Gjen. Piro Ahmetaj: Stërvitja e SHBA s’ka asnjë lidhje me mandatet e qeverisë, misionin e opozitës dhe axhendën e Presidentit për zgjedhjet e 25 Prillit!
Gjeneral * Piro AHMETAJ: “Stërvitja e SHBA, s’ka asnjë lidhje me mandatet e Qeverisë, misionin e opozitës dhe axhendën e Presidentit për zgjedhjet e 26 Prillit”!
Për të kontribuar në qartësimin e opinionit publik rreth disa paragjykimeve politike mbi stërvitjen e SHBA “Defender Europe 21″, në vijim po paraqes një përmbledhje strategjike:
Së pari: Nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit, pra asnjë përgjegjësi qoftë me stabilitetin, apo me shumë gjasa thellimim e krizës politike të pas 26 Prillit. E thënë edhe më qartë, nuk ka kurrësesi dhe asnjë anësi as me mandatet e Ramës, as me misionet e Bashës, as me gardianët e LSI, as me axhendën e institucionit të Presidentit të Republikës dhe as me ushtrinë e uritur të paleve ‘ndërluftuese’ për të ri-mbajtur ose marrë pushtetin në 25 Prill!
Kurrësesi nuk mundet të ketë lidhje, me Znj. Xhaçka, Z. Peleshi, Dr. Begën dhe këdo zyrtar tjetër, pasi kjo stërvitje e planizuar nga Pentagoni me shumë se 2 vjet më parë, do të zhvillohej me të njëjtin skenar, në të njëjtat data dhe me të njëjtën listë aktivitetesh, përtej çdo emri, mbiemri, grade ushtarake apo shkencore si dhe çdo funksioni që ai/ajo mbajnë aktualisht në RSh!
Së dyti, sigurisht nuk ka asnjë lidhje me oshilacionet e Çupit “mbi arrestimet nga NATO” dhe as konspiracionet humoristike të Ngjelës mbi“rrezikun amerikan apo përfitimet anglo-saksone” dhe as me histerinë e rambo-kamikazëve të pushtetarëve të radhës!
Në planin serioz, ushtarakët e SHBA nuk vijnë në Repblikën e Shqipërisë, as si policë për të arrestuar, as si gjyqtarë për të dënuar, as si gardianë burgjesh dhe as si kasapë për te prerë dorën atyre që mundet të vjedhin votat në 25 Prill, siç për 30 vjet kanë vjedhur votat, pushtetin, pronat, besimin dhe shpresën e shqiptarëve për ta bërë Atdheun e tyre të begatë si gjithë Europa!
Për ta përmbyllur, citoj mesazhin e qartë të Ambasadores së SHBA në Shqipëri Yuri Kim, se në garën e 25 Prillit “SHBA nuk mbështet asnë parti ose kandidat të caktuar”, mesazh që sigurisht përfshin qëndrimin e SHBA edhe për këtë stërvitje ashtu si çdo mbështetje në 30 vitet e fundit!
Na ana tjetër, për këdo të interesuar apo të dalldisur nga paranojat e përjetësimit të pushtetit, po paraqes një përmbledhje me disa të dhëna të publikuar në media mbi “Defender Europe 21”:
1. E planizuar para më shumë se vitesh nga Pentagoni, drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë, me qëllim përmirësimin e aftësive luftarake të forcave të SHBA-së, në zonat e përgjegjësisë ndaj kërcënimeve të interesave gjeostrategjike nën moton: “Ushtri e fortë, Europë e fortë”.
2. Marrin pjesë në 27 shtete, me mbi 31,000 trupa, ku 17 000 trupa janë amerikane dhe 14 000 trupa janë të aleatëve; të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.
3. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maj- 14 Qershor, do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe deri të Detit të Zi, zhvillohet në 30 poligone stervitore, do zbarkohet në 5 porte, (Durrësi do të jetë porti kryesor) dhe 12 aeroporte të vëna në dispozicion nga 12 shtete.
4. Edhe pse nuk ka lidhje me NATO-n, 27 vendet pjesëmarrëse, i janë bashkuar p.sh NATO me “Steadfast Defender 21” duke zhvilluar në territoret e tyre stërvitje dhe aktivitete shtesë mbi bazën e një marrëveshje bilaterale/të posaçme me ShBA.
5. Siç është bërë e njohur gjerësisht (www.gazetaushtria dt.9.04.2021): “në vendin tonë do të dislokohen rreth 3000 trupa amerikane, ku më kryesoret janë, këmbësori e lehtë, helokopterë, logjistik; xhenier, raketa “Patriot”, Polici Ushtarake si dhe struktura e CIMIC, në të cilën përveç ushtarakëve të SHBA dhe RSh, do ketë të atashuar edhe përfaqësues nga të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse.
Së fundmi, ripërsëris nderimin tim dhe ju uroj në suksese në këtë stërvitje ushtarakëve/kolegëve të SHBA-ve, shqiptarëve edhe të 27 vendeve të tjera pjesëmarrëse për përkushtimin, sakrificat sublime dhe kontributet që japin për paqen dhe sigurinë në botë.
Gjeneral ® Piro AHMETAJ, Ekpert i Lartë i Sigurisë Kombëtare & NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare-PD, Këshilltar Ushtarak i Presidentit, Zv/SHSHPFA & Përfaqësues i RSH në SHAPE/NATO.