Shkrimtarja Elvira Dones ndihmon patronazhisten Tefta: Borzilokut në vazo hidhi një lugë kos
Ditë pushimi është. Rri robi në shtëpi të vet, ende në pizhame. Ca metra poshtë shtëpisë kullosin ca lopë zvicerane, të bukura e të shëndetshme si mosozot.
Jeton robi prej 32 vitesh larg vendlindjes. Dhe mëson që paska një patronazhiste në Shqipëri, njëfarë Tefta Haxhiaj. Kaq di për të tani – kushedi ç’të tjera kanë mbi mua nëpër ato dosjet e tyre, të qëna e të paqëna.
Por, këtë Teftën dua ta ndihmoj, të shkretën. Kështu që ja ca të dhëna të tjera për Teftën dhe shefat e saj.
Elvira Zija Dones, persona non grata për rilindasit. Non grata edhe për paraardhësit e rilindasve, por kjo pak rëndësi ka. Një “qenushkë” pa zinxhirë, përkthim aktual: Kjo NUK na do! Na doli kallp, so, keep an eye on her.
Dua t’i ndihmoj: numri i këmbës 38 – rritur në vitet e fundit ngaqë E. Dones vrapon shumë kilometra çdo ditë, dhe si gjithë vrapuesve të thekur i është rritur numri i këmbës nga 37 në 38.
Shenja të tjera të veçanta: martuar me një burrë me mjekër, gazetar zviceran, një “ujk i vjetër” që për fatin e keq të rilindasve lexon e kupton shqip, dhe kjo NUK “na leverdis”. (Këtë po e shtoj nga xhepi, të kuptohemi: Tefta Haxhiaj nuk e ka shkruar të zezë mbi të bardhë. Por, tashmë – me “fantazinë” e shkrimtares – nuk e kam të vështirë ta imagjinoj).
Në atë vendin tonë s’ka fare nevojë që Shefi i madh të japë urdhëra; mjafton një ngritje vetulle, si ngrihet shefi në mëngjes, o burra t’ia kënaqim vetullën.
Shenja të tjera të veçanta të E. Dones për “patronazhisten” Tefta. Tefta “shpirt”, me siguri monetarisht je më e pasur se unë. Kam dy palë pantallona jeans, me numër, nuk ekzagjeroj, pesë bluza, por dhjetë palë atlete Nike. Për ty e për shumë shqiptare të tjerë, I’m a loser, varet nga pikëvështrimi, gjithmonë.
Jetoj me qera – si pjesa më e madhe e zviceranëve.
Shenjë tjetër: jam shumë e aftë në kuzhinë. Pa bërë mendjemadhen, tiganët jane “my forte”. Tefta në këtë pikë unë të mund njëqind herë, besomë!!!
Nëse, Teftë, ke nevojë për të tjera të dhëna, jam e gatshme të t’i jap.
Nuk kam afiliacion partiak në Shqipëri. Fakti që “rilindasit” tradhtuan çdo shpresë të shqiptarëve që i votuan – in maniera plebiscitaria – në 2013, nuk do të thotë që unë respektoj opozitën qesharake të Lulzim Bashës & Co.
Mendoj që çdo establishment politik/qeveritar në këto tre dekada, nuk ka bërë asgjë në interes të atij populli: e ka manipuluar, shfrytëzuar, shantazhuar, por nuk i ka shërbyer.
Pra, e dashur Tefta, “patronazhistja” ime, më vjen keq për ty. Po pate hall për të tjera informacione mbi mua, t’i jap. Për shembull, borzilokut një herë në 10 ditë, kur ta ujisësh, hidh në gotën e ujit një lugë gjelle kos. Është një fertilizator i shkëlqyer.