Albspirit

Media/News/Publishing

Vuçiç shtrëngo rrypin/Biden: Marrëveshja Kosovë-Serbi të përqendrohet në njohje reciproke

Prishtinë, 20 prill 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja e mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të përqendrohej në njohjen reciproke.

Presidenti Biden e ka shprehur këtë qëndrim në një letër dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes së cilës e uron për zgjedhjen e saj në këtë pozitë

“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Presidentit amerikan.

Biden shkruan gjithashtu se partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta, duke theksuar se me Presidenten Osmani do të punojë në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Presidenti amerikan i është përgjigjur letrës së zonjës Osmani, përmes së cilës ka kërkuar ndihmën e SHBA-ve për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit për Kosovën.

“Administrata ime ka vënë ndër prioritetet bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh për të gjetur përgjigje për pandeminë. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut fillestar prej 4 miliardë dollarësh për GAVI për të mbështetur programin e COVAX për furnizim me vaksina të sigurta dhe efektive të vendeve në nevojë dhe mua më erdhi mirë kur mësova se Kosova ka filluar të marrë vaksinat e siguruara nga COVAX. Me rritjen e furnizimeve me vaksina këtu në Shtetet e Bashkuara, ne do të shqyrtojmë mundësitë e bashkëpunimit me partnerë tanë për të ndarë sasitë që mundemi. Ekipi im do të jetë në kontakt me ju për të çuar përpara këto përpjekje”, thuhet në letrën e Presidentit Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shkruar edhe për lidhjet e tij personale dhe të mbarë familjes Biden me Kosovën. Ai ka kujtuar se biri i tij, Beau, kishte shërbyer në Kosovë, në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër, “për avancimin e paqes dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Please follow and like us: