe trajtohet si tradhëti kombëtare.
Ashtu siç e theksova më lart, këto të dhëna për një shtet janë po aq të rëndësishme sa ç’janë edhe vija kufitare, armatimet, mbrojtja strategjike, planet kombëtare të ruajtjes së sigurisë së institucioneve qeveritare apo pozitave strategjike, ato të shërbimeve informative etj. Në këtë kuadër, për shtetin shqiptar është njësoj sikur të ketë nxjerrë në pazar popullsinë e vet duke e servirur në një tepsi ku secili mund të marrë ç’të dëshirojë.
Pra, nëse në një situatë lufte një shtet kapitullon kur nuk ka më fuqi dhe ul armët për të mos luftuar më, tashmë në këtë rast, të dhënat e shtetasve shqiptarë janë dorëzuar pa asnjë luftë dhe pa asnjë përpjekje për t’i mbrojtur ato. Pa harruar në këtë çorbë se mes të dhënave që kanë dalë janë edhe të dhënat personale të qeveritarëve, deputetëve, gjykatësve, ushtarakëve, individëve të angazhuar në shërbime të ndryshme diplomatike, informative etj.
Kjo është hera e parë në historinë e NATO-s, ku një vend anëtar shpërdoron dhe nxjerr një thesar kombëtar që ndoshta as pushtuesit nuk do ta shpërdoronin kaq hapur.