Miho Gjini: JUSTINA ALIAJ NË DITËLINDJE TË PËRHERSHME!
Thuhet se, si sot, paska lindur artistja jonë e dashur Justina Aliaj, po unë nuk e basoj se është vërtetë kështu. Kjo ARTISTE që ka lindur si e tillë, vjen e zhduket gjithmonë midis nesh e përsëri mbetet në ditëlindjen e saj të përhershme e të përtjetshme. Nuk e gëzojnë që të gjithë këtë shans a vlerë njerëzore, po ajo e ka e le ta gëzoje ndër vitet që rrjedhin, edhe pse ato nuk kanë qenë gjithmonë të lumtura…
Dikur, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, pata fatin a rriskun, ta kisha studente në Institutin e Lartë të Ateve (dega e dramës) dhe më duhej të punoja me të rolin e një gruaje të trembur nga rreziku nazist në njerin nga aktet e dramës së Brehtit “Frikë dhe mjerim në Rajhun e Tretë”, duke u përballur me vlerat e saj të ralla të aktrimitt. Aq sa ngjante fluide në dukje dhe shakatore në bisedat e zakonshme, kur unë sillesha si një shok i saj (e me të tjerët studentë!), asaj i qe tiposur që unë isha vetëm një personazh që i ngjante Shvejkut të Hashekut… Por, kur vinin çastet e hyrjes në rol, ajo do të ishte e tëra e tjetërsuar aty, në Rajhun e Tretë, brenda terrorit nazist, me frikën e rrallë për të birin, me nje dridhje buzësh e pulsim të krahërorit, si nënë, kur gjëma është në pragun e shpërthimit…
Natën tjetër do ta shihje Justinën në skenë duke kënduar këngë malli e këngë dashurie, me temperamentin e jashtëzakonshëm të një vajze të lindur për të kënduar… Tjetrën natë do ta shihje në një film, ku do na tmerronte me një gardiane burgu!… Përsëri në skenë të veshur me mantelin e gruas trojane që i duhet të qajë bijtë e saj të vrarë… Derisa të vinte në një festival famëkeq të këngës (të njëmbëdhjetin!), ku i dha skenës krejt shpirtin e saj e meriton tmerrin e “Rajhut shqiptar”…
Dhe që do të zhdukej vite e vite të tëra në dhe te huaj!… E dëbuar gati!… Pa ditëlindje midis shokësh e miqsh!… E për t’u rikthyer pas tri dekadash e ca, me flokë të bardha, me një tjetër profil madhor, për të thënë se “UNE JAM JUSTINA”!, po ajo aktore e këngëtare e pavdekshme, me një koncert të saj, ku ajo do të ishte përseri vetvetja, e paarritshme, e madhe, kur dashuria per artin është e mpleksur me dashurinë për jetën… Dhe me DiTËLINDJET e saj… Mos vdekç kurrë, JUSTI, jonë e dashur! Po, magjia jote nuk mbaron këtu… Se, nuk ja hodhe vetëm “Rajhut Shqiptar”, po edhe Covid-19 që të mbërtheu edhe ty… por që të mori të keqen! E më lumturove edhe mua, Shvejkun tënd, kur më the: gjithë gaz: “E MUNDA EDHE COVIDIN”!… Pije edhe një gllënjkë verë edhe përmua, e dashur Justi!
Please follow and like us: