Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: NJË KËNGË PËR VENDLINDJEN

 

Një këngë burimi më vjen pranë,

Tek rrjedh paprerë në një korie,

Në fleta pemësh të vendlindjes,

Do shkruaj letra dashurie…

Do shkruaj letra dashurie,

Për njerëzit, tokën dhe për yje,

Për ca sorkadhe qafëgjata,

Që rrinë fshehur nëpër pyje.

Gjithë Lunxhëria nëpër ëndrra,

M’u shfaq sërish  dhe kësaj nate,

Çajupi i hedh borë tek  gusha,

Bregoret ca lule lofate.

Vendlindja ime nëpër ëndrra,

Përdore  fshat më fshat më shpie,

Dhe gurgullon një këngë e hershme,

Si një burim nëpër korie…

Një këngë burimi vjen  ngadalë,

Më  hyn në shpirt  si mërmërimë,

Oh, ky burim kjo këngë e vjetër,

Që pranë më bie fëmijërinë!

Ca zogj që kurrë s’e ndalin këngën,

Oh ç’këngë e bukur ditë dhe natë!

Ndaj nis bajamja e çel lulet,

Një kumbull degët si krah zgjat.

Më çmend një erë e lehtë në gjethe,

Që fryn pareshtur në pranverë,

Eh, Lunxhëri që më deh shpirtin,

Edhe pa pirë ndonjë gotë verë.

Një këngë vendlindja më dërgon,

Një këngë mbi gjithë këngët e tjera,

Kompozitor është vetë natyra,

Dhe orkestronte ca zogj dhe era.

Një këngë më vjen nga Lunxhëria,

Dhe mua shpirtin ma trazon,

Se di e sjellin retë nga malet,

A ndonjë zog që shtegton?!

Please follow and like us: