Vendimi i Strasburgut/Avokati Dorian Matlija shpjegon vendimin e paprecedent të Gjykatës Europiane pro Lapsi.al
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, komunikoi më 22 Prill 2021, vendimin për masë sigurie, për të mos lejuar sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al, deri në momentin kur çështja të gjykohet në themel nga GJEDN. Vendimi u mor pas një kërkesë për pezullim të dërguar në këtë gjykatë nga aplikantët Armand Shkullaku, Andi Bushati dhe Lapsi .al të përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija. Kërkesa është dërguar mbrëmjen e 19 Prillit 2021, menjëherë pas vendimit të dhënë nga Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila lejonte prokurorinë të sekuestronte kompjuterët, celularët dhe çdo paisje elektronike të redaksisë së Lapsi.al. Në një intervistë avokati Dorian Matlija, shpjegon rëndësinë që ky vendim i Gjykatës së Strasburgut ka për lirinë e medias në Shqipëri, që dukshëm sipas vendimit, është cenuar nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Z. Matlija, përse iu vendosët ti drejtoheshit Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kur në pamje të parë duket se kemi të bëjmë për një hetim që i përket çështjeve të brendshme të një shteti?
Nisur nga fakti që vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lejonte sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al, ishte një vendim shumë i rrezikshëm për standardet e lirës së shprehjes dhe konkretisht mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, si dhe për faktin që ligji shqiptar nuk parashikon asnjë mekanizëm për të pezulluar një urdhër të tillë, qoftë edhe duke u ankuar në Gjykatën e Apelit, e vetmja mundësi mbetej që të kërkonin ndërhyrjen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për këtë këtë arsye, unë dhe kolegu im, Theodors Alexandritis, përpara se të bëhej një dëm tepër i rëndë dhe i pariparueshëm, patëm idenë të ndërmarrin këtë hap të pazakontë. Në rregulloren e Gjykatës së Strasburgut ka një nen, me nr 39, që parashikon të drejtën e kësaj gjykatë për të ndërhyrë në masa urgjente kur jemi përpara një rasti ekstrem të shkeljes së drejtave të njeriut. Duke shfrytëzuar këtë nen të Gjykatës së Strasburgut ne iu drejtuam me datë 18 Prill 21 kësaj gjykatë me një kërkesë për pezullimin e vendimit të marrë nga Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Mëngjesin e së enjtes, më 22 Prill 2021, pra vetëm pas dy ditësh nga dërgimi i kërkesës suaj, Gjykata e Strasburgut del me vendim për masë sigurie, për të mos lejuar sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al,. Në dijeninë tuaj, ka pasur raste të ngjashme që Gjykata e Strasburgut ka reaguar kaq shpejt?
Në dijeninë time, masat urgjente nga Gjykata e Strasburgut merren vetëm kur i kërcënohet jeta ose integriteti fizik i personit por edhe për çështje të lirisë së shprehjes. Unë di që deri më tani ka pasur një rast të ngjashëm. Bëhet fjalë për çështjen “Sedletska kundër Ukrainës”- kur në vitin 2018 Gjykata e Strasburgut mori një masë të ngjashme. Sedletska ishte një gazetare ndaj së cilës në Ukrainë u urdhërua sekuestrimi i telefonit, siç është dhe rasti që Gjykata në Shqipëri urdhëroi të sekuestroheshin telefonat, USB, server, CD e çdo gjë tjetër elektronike që mban gazeta Lapsi.al dhe administratorët e saj. Pa dyshim, që rasti kundër Lapsit është rast edhe më i rëndë se ai i Sedletskës në Ukrainë, sepse jo vetëm mund të zbulohen burimet e gazetarit dhe sekretet profesionale të tij, por dhe e lë gazetën pa punë duke urdhëruar sekuestrimin e të gjithë bazën materiale.
Cilat janë veprimet e Gjykatës së Strasburgut për të dalë me një vendim të tillë. Mjaftohet gjykata vetëm me kërkesën e për pezullim të një vendimi të dërguar nga një palë?
