Komisioni Evropian dhe Austria sigurojnë vaksina Covid-19 për Ballkanin Perëndimor
Komisioni Evropian dhe Austria shpallin sot përfundimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 për Ballkanin Perëndimor. 651,000 dozat BioNTech / Pfizer financohen nga Komisioni Evropian dhe do të ndahen me ndihmën e Austrisë. Dorëzimi i parë për të gjithë partnerët në rajon pritet të kryhet në maj, me transhe të rregullta që do të vazhdojnë deri në gusht.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Është thelbësore të përshpejtohen fushatat e vaksinimit kudo. Jam e lumtur të njoftoj se kemi siguruar doza për të ndihmuar vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe grupeve të tjera të prekshme në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian është pranë partnerëve tanë në rajon, të cilët na janë drejtuar për mbështetje. Dua të falënderoj Austrinë që e lehtësoi këtë transferim, duke treguar përkushtimin dhe solidaritetin e saj të vendosur me Ballkanin Perëndimor”.
Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, shtoi: “Pavarësisht nga sasia e pakët aktuale globale, BE-ja do të shpërndajë vaksina jetë shpëtuese për Ballkanin Perëndimor. Ne kemi ofruar mbështetje që nga fillimi i pandemisë COVID19. Së pari, me pajisje mjekësore emergjente si maska, ventilatorë, njësi të kujdesit intensiv dhe automjete të ndihmës së shpejtë; së dyti, duke forcuar rezistencën. Tani ne do të ndihmojmë për sigurimin e vaksinimit të të gjithë punonjësve mjekësorë të vijës së parë në mbarë rajonin, si dhe disa prej grupeve të tjera të prekshme. Ne kujdesemi për Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në Bashkimin Evropian”.
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, theksoi: “Është përparësi kyçe që vaksinat COVID-19 të bëhen të disponueshme me shpejtësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse për njerëzit në të gjithë Evropën. Përkundër këtij konteksti, mbështetja e Ballkanit Perëndimor për të marrë vaksina është një akt solidariteti evropian dhe një investim për shëndetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit. Mbi të gjitha, pikat e zbrazëta në hartën e vaksinimit, kudo që të jenë, paraqesin rrezik për të gjithë ne. Askush nuk është i sigurt pa qenë të gjithë të sigurt”.
Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor. Dozat janë financuar nga paketa prej 70 milionë eurosh, e miratuar nga Komisioni në dhjetor 2020, për të ndihmuar mbulimin e kostos së vaksinave, të siguruara në bazë të marrëveshjeve të BE-së për blerje në avancë për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja e përgjithshme midis vendeve do të bazohet te nevojat epidemiologjike, duke i dhënë përparësi, së pari, punonjësve mjekësorë dhe grupeve të tjera të prekshme.
Konteksti
Komisioni Evropian është i përkushtuar për të siguruar që të gjithë ata që kanë nevojë për një vaksinë ta marrin atë, kudo në botë. Kjo është arsyeja pse menjëherë iu përgjigj thirrjes së OBSH-së për veprim dhe ka ndihmuar për të mbledhur gati 16 miliardë euro që nga 4 maji i vitit 2020 në kuadrin e Reagimit Global ndaj Koronavirusit, veprimi global për qasje universale në teste, trajtime dhe vaksina kundër koronavirusit, si dhe për rimëkëmbjen globale.
Struktura COVAX është shtylla e vaksinave e Përshpejtuesit të Qasjes ndaj COVID-19 (ACT), një bashkëpunim global për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet, trajtimet dhe vaksinat COVID-19. Deri tani, nga BE-ja dhe Shtetet Anëtare të BE-së janë njoftuar 2.47 miliardë euro për COVAX-in. COVAX synon të blejë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, përfshirë mbi 1.3 miliardë për vendet në zhvillim.
Përveç kësaj, Strategjia e Vaksinave e BE-së, gjithashtu kontribuon në përpjekjet globale të solidaritetit. BE-ja ka investuar afërsisht 3 miliardë euro për të para-financuar prodhimin e vaksinave përmes Marrëveshjeve të Blerjes së Avancuar me kompanitë farmaceutike. Këto marrëveshje u ofrojnë Shteteve Anëtare të BE-së mundësinë për të rishitur, dhuruar apo transferuar te vendet partnere.
Më 19 janar, Komisioni propozoi krijimin e një mekanizmi të BE-së për ndarjen e vaksinave, i cili do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor, vendeve fqinje të BE-së dhe Afrikës, dhe mbi të gjitha do të jetë në dobi të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe popullatave në nevojë.
BE-ja ka vepruar shumë shpejt në mbështetje të partnerëve të Ballkanit Perëndimor që nga fillimi i krizës, duke mobilizuar një paketë shumë të madhe prej 3.3 miliardë eurosh për të ndihmuar trajtimin e krizës së menjëhershme shëndetësore dhe zbutjen e krizës social-ekonomike. Kohët e fundit, në tetor, Komisioni propozoi një Plan Ekonomik dhe Investimesh, deri në 9 miliardë euro, për të nxitur rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën me BE-në.