Ëndërr me patronazhistë
Eden Babani, Bruksel
Me fjalën patronazh, kam qenë familjarizuar këtu e pesëdhjetë e ca vjet përpara. Drejtori ynë i gjimnazit, na porosiste përditë ne, arsimtarët, që nxënësit e mirë në mësime të merrnin në patronazh më të dobëtit.
Drejtorin tonë, e ka pas nderuar gjithë qyteti. E nderon edhe sot e kësaj dite. Ka qenë dhe ka mbetur burrë i mirë sa më s’ka. Nuk është më komunist si asohere, edhe se Partia e Punës, emërndërruar, është ende në pushtet. Dhe çudi si ka ndryshuar aq shumë. Unë i besoj sinqeritetit të tij, sepse e njoh mirë. Atyre viteve, më ngjante tamam si kalë karroce, ama zemrën e kishte flori. E prishte gojën ndonjëherë. Tek e fundit, ia donte puna… Qe një ndër ata të pakët anëtarë partie, që s’shihnin as majtas as djathtas, por veç përpara. Patëkeq. Fare, fare patëkeq. Po, ç’ t’ u bësh bindjeve! Ato kishin lëshuar rrënjë të thella tek ai, sikundër edhe te do të tjerë.
Ne, s’do mend, porosinë e Partisë e mbanim vath në vesh, sado që efekti i marrjes në patronazh ishte thuajse zero. Ishte, jo shaka…
– Partia na porosit që sistemin e patronazhit, ta shohim me sy politik dhe ta vlerësojmë me përparësi, – përsëriste vend e pavend. – Shembullin na e ka dhënë vetë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit, shoku Rita, i cili ka marrë në patronazh qytetin tonë, Kavajën.
Ashtu ishte. Me të vërtet, ashtu. Shoku Rita, një e më dy e në Kavajë. Dhe punët, nga kokëposhtë, ktheheshin sakaq për së mbari e shkonin mbroth.
* * *
Në kërkim të një mandati të tretë qeverisës, kryeministri i sektit rilindës na e ofroi sistemin e kahershëm të patronazhit në një spirale. Për fat, të mirë apo të keq, sot varret gjithçka nga këndvështrimi i secilit shqiptar me të drejtë vote. Kush e duron kularin në qafë, le ta mbajë deri që t’i marrë frymën e ta mbytë përfundimisht.
Të tjerët, me sa duket, janë përgatitur ta shtyjnë njëherë e mirë në humnerë kryeministrin rrumpallë dhe sektin e tij.
Me të mirë apo me të keq, nuk dihet ende. “Mprehni sopatat, lopatat e sfurqet për të dielën”, tha dje Presidenti Meta. Por dihet me saktësi se vendstrehimin e ka parapërgatitur me kohë, në Beograd, te Vuçiçi, ose në Ankara, tek Erdogani.
* * *
Pasi u bë publik skandali i përdorimit të të dhënave personale për të vjedhur votën e qytetarëve me ndihmën e pakursyer të patronazhistëve, m’ u shkrep edhe mua të mësoja emrin e atij që më kishte në patronazh.
E kërkojmë, më tha një mik, i cili, shok pas shoku e mik pas miku e kishte gjetur patronazhistin e vet dhe ia kishte plasur mu në surrat. Kishte qenë punonjës i Policisë Bashkiake të Tiranës. Patronazhisti nuk i qe përgjigjur, por qe larguar me bisht në shalë, si qen i trembur.
Pardje, miku im më dërgoi një emër femre. Nuk di në më njeh ajo mua, por unë atë nuk e njoh. As emrin e saj, nuk e them. Jo se s’i del fati, siç thuhej qëmoti. Aq më tepër që nuk e di në është apo nuk është e martuar, në është e re apo e vjetër, gjyshe apo stërgjyshe, fjala vjen. Sepse edhe ato i shërbejnë sot sektit.
Por, helbete…
Pse, pra, të përgojoj emrin e saj? Sepse më ka në patronazh? Ç’të keqe më ka bërë? Apo se ka zbuluar preferencën time elektorale? Po ajo dihet…
Gjithsesi, puna e patronazhistëve më pati futur në siklet qysh se Lapsi.al plasi skandalin. Madje, kam parë edhe ëndrra.
Më janë ngulitur në tru vetëm dy.
* * *
Ëndrra e parë.
– Ë-ë-ë-ë!… Ë-ë-ë-ë!…
– Ç’ ke? – më shpoi ime shoqe.
– Koshëmar!… – nuk pse iu përgjigja frëngjisht, kur fare mirë mund t’i kisha thënë: Llahtar!…
Ajo:
– Eden, eja në vete, more burrë! Ç’ pate?!
U përmenda.
– Lëre, – i thashë, – m’ u shpif në ëndërr patronazhisti.
Ime shoqe u ngrit dhe ndezi dritën. Nuk i besohej që s’kisha shkalluar. Fjalën patronazhist e kishte dëgjuar në lajme, por s’e kishte vrarë mendjen tepër të dinte ç’ donte me thënë.
Ia shpjegova shkurt, aq sa më lejonin orët e vogla të pasmesnatës.
– M’ u shpif një surrat, – i thashë, – si ai një personazhi të filmit “I Love Tropoja”… Të kujtohet? I zi sterrë, i gjatë skërfyell, me mjekër e me paruke si me qenë bandit…
– Lëri këto, tashti! – më qortoi. – Edhe në ëndërr, kokrra-kokrra po një bathë!…
Asaj s’para ia ka qejfi angazhimin tim politik, tashti, në moshë të tretë.
– Hajde të flemë, se na zuri mëngjesi.
* * *
Ëndrra e dytë.
– O-ho-o-o-o!… O-ho-o-o-o!…
Ime shoqe më shpoi fort mu në brinjë:
– Banditi i Ermal Mamaqit?
– Ç’ pate që më zgjove, pash Zotin…
– Fli tashti.
Shyqyr që s’ më pyeti më gjatë…