Gjykata e Strasburgut bën veprimet duke verifikuar çdo pretendim të paraqitur nga palët. Së pari vlerëson dokumentet e dërguara dhe legjislacionin vendas. Më pas merr kontakte me qeverinë për tu siguruar që situata, së pari është serioze, së dyti veprimi pritet të ndodh menjëherë, së treti që nuk ka asnjë mundësi sipas ligjit vendas për ta zgjidhur konfliktin ndryshe. Pasi sigurohet që dëmi mund të vij në çdo çast se nuk ka asnjë mekanizëm mbrojtës ligjor tjetër dhe që organet shtetërore kanë vullnetin për të çuar deri në fund vendimin e marrë, atëherë Gjykata e Strasburgut, nëse sheh që ka cenim edhe të parimeve të drejtave themelorë të njeriut, në rastin konkret, mbrojta e burimeve të gazetarit si garanci për lirinë e medias, vendosi të ndërhyj urgjentisht në punët e brendshme të një shteti dhe të frenojë veprimet, sa po ndodhur dëmi i rëndë dhe i pa riparueshëm.
A do ta konsideroni këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut një fitore të medias në Shqipëri?
Patjetër që po, por mbi të gjitha është fitore e standardeve të cilët sot i vijnë në formën e një leksioni edhe organeve të reja të drejtësisë.
Z. Matlija, një vlerësimin tuaj, ky vendim i Gjykatës së Strasburgut a vë në pikëpyetje hetimet dhe veprimet procedurale të SPAK?
Njësoj si në çështjen “Sedletska kundër Ukrainës”, patjetër që Gjykata e Strasburgut arriti ta kuptojë që hetimi për një nga skandalet më të mëdha, siç ishte ai i përdorimit të të dhënave personale, kishte mundësi të tjera dhe që cenimi i burimit të gazetarëve nuk ishte aspak i justifikuar. Kështu që pas këtij leksioni SPAK të shkoj në PS për të marrë serverat ose tek AKSHI apo dhe institucione të tjera që disponojnë këtë databazë.
Z. Matlija, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, në gjykimin tuaj cili do të jetë fati i këtij hetimi që ka nisur Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. për të zbardhur përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve?
Nëse ky vendim i Gjykatës së Strasburgut e cila vendos një masë masë sigurie duke mos lejuar sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al, deri në momentin kur çështja të gjykohet në themel nga GJEDN. do të ndikonte vërtetë në cilësinë e hetimet të SPAK, sigurisht që Gjykata e Strasburgut nuk do të merrte këtë masë. Është e qartë për të gjithë ata që janë profesionistë të ligjit që SPAK ka shumë mundësi , rrugë ligjore, për të hetuar këtë çështje. Madje mënyra që ajo nisi këtë procedim penal ishte shumë e mbrapshtë sepse nuk nis hetimi nga sekuestrimi i materiale të denoncuesit publik të skandalit të përdorimit të të dhënave personale por nga atë që janë denoncuar, e për këtë ne pamë të gjithë se kishte indicie të mjaftueshme për të kuptuar që databaza ka marë të thëna të fiksuar në servera shtetërore që vetëm shteti i disponon. Gjithashtu ne pamë që ata që emërtoheshin si patronazhistë ishin vërtetë anëtarë të Partisë Socialiste dhe ka dyshime serioze se vërtetë ata janë ngarkuar më këtë detyrë dhe kanë përdorur këtë databazë. Kështu që hetimi detyrimisht duhet të filloj atje ku është probabiliteti më i madhe ku mund të gjendet e vërteta. Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut është dhe një mundësi për SPAK që të tregojë një integritet dhe profesionalizëm për hetimin e zbardhjen e skandalit, ndoshta më të madh i këtij viti, për t’i ardhur për shtat edhe pritshmërisë së gjithë ndërkombëtarëve që i kanë bërë shqiptarët të besojnë tek ky bast i madh i vendosur për drejtësinë që quhet ndryshe, Reforma Drejtësi.